ZHVILLOHET AKTIVITETI I 95-VJETORIT TË VENDOSJES SË KRYEGJYSHATËS BOTËRORE NË SHQIPËRI

Në një aktivitet të veçantë u përkujtua sot, 25 janar 2025, 95-vjetori i vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri.
Ceremonia nisi me një minutë heshtje për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos, i cili humbi jetën sot në Athinë. Në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit, në Pallatin e Kulturës në Tiranë, morën  pjesë edhe Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama; Kryetari i Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj; klerikë bektashianë e besimeve të tjerë fetarë, krerë të lartë shtetëror të vendit, besimtarë e dashamirës të shumtë.
Ky përvjetor i shënuar, përkon me një ndërmarrje tejet të rëndësishëm për një status më të plotë zyrtar të këtij besimi të plotë, me shtrirje numerike e gjeografik, pothuaj në gjithë botën.

Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror, Dede Edmond Brahimaj.
Të nderuar miq,
të dashur vëllezër,
Ju falënderoj që na keni nderuar në këtë ceremoni përkujtimore të 95-vjetorit të njohjes juridike të vendosjes së Urdhrit Bektashian në Shqipëri nga ana e shtetit shqiptar.
Ngjarja historike për komunitetin tonë e 95 viteve më parë ka shënuar njërën nga arritjet më të rëndësishme të reformës së kulteve, të iniciuar në Shqipëri nga Qeveria mbretërore në vitin 1929, vit kur në Shqipëri u kryen tri kongrese të komuniteteve fetare:
Kongresi II Pan-ortodoks Shqiptar, i mbajtur në muajin qershor në Korçë;
Kongresi i Komunitetit Mysliman “sunit”, i mbajtur në muajin korrik në Tiranë;
Dhe:
Kongresi III i Bektashinjve, i mbajtur në muajin shtator në teqenë e Turanit në Korçë, i cili vinte pas Kongresit të parë, të mbajtur më 1921 në teqenë e Prishtës (Skrapar), dhe Kongresit të dytë, të mbajtur më 1924 në teqenë Hajdarie (Gjirokastër). Në Kongresin e tretë u krye reformimi i Urdhrit Bektashian, duke u shpallur mëvetësia e tij si besim më vete, u miratua Statuti i komunitetit, si dhe u mor vendimi për vendosjen e Qendrës së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Shqipëri.
Në mesin e shkurtit të vitit 1930, Kryegjyshi Botëror i kohës, Sali Njazi Dede, erdhi në Shqipëri dhe u prit me një ceremoni madhështore në Korçë. Me ardhjen e tij, po atë vit, vendimet e Kongresit tonë të tretë dhe Statuti i miratuar aty u njohën nga Qeveria mbretërore e Shqipërisë. Duke respektuar vullnetin e klerikëve bektashinj,në mars të atij viti (1930) Qeveria mbretërore me dekret të veçantë e emëroi Sali Njazi Dedenë“ Kryegjysh Botëror të Bektashinjve”, në gusht të po atij viti caktoi qendrën e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në teqenë e Turanit(Korçë), ndërsa një vit më pas, me Vendimin nr. 659 të datës 02.08.1930, vendosjen në Tiranë të Selisë së Shenjtë Botërore të Urdhrit Bektashian.
Bën përshtypje përcjellja pozitive që u është bërë këtyre ngjarjeve historike në shtypin e asaj kohe, duke filluar nga artikulli redaksional i Gazetës së Korçës “Bektashinjtë një element i dobishëm për Shqipërinë”, dhe me radhë. Me vlerësime shkruan në atë kohë për reformën e bektashizmës në Shqipëri emra autoritarë të elitës intelektuale të kohës, si Mid’hat Frashëri, Dhimitër Falo, Ibrahim Themo e të tjerë. Ngjarjet në fjalë i tërhoqën vëmendjen edhe albanologut gjerman, studiuesit të historisë Franz Babinger. Pikërisht në atë kohë z. Babinger vizitoi bektashinjtë e Krujës, “një qytet mysliman pa xhamira”, siç e ka njoftuar, qëndroi në teqenë e Krujës, bëri të njohur me dervishët, përshkroi “sektin e bektashive” dhe zakonet e tyre duke u kujdesur t’i vishte ato, si shumë nga studiuesit e huaj, edhe me njëfarë “misteri”.
