Instituti i Bashkëpunimit për Integrimin dhe Zhvillimin në bashkëpunim me komunitetet fetare të vendit tonë, zhvilluan sot në ambientet e “Muzeut Historik Kombëtar” aktivitetin me titull: “Feja në shoqëri: Modeli Shqiptar”.
Ky eveniment, i cili do të vijojë me aktivitete të tjera ndërmjet komuniteteve fetare në dy ditët e ardhshme, synon të promovojë dhe kultivojë një vlerë të shquar dhe të dallueshme të shoqërisë shqiptare, bashkëjetesën në diversitetin e bashkësive fetare shqiptare në harmoni, paqe dhe integritet.
Në takimin e sotëm ishin të pranishëm përfaqësuesit më të lartë të komuniteteve fetare të vendit, si Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastas Janullatos, Kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Arqipeshkvi i Tiranë - Durrës, Mons. George Frendo, përfaqësues i Kryegjyshatës Bektashiane, Kryetari i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, Pastor Ylli Doçi, sekretari i përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar Dr. Genti Kruja, Nunci Apostolik në Tiranë Charles John Brown, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar Dr. Dorian Koçi, dekani i Fakultetit të Shkencave Humane nga Universiteti Bedër Prof. Asoc. Rahim Ombashi, nënkryetari i Bashkisë Tiranë, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve të ndryshme.
Aktiviteti u hap me recitimin e Mjeshtrit të Madh Mirush Kabashi, duke vijuar me fjalët përshëndetëse të organizatorëve, Drejtorit Ekzekutiv të ICID Albania, Prof. Assoc. Reis Mulita, si dhe me referimin e krerëve të komuniteteve fetare. Aktiviteti u përshëndet gjithashtu dhe nga Kryetarja e Komitetit Shtetëror për Kultet znj. Loreta Aliko, drejtori i AQSH-së z. Ardit Bido, si dhe përfaqësues të tjerë nga institucione të ndryshme publike, si Bashkia Tiranë dhe ajo Kurbin.
Aktiviteti vazhdoi më tej me referimin e krerëve të lartpërmendur të cilët prekën dhe njëherë asetin më të çmuar të vendit tonë, harmoninë ndërfetare, si një model për t’ia përcjell të gatshëm botës, e parë kjo në këndvështrimet përkatëse të pesë përfaqësueseve të komuniteteve të ndryshme fetare.
Në fund të aktivitetit pjesëmarrësit vizituan në ambientet e Muzeut Kombëtar ekspozitën e besimeve dhe vlerave ndërfetare të Shqipërisë ndër vite, ku të gjithë komunitetet fetare kishin standin e tyre, ku ekspozoheshin sende me vlerë historike, ruajtur me kujdes gjatë periudhës së komunizmit, si dhe fotografi ofruar nga Arkivi Qendror i Shtetit lidhur me bashkëjetesën ndërfetare ndër vite në Shqipëri.