
Ditën e hënë, 17 nëntor 2025, znj. Irit Amitai, Drejtore e Departamentit të Ballkanit Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Izraelit dhe Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Sh. Saj Znj. Galit Peleg, zhvilluan një vizitë zyrtare në Kryegjyshaten Botërore Bektashiane, Selia e Shenjtë.
Përfaqësueset izraelite u pritën edhe nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj i cili i shoqëroi gjatë gjithë vizitës.
Ato patën mundësinë të vizitojnë Odeonin, Muzeun dhe Bibliotekën e Kryegjyshatës, duke u njohur nga afër me historinë, traditën dhe aktivitetet kulturore, edukative dhe shpirtërore të Bektashizmit.
Gjatë vizitës u diskutua mbi rolin e Kryegjyshatës si një qendër që promovon paqen, harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare, si dhe mbi vlerat e përbashkëta që lidhin komunitetet fetare në rajon. Takimi përforcoi rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit ndërkulturore dhe u konsiderua një hap i rëndësishëm drejt thellimit të marrëdhënieve miqësore midis Kryegjyshatës dhe institucioneve shtetërore izraelite.
FOTOT: Nuri ÇUMANI