Një përcjellje e tillë pozitive e reformës së bektashizmës, 95 vite më parë, është dëshmi se vendosja e Qendrës së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Shqipëri, nuk ishte një akt juridik aksidental, as artificial. Shoqëria shqiptare e njihte mirë bektashizmën, ia kishte sprovuar asaj vlerat. Veç rrethanave historike, shqiptarët i kishte gatitur për në rrugën e bektashizmës Naimi me Mësimet e tij, që vlejnë për të gjitha moshat: nga fëmijët deri tek elitat. Me veprën “Mësimet e Bektashinjet” ai ua kishte përshkruar shqiptarëve besimin e bektashinjve si një udhë të gjerë, në të cilën bën dritë urtësia, vëllazëria, miqësia, dashuria, njerëzia dhe gjithë mirësitë. Më njërën anë, sipas Naimit, kjo rrugë ka lulet e diturisë, më anën tjetër ka lulet e së vërtetës. Pa dituri e pa të vërtetë, dhe sidomos pa vëllazëri, mësonte ai, nuk mund të bëhet njeriu bektashi i vërtetë. Ne as sot nuk do të mundnim t’i formulonim më mirë e më bukur se Naimi ynë – Naimi i të gjithëve neve– këto parime të besimit tonë.
Për këtë arsye, do të më lejoni që në këtë përshëndetje të kësaj ceremonie përkujtimore, të mos zgjatem me parashtrime më të stërholluara mbi besimin tonë, për të cilin kanë shkruar dhe folur njohës të tij të denjë për besim. Eqrem bej Vlora dhe Mehdi Frashëri, të përmendur për studimet e tyre mbi traditën bektashiane, qenë burra që u takuan nga afër me bektashizmën, të cilën e kuptuan dhe e trajtuan drejt, pa e veshur me “mistere”(në thonjëza). E përsërisim ndër thonjëza fjalën “mistere” sepse, sidomos në studime të të huajve mbi Urdhrin tonë, ndodh të flitet edhe për “mistere” të tilla. Në kuvendimet me të huaj, ne përsërisim shpesh që besimi bektashian, si të gjitha besimet monoteiste, si dhe vetë islami në përgjithësi, sigurisht, që ka edhe mistikën e vet. U rekomandojmë, për shembull, të lexojnë një vepër madhore, trashëgim nga njëri prej mësuesve tanë me emër të nderuar, Baba Rexhebit, me titull “Mistiçizma islame dhe bektashizma”, tanimë edhe në botimin anglisht. Po kështu, edhe prej veprës “Bektashinjtë shqiptarë” të albanologut Robert Elsie, mik i ndjerë i komunitetit tonë,– vepër që edhe z. Kryeministër e ka rekomanduar, – lexuesit mund të pasurohen me informacione të vyera.
Për ç’i takon historisë së bektashizmës, dhe veçanërisht të Urdhrit Bektashian në Shqipëri, kam bindjen që ne në kohën tonë kemi ndjekur rrugën e duhur: duke ftuar për të folur në veprimtaritë tona shkencore, por edhe në ato përkujtimore si kjo, historianët. Kështu po veprojmë edhe sot, dhe ne u falemi nderit historianëve që na kanë nderuar për të folur këtu. Historia është shkencë dhe fjala e historianëve është fjalë e shkencës. Kur besimi ynë pajton me fjalën e shkencës, është rast fatlum i dhënë prej Zotit. Por, edhe kur fjala e shkencës mund të mos pajtojë me besimin tonë, ne duhet të mësohemi ta respektojmë autonominë e shkencave.
E vetmja “ndërhyrje historike”, po e quajmë kështu, që duam të bëjmë në këtë përshëndetje është një përkujtim, të cilin e ndjejmë detyrë në ceremoni si kjo, i kontributit atdhetar të bektashinjve shqiptarë. Në të gjitha rrethanat e vështira – për të mos thënë të mbrapshta – të Shqipërisë sonë, bektashinjtë shqiptarë iu vunë Shqipërisë në shërbim, deri duke luftuar e duke u flijuar për të: që nga Lëvizja e Rilindjes kombëtare me Abdyl Frashërin dhe vëllezërit e tij me emra të mëdhenj, deri te Pavarësia e Shqipërisë me Ismail Qemalin dhe të tjera figura historike që nënshkruan me emrat e tyre aktin e shpalljes së Pavarësisë.
Ata vazhduan kontributin e tyre dhe pas shpalljes së Pavarësisë, e cila vazhdoi edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore deri në çlirimin e vendit, duke mos u ndalur deri në momentin e ndalimit të fesë në vend.
