Sot, më datë 16 qershor 2021, përfaqësuesi diplomatik i politikës dhe shtypit në Ambasadën e Hungarisë në Shqipëri, z. Bence József GOMBOR, zhvilloi një vizitë në Selinë e Shenjtë Bektashiane, ku u prit dhe nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Kryegjyshi e falenderoj z. Bence József për vizitën dhe e njohu me historikun, aktivitetin e Selisë së Shenjtë Bektashiane, rolin e bektashizmit në forcimin e harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare, ecurinë dhe sfidat e hasura, si dhe kontributin në fusha të ndryshme me interes shoqëror.
Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi mes palëve dhe u diskutua mundësia e thellimit të tij në të ardhmen nëpërmjet projekteve konkrete në fusha të ndryshme kulturore, sociale dhe edukative.
Në këtë vizitë, diplomati hungarez, z. Bence József, bëri dhe një vizitë në mjediset e Odeonit (qendër fetare-kulturore), ku u njoh nga afër me muzeun e bektashizmit, bibliotekën, arkivin, fototekën/fonotekën, galerinë etj. Përfaqësuesi diplomatik i politikës dhe shtypit në Ambasadën Hungareze u impresionua nga sa pa dhe u informua, duke shprehur njëkohësisht dhe vlerësimin për misionin dhe përpjekjet e besimit bektashian dhe në veçanti të Kryegjyshit Botëror Dede Edmond Brahimaj, në të mirë të forcimit të paqes, dashurisë njerëzore, harmonisë fetare dhe besimit në Zot si dhe për punën dhe angazhimin e treguar në raport edhe me bashkësitë e tjera fetare në rajon, duke uruar suksese në përmbushjen e këtij misioni.
Në fund Kryegjyshi i dhuroi edhe dy libra: “Dede Edmond Brahimaj, 10 vjet Kryegjysh Botëror i Bektashizmit”, i autorëve Nuri Çuni & Kujtim Boriçi si dhe albumin fotografik për Dede Reshat Bardhin.