Ritet e 40 ditëve të ndarjes nga jeta të baba Mumin Lama, mblodhën në teqenë e njohur të Gjakovës të enjten më 11 mars 2021, klerikë e besimtarë të shumtë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, nga Selia e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe nga gjyshata e grupe besimtarësh bektashianë, nga vende të ndryshme evropiane e më gjërë. Ndodheshin gjithashtu dhe drejtues e përfaqësues të institucioneve vendore, përfaqësues të besimeve të tjerë fetare e dashamirës së klerikut të ndarë nga jeta. Ritet e kësaj dite u drejtuan nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësa e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
“Vëllai jonë, baba Mumin Lama, Kryetari i Komunitetit Bektashian të Republikës së Kosovës, e la botën materiale për t’u bashkuar me shpirtrat e pastër, duke lënë pas shembullin e devotshmërisë, përkushtimit në udhën e Haxhi Bektash Veliut, kontributin e çmuar fetar e atdhetar të besimit tonë të paqtë. Ju falënderoj dhe bekoj të gjithëve ju që sot, keni ardhur këtu në ritet e përkujtimit të baba Mumin Lamës, duke ju uruar më shumë paqe, mirësi, dashuri, shpresë e besim tek i Madhi Zot! Baba Mumin Lama, iku nga kjo jetë, duke lënë pas një kontribut të tymuar fetar e atdhetar në teqenë e lavdishme të Gjakovës e më gjerë, kontribut i cili do të mbahet gjallë e do të pasurohet nga ne klerikët, vëllezërit e tij, myhibë e besimtar të Gjakovës e mbarë Kosovës…”- pohoi mes të tjerave Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj.
Fjalë zemre shprehen dhe pjesëmarrës të tjerë në zhvillimin e riteve të kësaj dite, sikundër shumë prej tyre, lanë mbresa në librin përkatës të gjyshatës Gjakovë.
…Baba Mumin Lama lindi më 1 qershor të vitit 1949 në Gjakovë, nga një familje e njohur e besimit bektashian. Në vitin 1987, ai pranohet myhib i baba Tajarit. Meqë shfaqi vlera të larta morale, kombëtare e fetare, në vitin 1993, babai Tajari, e gradoi Mumin Lamën ‘Dervish’. Pas kalimit nga jeta i baba Tajarit më 1994, anëtarët e Teqesë së Gjakovës, vendosën që prijësi i zgjedhur të jetë dervish Mumin Lama. Në vitin 1996, bazuar në rregullat e Tarikatit Bektashian, Baba Mumin Lama u emërua postnishin i teqesë së Gjakovës nga Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede baba Reshat Bardhi. Baba Mumini, u vu në krye të teqesë së Gjakovës, në kohëra të vështira për Kosovën. Dekada e 90-të e shekullit të 20-të, u veçua në histori për dhunën e gjithanshme të regjimit serb ndaj popullatës shqiptare; u mbyllën institucionet e shkollat. Por, baba Mumini, duke njohur traditën bektashiane dhe atë të vetë teqesë që drejtonte, u angazhua që këtë tempull fetar ta kthejë në qendër për manifestime fetare-kulturore-artistike e historike, e njëkohësisht e dha teqenë për shkollë, për maturantët e gjimnazit të Gjakovës. Teqeja Bektashiane e Gjakovës, që drejtohej nga baba Mumin Lama, u bë objekt sulmi i ushtrisë së rregullt serbe, e cila e dogji atë më 7 maj 1999. Kështu, u shkatërruan relikte e artefakte me vlera të jashtëzakonshme, u shkrumbua biblioteka që mbante thesare nga e gjithë bota (shumë nga to ishin dorëshkrime perla që nuk kthehen më). Këtë fat, pati edhe tyrbja e baballarëve në Gjakovë. Pas luftës në Kosovë, teqeja u rindërtua më 2007, me ndihmë nga Qeveria e Kosovës, financuar nga shtetet mike të vendit, si dhe nga të ardhurat e vetë teqesë bektashiane të Gjakovës.
Vëllai jonë, baba Mumini, njihej gjithandej për qetësinë që reflektonte, për urtësinë e bujarinë e madhe. Tregonte respektin për çdo qenie njerëzore, ngrihej me konsideratë si për fëmijët ashtu për të moshuarit. Nuk dallonte njerëzit në elemente që diferencojnë, por këto i konsideronte pasuri të esencës së qenies njeri.
Ndarja nga kjo jetë e vëllait tonë baba Mumin Lamaj, është një humbje për të gjithë besimtarët bektashianë kudo ku ndodhen në botë, njëkohësisht dhe një detyrim për të punuar më shumë, bashkë me myhibët, klerikët, besimtarët e dashamirësit, për të çuar më tej misionin fetar e atdhetar të baba Mumin Lamës, në teqenë e njohur të Gjakovës.
Baba Mumini qoftë drita jonë që na udhëzon në shtegun e pastër të Ehli Bejtit!
Ceremonia e përcjelljes nga kjo ejtë e baba Mumin Lamajt u bë më 27 janar 2021.
Përgatitën:
Nuri ÇUNI
Kujtim BORIÇI