Me shumë rëndësi është të përkujtojmë sot Dedelerët që kanë udhëhequr Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në Shqipëri, që me ardhjen për herë të parë të Sali Njazi Dede Kryegjysh me shtetësi Shqiptare i cili hapi Qëndrën Botërore dhe bëri organizmin e bektashinjve, duke ruajtur marrëdhëniet me të gjithë botën, ra dëshmor i atdheut me 28.11.1941 , duke mos pranuar pushtimin e Shqiperise nga Italia. Pas vrasjes se tij , ne krye të bektashizmit u zgjodh Ali Riza Dede , fill pas tij, Xhaferr Sadik Dede, Dede Kamber Prishta , i cili u persekutua dhe internua deri ne kalimin nga jeta në burg në komunizem, mandej Abaz Ilmi Dede, i cili kaloi nga jeta për të ruajtur dritën e bektashizmit të papërlyer. Dede Ahmet Myftari , në një kohë shumë të vështire të diktaturës arriti të mbaj ndezur dritën e besimit bektashian. Edhe pse të persekutuar dhe internuar ne fshatrat e Mallakastres , deri ne 1980 me kalimin e tij nga jeta i la dekretin e Shenjte Dede Reshat Bardhit , i cili me shume mundime i rezistoi sistemit komunist dhe arriti te ringrejë nga hiçi Kryegjyshaten dhe te gjitha teqet e tyrbet anë e mbanë Shqipërisë.
Pikërisht për figura me kontribute të tilla, që këtu i përmenda vetëm kalimthi, na ka qëlluar që vizitorë të brezit të ri në Selinë tonë të Shenjtë të bëjnë pyetjen: “Ishin atdhetarë sepse ishin bektashinj? Apo ishin bektashinj sepse ishin atdhetarë? ”
Është një pyetje që, me shumë gjasë, bëhet edhe për figura atdhetarësh me kontribute të dalluara atdhetarie të komuniteteve të tjera fetare në Shqipëri. Vizitorëve tanë, që mund t’u përkasin besimeve të ndryshme, ne ua shpjegojmë këtë mrekulli të Zotit me njërin nga mësimet e Naimit:
“[Bektashitë] duanë si shpirtin e tyre dhe të tjerëtë myslimanë e të krishterë dhe shkojnë mir’ e bukurë me gjithë njerëzinë. Po më shumë duan mëmëdhenë edhe mëmëdhetarëtë, dhe kjo është më e mirë nga gjithë të miratë”.
Të nderuar miq,
të dashur vëllezër,
Ne e përkujtojmë këtë përvjetor të shenjtë nën dy shenja të mbara të fillimit të këtij viti. Nga njëra anë, takimi ynë historik me Shenjtërinë e Tij, papën Françesk, në një kuvendim vëllazëror që pati për kryefjalë paqen dhe harmoninë mes besimeve. Nga ana tjetër, përurimi i fillimit të detyrës nga presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Donald Trump, në fjalimin përurues të të cilit paqja dhe harmonia midis popujve të botës qenë gjithashtu fjalë kryesore. Për komunitetin tonë bektashian, kryefjalë të tilla, ne i konsiderojmë mesazhe të shenjta, të dërguara nga Zoti.
Ne shpresojmë që një vit i filluar nën këto shenja të jetë edhe vit i përmbushjes, i plotësimit të një domosdoje të hershme të Komunitetit tonë: stabilizimit të statusit juridik ndërkombëtar të Urdhrit Bektashian dhe Kryegjyshatës Botërore të tij. Ne i shprehim mirënjohjen tonë qeverisë shqiptare dhe personalisht kreut të saj,z. Edi Rama, që është treguar i vëmendshëm e i ndjeshëm ndaj kësaj domosdoje, duke ofruar mundësi për një zgjidhje sa më të përshtatshme për statusin në fjalë. Stabilizimi i mundshëm i një statusi juridik ndërkombëtar të Urdhrit Bektashian dhe të Kryegjyshatës Botërore të tij , do të kuptohej prej nesh jo vetëm si një dëshmi më shumë mirëkuptimi nga ana e shtetit shqiptar ndaj komunitetit tonë, por edhe si një faktor i ri për forcimin e mirëkuptimit e të harmonisë mes komunitetit tonë dhe komuniteteve të tjera fetare në Shqipëri e në botë. Madje, për forcimin e mirëkuptimit e të harmonisë, edhe me një tjetër komunitet, të cilin ndodh ta harrojmë, atë të jobesimtarëve, komunitet të cilin ne gjithashtu e respektojmë, sikundër presim edhe prej tij respekt të ndërsjellë.
Zoti na bekoftë të gjithëve!
Amin!

