ZHVILLOHEN RITET E 40 DITËVE TË PËRCJELLJES NGA KJO JETË, E BABA HEKURAN NIKOLLARIT

Më 17 mars, 2025, në teqenë e Alipostivanit -Përmet, nën kujdesin e veçantë të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, u zhvilluan ritet e 40 ditëve të përcjelljes nga kjo jetë, e baba Hekuran Nikollarit. Të pranishëm në këto rite, ishin besimtarë të ardhur nga Përmeti, Gjirokastra, Tepelena, Mallakastra, Fieri, Vlora, Saranda, Korça, Skrapari, Durrësi, Tirana, deri nga SHBA. Gjithashtu morën pjesë personalitete të pushtetit qendror e atij vendor. Në fillim u bënë homazhe dhe lutje para varrit të baba Hekuranit, ku u vendosën kurora me lule. Më pas në mesditë. Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Baba, Edmond Brahimaj bëri ritualin e përshpirtjes për të 40-at e baba Hekuranit, në sallën e madhe të pritjes së teqesë.
Në përshëndetjen e Tij, ndër të tjera, Kryegjyshi Botëror tha: “Në emër të Zotit , Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Të nderuar vëllezër të mijë klerikë baballarë dhe dervishë!
Të nderuar myhybë të baba Hekuranit, Të nderuar vëllezër dhe motra, besimtarë dhe dashamirës të vëllait tonë baba Hekuranit! Jemi të nderuar që sot, na bashkoheni shpirtërisht dhe fizikisht për të përkujtuar të 40-at e klerikut Baba Hekuran Nikollari. Ky përkujtim na sjell përpara syve dhe zemrës sonë një njeri sa të thjeshtë aq dhe madhështor dhe shumë të dashur për të gjithë ne, që do përkujtohet në breza nga Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane si një administrator klerik i denjë i teqeve të zonës së Përmetit , e mbi të gjitha si një klerik me titullin e merituar Baba, sepse e deshi udhën e bektashizmit, sakrifikoi jetën për të, sepse la pas shumë besimtarë e përkrahës së rrugës së tij të denjë që do ta kujtojnë gjithë jetën. Vepra e tij është e pavdekshme, ajo do të jetojë, të gjithë ne si administrator dhe shërbyes në emër të Zotit, në këtë udhë të shenjtë të tarikatit bektashi, të gjithë ju besimtarë, që e doni e do ta doni në breza Baba Hekuranin, do ta ruajmë e do ta çojmë përpara këtë vepër që shënjoi historinë e tarikatit tonë bektashi.
Të flasësh për baba Hekuranin të vjen ndër mend, dashuria, sakrifica, vetëmohimi, dashamirësia që ai pati në ndërveprim me të gjithë ne, për të na bërë të kuptojmë se kjo jetë materiale është e përkohshme, por kjo udhë mistike është e përjetshme, dhe vepra e tij që la pas e tregoi më së miri. Ju të gjithë keni qenë dëshmitarë të bujarisë së tij, përkushtimit dhe këmbënguljes që çdo vepër, çdo gur që do hidhej për ndërtim , e çdo hap që do ndërmerrte do e kryente me vetëmohim e do ta çonte deri në fund , por gjithmonë në udhën e së vërtetës.
Të Zotit jemi , dhe tek ai do të kthehemi të gjithë, por veprat dhe të mirat në jetë ngelen.
Lutemi që shpirti i tij të prehet në Parajsë dhe të pushojë i qetë! Angazhohemi që veprën e tij ta çojmë përpara , duke u bërë të gjithë së bashku e duke e ndriçuar këtë udhë ashtu siç i ka hije! Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin!”
Nga kryetari i Vatra Pan Amerikë, Elmi Berisha, u dha në këtë ditë dhe një certefikatë mirënjohje (pas vdekjes), për baba Hekuranin me motivacionin, “Për kontributin e spikatur në ringritjen e Tarikatit Bektashian në trevën e Përmetit, në çështjen kombëtare shqiptare duke qenë kurdoherë një promotor i fuqishëm i vlerave të larta të kombit shqiptar”.
Pjesë e riteve të kësaj dite ishte dhe paraqitja e projektit të ndërtimit të teqesë së baba Xhaferit në qytetin e Përmetit, prezantuar nga arkitektja Olta Harshova.

Përgatiti:
Xh. CULLHAJ