Përshëndetja e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama.
Të nderuar miq, më lejoni në fillimisht që t’i bashkohem dhe unë shprehjes së keqardhjes për ndarjen nga jeta të kryepeshkopit Janullatos dhe duke uruar që të prehet në paqe u përcjell ngushëllimet e mia të gjithë bashkëpunëtorëve të tij dhe anëtarëve të komunitetit të besimtarëve ortodoksë.
Fort i nderuar, kryegjyshi botëror i bektashinjve, të nderuar klerikë të pranishëm, për mua është një privilegj që të marr fjalën në këtë përvjetor jubilar të krijimit të qendrës botërore të bektashinjve në Shqipëri dhe të përcjell qoftë shprehjen e admirimit për rolin e bektashinjve shqiptarë në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe përpjekjen shqiptare për pavarësi, qoftë edhe shprehjen e solidaritetit për vështirësitë gjithnjë e më të mëdha unikale në llojin e tyre, me të cilat përballen në ditët tona ata që sot e gjithë ditën mbajnë ndezur flakën e këtij besimi.
E mora këtu me vete sot këtë libër posaçërisht voluminoz të një studiuesi të mirënjohur, i huaj por i dashuruar me Shqipërinë dhe me shqiptarët, Robert Elsie i cili edhe varrin kërkoi ta kishte në Shqipëri dhe u sugjeroj t’i hedhin një sy të gjithë ata që do të duan të shprehen për idenë e dhënies së një statusi sovraniteti selisë së Kryegjyshatës botërore të bektashinjve, sepse këtu në këtë përmbledhje shumë të detajuar të kësaj historie shqiptare, do të gjejnë të gjitha arsyet e shëndetshme për pse-në e kësaj ideje dhe çdo shqiptar, pavarësisht në beson në Zot apo nuk beson në Zot, pavarësisht nëse është mysliman, i krishterë apo bektashi po e po. Nëse është sadopak patriot, do ta ketë të pamundur të mos mallëngjehet nga historia e jashtëzakonshme e përpjekjeve, dhembjeve, sakrificave për mëmëdheun që e bëjnë bektashizmin një pasuri të paçmueshme të trashëgimisë sonë historike dhe kulturore.
Bektashizmi është një monument i gjallë kulture që duhet të mbrohet medoemos nga shteti dhe nga populli shqiptar dhe këto mund t’i them pa gajlen më të vogël sepse në këtë rast shyqyr Zotit nuk jam bektashi dhe nuk mund të më akuzojë njeri që po bëj diçka në favor të një pale. Bektashinjtë nuk janë palë. Rruga e mundimshme e bektashinjve shqiptarë është një rrugë unikale, mistike, tolerance dhe uniteti e cila mishërohet në fjalët e poetit tonë kombëtar Naim Frashëri. “Nuk vetëm në mes tyre po edhe me gjithë njerëzinë, bektashinjtë janë vëllezër në shpirt, duan si shpirtin e tyre dhe të tjerët myslimanë e të krishterë dhe shkojnë mirë e bukur me të gjithë njerëzinë, po më shumë duan mëmëdhenë dhe mëmëdhetarët që kjo është më e mira nga të gjitha të mirat’’.
Dhe për Naimin bektashizmi është një vlerë e posaçme kombëtare se nuk sheh dallim midis myslimanit dhe të krishterit, sepse të gjithë janë një në sytë e Zotit. Bektashizmi është një traditë shpirtërore që e ka ndikuar thellë pëlhurën kulturore, fetare dhe shoqërore të Ballkanit, të Anadollit po e po, por edhe më gjerë, por mbi të gjitha ai ka ndikuar pa zëvendësueshmërisht në mbrojtjen e identitetit tonë kombëtar, në mësimin e gjuhës shqipe dhe në themelet e rezistencës për pavarësi kombëtare të shqiptarëve, natyrisht jo në mënyrë ekskluzive por krah për krah me komunitetin mysliman dhe krah për krah edhe me përfaqësues legjendarë të komunitetit ortodoks apo të atij katolik.
Me rrënjët në tokën shumë pjellore të misticizmit islam bektashizmi nuk është thjeshtë një komunitet, një sekt fetar por është një dritë udhëzuese që shkon përtej kufijve të besimit duke ofruar një mesazh të pa epur dashurie, dhembshurie dhe largpamësie dhe çka e bën unikal në llojin e vet është se brenda këtij mesazhi në mënyrë të pa ekuivok tek largpamësia bektashizmi ka dhe atdhedashurinë.
Frymën e parë bektashianët e morën në shekullin e XIII, shumë larg Shqipërisë përmes themeluesit të tyre Haxhi Bektash Veliut, një mistik dhe një filozof mësimet e së cilit nënvizonin përmasat e brendshme të besimit. Por ama sot e gjithë ditën qasja e bektashizmit ndaj hyjnores dhe humanes mbetet një çelës i sigurt komunikimi me krijuesin dhe me veten, përmes një porte që është e gjerë dhe siç ishin teqetë qysh në krye të herës, është e hapur për të gjithë, bektashinj ose jo. Besimtar, ose jo. Ku zemra vlen mbi dogmën, shpirti vlen mbi ritualet dhe uniteti vlen mbi ndarjen.
Bektashizmi nuk erdhi në Shqipëri me ushtarë. Nuk erdhi të futet mes shqiptarëve me forcën e shpatës. Bektashizmi erdhi me zemër, me dashuri, me një mesazh që është rrëqethës për nga thjeshtësia e vet. Zoti nuk është në xhami, Zoti nuk është në kishë, Zoti nuk është në teqe, Zoti është në zemër. Kështu në shekullin XV e XVI bektashinjtë u vendosën dhe në trojet tona duke na sjellë jo vetëm një besim të ri në këto anë, por një mënyre të re jetese dhe në këtë libër është e jashtëzakonshme të shohësh sesi teqet ishin si shtëpi të hapura për të gjithë, ku mysliman, krishterë, apo ata që nuk besonin në asgjë takoheshin dhe ishin të gjithë barabartësisht të mirëpritur dhe ku për vet bektashinjtë nuk kishte asnjë trajtim të veçantë, ndryshe nga të tjerët.
Dhe pastaj kur nisi të agojë drita e rilindjes sonë kombëtare teqetë u bënë shkollat shqipe. Nëse sot ne flasim shqip dhe nëse sot alfabeti ynë është latin, nuk është grek, nuk është skllav, por është latin, kjo i detyrohet ndër të tjera dhe të tjerëve në mënyrë shumë të posaçme teqeve ku baballarët krijuan një rrjet të tërë të përcjelljes së alfabetit dhe të mësimit të shkrimit dhe të këndimit në gjuhën shqipe dhe ku u farkëtua një pjesë e mirë e shpirtit tonë kombëtar i cili u bë pastaj bartësi i idesë dhe i forcës për shpalljen e pavarësisë.
Dhe mos e harrojmë dhe të mos e harrojë askush kur flasin pa ditur se çfarë flasin që Shqipëria është jo vetëm i vetmi vend në botë ku bektashinjtë njihen zyrtarisht falë përpjekjeve të kohëve të fundit të Baba Mondit, ka njohje në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut ndër shqiptarët, por Shqipëria është vendi i përcaktuar prej tyre dhe e përsëris kush flet duhet t’i marrë disa informacione nga historia. Ka një arsye në histori pse ata erdhën këtu dhe ka një arsye në histori pse këtu u bë trualli i mbijetesës së një komuniteti fetar që përndryshe do ishte zhdukur dhe ky nuk është thjeshtë një fakt historik, ky mund të jetë një fakt historik për autorin e librit. Ky mund të jetë një fakt historik për gjithë ata që merren me fetë dhe fenë në gjithë botën. Për shqiptarët ky është një testament kombëtar. Është testamenti i një fuqie që nuk vjen nga ndarjet për shkak se ne jemi të ndryshëm, por vjen nga uniteti i të ndryshmëve për shkak se ne jemi njëlloj, shqiptarë.
Roberti Elsie në këtë libër të jashtëzakonshëm e përshkruan bektashizmin si thesar shpirtëror të shqiptarëve dhe ashtu është. Është një thesar shpirtëror jo vetëm për bektashinjtë, është një thesar shpirtëror edhe për myslimanët, edhe për katolikët, edhe për ortodoksët, edhe për protestantët, edhe për çdokënd tjetër pavarësisht se s’beson fare në Zot por që i thotë vetes shqiptar.
Të gjithë të tjerët janë me shumë vëllezër dhe me shumë motra nga një cep i globit në një cep tjetër. Bektashinjtë janë vetëm dhe nëse erdhën këtu 95 vjet më parë si jetimë të një perandorie që iu tregoi derë, bektashizmi këtu nuk mund të vdesë si një jetim që shqiptarët t’i tregojnë rrugën sepse do të ishte vrasja me duart tona, të të gjithëve ne të një vlere shpirtërore që siç është brenda nesh sot duhet t’i përcillet brezave jo vetëm në emër të një komuniteti fetar e përsëris, por ne emër të një historie shqiptare dhe Robert Elsie thotë: bektashizmi është një fenomen unik që i kanë ndihmuar shqiptarët të ruajnë identitetin e tyre në një botë të ndarë dhe kjo është mëse e vërtetë. Dhe të shumtë janë studiuesit dhe në mënyrë të përmbledhur mendimet e tyre janë këtu, që theksojnë që roli i bektashizmit është roli i gardianit të kulturës dhe gjuhës sonë në histori.
Ndërsa Ismail Kadare e ka qarë. Ismail Kadare nuk ishte një besimtar bektashi. Bektashizmi, shkruan ai, ka qenë ura mes tokës dhe qiellit për shqiptarët. Ai ka qenë vendi ku identiteti ynë kombëtar ka mbijetuar përmes filozofisë së dashurisë dhe të bashkimit. Këto dhe miliona fjalë të tjera të mbledhura me respekt dhe dashuri të madhe për bektashinjtë shqiptar nga Robert Elsie nuk janë poezi, nuk janë letërsi, nuk janë as thjeshtë histori, janë thirrje. Janë thirrje për ta shpëtuar këtë thesar të gjallë që kërcënohet nga zhdukja.
Ne sot jemi këtu në 95- vjetorin e Kryegjyshatës Botërore. Numërojini baballarët e teqeve sesa janë. Pse janë kaq pak? Dhe pyetja nuk është pse janë kaq pak sot, pyetja është me çfarë verbërie, me çfarë pashpirtësie ne do të qëndrojmë duarkryq dëshmitarë këtu në 10 vjetorin të jenë më pak, në 105 vjetorin të kenë mbetur fare pak dhe në 110 vjetorin të jenë histori e së shkuarës dhe ai Odeoni atje të kthehet në një muze të një komuniteti që “Na ishte seç na ishte, kur ishte por nuk është më”. Mund t’ia lejojmë ne vetes këtë?
Prandaj kjo është thirrje, gjithë kjo histori flas jo fjala ime, thirrje për të mos ta lënë bektashizmin të shkrihet dhe të shuhet sepse e përsëris, nuk shkrihet dhe nuk shuhet kurrë komuniteti musliman; është shumë i fortë, është shumë i madh dhe është pjesë e një bashkësie 1,5miliardë në mos gabohem. Pra, mjafton të shohësh kush dhe si i ndërton xhamitë, mjafton të shohësh këtë.
Komunitete të tjera bujare nga gjithë kjo botë muslimane, donatorë zemërgjerë etj. Nuk ka nevojë komuniteti musliman të mendojë se nesër mund të jetë inekzistent. Natyrisht ka plot sfida. Nuk shuhet kurrë komuniteti katolik, as ai ortodoks ndërkohë që ky komunitet është në rrugën e shuarjes miqtë e mi, nuk është parashikim, kjo është diçka që po ndodh para syve tanë.
Prandaj, historia e bektashinjve është në vetvete thirrja imponuese për t’i dhënë selisë së Kryegjyshatës Botërore, përmes një statusi të ngjashëm me atë të Vatikanit, fuqinë e një embleme e cila nuk do të përçajë askënd, e cila nuk do të kërcënojë askënd, e cila nuk do të vërë në diskutim sovranitetin territorial, integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, se çfarë nuk dëgjon njeriu nga shqipet dhe shqipot kur i shkon mendja të bëjnë ndonjë gjë të re apo të bëjnë ndonjë punë që të tjerët nuk e kanë bërë. Jo.
Shqipëria është shtet unitar, do të thotë nuk është shtet federal. Edhe Italia është shtet unitar, nuk është shtet federal por i ka nja 3 realitete brenda saj me statuse të tilla. Ashtu sikundër, komunitetet e tjera fetare jo vetëm nuk kanë asnjë arsye të shqetësohen nga ky trajtim i veçantë sepse ky nuk është trajtim i veçantë i një komuniteti fetar në vetvete. Ky është trajtimi i merituar i një komuniteti që e ka qendrën botërore në Shqipëri. Të tjerët do ta kishin shpikur edhe po të mos ta kishin, ne e kemi dhe jemi gati që ta lëmë të vdesë. Një emblemë e tillë i jep Shqipërisë edhe më shumë dritë, dritë të vëmendjes dhe të respektit si shembull i asaj harmonie aq shumë të bekuar dhe aq shumë të kërkuar sot në mbarë botën të cilën Papa Francesku, kur erdhi këtu dhe e pa me sytë e tij, e pagëzoi si shembullin e një vëllazërie fetare për mbarë botën.
E pra, nëse ne jemi një shembull i një vëllazërie fetare për mbarë botën, a ka gjë më të mirëseardhur për të gjitha komunitetet fetare sesa bektashinjtë të kenë këtë emblemë që do të thithë këtu shumë më tepër njerëz nga mbarë bota dhe kur të vijnë do shohin sesi jetojnë së bashku në harmoni kishat dhe xhamitë.
“Mos shiko fenë e tjetrit, shiko zemrën e tij” na këshillon profeti Muhammed, paqja e Zotit qoftë mbi të dhe në këto fjalë të një thjeshtësie madhështore qëndron thelbi, është thelbi i kësaj dite këtu, është thelbi i gjithë atyre që dolën këtu dhe folën që i shtyu këtu të flasin dhe pavarësisht se të gjitha këto fjalë që ne flasim këtu si të ftuar janë fjalë protokollare sipas pozicioneve nuk është aspak e vështirë që të ndjesh në tonin e të gjithë klerikëve të tjerë një respekt të veçantë. Pse?
Nuk është respekti i klerikut ndaj klerikut por është respekti i shqiptarëve ndaj shqiptarëve, për shqiptarët. Nuk kemi çfarë të diskutojmë fare sepse të gjithë klerikët e tjerë, e thashë, përfaqësues legjendarë të komuniteteve të tjera në të gjitha përpjekjet për gjuhën shqipe, për pavarësinë e Shqipërisë e me radhë ishin atje si shqiptarë ndërsa bektashinjtë edhe si bektashinj.
Duke sjellë fjalët e profetit, paqja e Zotit qoftë mbi të unë besoj se pikërisht “Mos shiko fenë e tjetrit, shiko zemrën e tij” është dhe deviza me të cilën Shqiptaria dhe Shqipëria duhet ta mbrojnë dhe ta forcojnë vetveten në kushtet e një bote ku dalja mendsh po bëhet sëmundje kronike në grup e këtij shekulli.
Luajnë mendsh grupe, luajnë mend tufa njerëzish, luajnë mendsh shtete por ne nuk kemi luksin të luajmë mendsh se jemi dhe shumë pak dhe ashtu si dikur, në agimin e rilindjes kombëtare, teqetë nuk ishin, e thashë, entitete ekskluzive të një komuniteti fetar por ishin qendërza lokale të dialogut, të harmonisë, të vëllazërisë mes atyre shqiptarëve që gjendeshin rreth e rrotull atje pavarësisht besimeve, ashtu Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve mund të transformohet në një realitet shqiptar ndërkombëtarisht tërheqës ku njerëzit e çdo feje dhe kombësie, ndër plot nga ata që vijnë dhe do vijnë gjithmonë e më shumë në Shqipëri të mund të hyjnë në portën e hapur të një shteti simbolik, pa mure, pa polici, pa ushtri, pa taksa apo atribute të tjera por një seli, një shtet shpirtëror që e pret çdo vizitor me devizën “Ne nuk jemi këtu për të ndarë, ne jemi këtu për të bashkuar” dhe natyrisht, kjo patjetër që do t’i japë edhe këtij komuniteti mundësinë të mbijetojë sepse patjetër që do t’i shtohen ndjekësit, patjetër që do t’i shtohen simpatizantët, patjetër do të gjendjen njerëzit, grupet, entet që nuk do t’i lënë pa pasardhës këta baballarë këtu, nuk do t’i lënë pa frymë bektashizmi teqetë, nuk do t’i lënë zona të tëra të Shqipërisë të shikoni hartën këtu sesi kanë qenë të shpërndara dhe sesi janë sakatuar nga lloj lloj duarsh dhe jo vetëm nga komunistët që të jemi të qartë dhe jo vetëm nga brenda por dhe nga jashtë. Është një borxh që ne mund ta njohim dhe duhet ta njohim them unë si shqiptar ose mund ta injorojmë dhe po si shqipo t’i bëjmë vetes dhe një të keqe tjetër dhe të regjistrohemi në listën e shqipove që i kanë bërë shumë të këqija këtij vendi. Unë për veten mund të mos jem i zoti të bëj të gjithë ato të mira që duan shqiptarët por emrin tim në listën e atyre që i kanë bërë keq këtij vendi, nuk e fus.
Zoti nuk të pyet çfarë je, Zoti të pyet kush je. Dhe këto janë fjalët e kryegjyshit të admirueshëm Baba Reshatit, i ndrittë shpirti aty ku është.
Unë kam pasur privilegjin ta njoh personalisht. Një njeri i madh sa thjeshtësia e tij. Dhe mund ta them këtu sot se nuk më ka rënë ndonjëherë rasti të shprehem për të, Baba Reshati nuk ishte thjeshtë një udhëheqës fetar. Unë kam pasur biseda me të. I mbaj mend si sot. Ai ishte mëshirim i humanizmit të bektashizmit, një kryegjysh që jo vetëm fliste për dogmën e bektashizmit me bektashinj jo me mua, apo për fatet e Shqipërisë me të tjerë si puna ime por ato që fliste ai i jetonte dhe ai e jetoi bektashizmin bashke me fatet e Atdheut si të ishin shpirti dhe trupi u tij.
Prandaj të dashur miq do të ishte komplet e pakuptimtë këtu sot që të mos i premtonim njeri tjetrin shpëtimin, mbrojtjen dhe promovimin të gjithë bashkë të kësaj trashëgimie të vyer kulturore kombëtare.
Askush që flet shqip dhe që është shqiptar prej vërteti se ka dhe ca që flasin shqip dhe janë shqiptarë që Allahu na ruajttë ne prej tyre dhe Allahu i bëftë derman mendjes së tyre, po shyqyr lavdi Allahut dhe Zotit janë pak shumë. Askush s’ka pse i trembet idesë e kësaj embleme, të këtij statusi të posaçëm të selisë të kryegjyshatës botërore, përkundrazi gjithkush duhet ta shohë si detyrim, si detyrim për të mos e lënë të vdesë por për t’ia garantuar vazhdimësinë e jetës, frymës së ngjizur në fletoren e bektashinjve të shkruar nga Naim Frashëri dora vet. Të shkruar si një amanet për çdo patriot shqiptar dhe si një udhërrëfyes kuptimplotë për këdo që do të kuptojë pa u munduar fare dhe në këtë rast këtë ua sugjeroj analistëve që përgjithësisht nuk duan të mundohen për të kuptuar dhe ngaqë nuk kuptojnë pa u munduar, flasin pastaj shumëçka që është për t’iu ridrejtuar Allahut me lutjen që të bëjë derman edhe për mendjen e tyre.
Fletoren e bektashinjve, lexohet shpejtë dhe ti thotë të gjitha ato që ke nevojë për të mos u ngatërruar dhe për të mos i vënë shkopinj në rrota një karvani të cilit i ka ardhur koha të ndalet dhe të hapë këtë portë të shpëtimit dhe të prosperitetit krahë për krahë me komunitetet e tjera për komunitetin bektashinj.
Siç thoshte Hashi Bektash Veliu: Rruga jonë është rruga e dashurisë. Në këtë rrugë nuk ka ndarje sepse Zoti është një dhe zemrat tona janë tempulli i tij.
Shumë faleminderit!

Përshëndetja e Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave, z. Ardit Bido. 
Diplomacia fetare që duhet të rikthejmë.
Teksa në vitet ‘30 eksportonim ndikim me kisha shqiptare nga Stambolli në Boston, xhami nga Libani në Melburn, misione katolike nga Roma në Nju Jork e gjyshata bektashiane nga Demoteka në Egjipt, pas viteve ‘90 kaluam në “mbrojtje”, duke ushtruar mbi ne diplomaci fetare e ne jo vetëm nuk ndikuam më jashtë, por riskuam të mos ndikojmë as brenda. Ndaj, 95 vjetori i vendosjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane shkon përtej një komuniteti, një kujtesë e rolit që shteti duhet të luaj.
95 vite më parë, Shqipëria u bë qendra botërore e një bashkësie fetare, prezenca e së cilës në Shqipëri, kishte dhënë një kontribut të veçantë për themelimin e shtetit shqiptarë. Bashkë me përfaqësues të klerit të myslimanëve suni, ortodoksëve, katolikëve dhe protestantëve, klerikët bektashinj kishin kontribuuar gjatë Rilindjes Kombëtare në ringadhënjimin e idesë për një Shqipëri të lirë dhe të pavarur, me figura të rëndësishme që dhanë gjithçka sipas motos së tyre “Për fe dhe për Atdhe”. Kur kjo ide triumfoi disa vite më vonë me vendosjen e qeverisë së vetëorganizuar shqiptare pas Kongresit të Lushnjes, komuniteti bektashi do të ishte sërish i pari ai që do të shpallte shqiptarizimin e plotë të organizimit të vetë përmes Kongresit të Prishtës.
Kongresi i Prishtës përbën një prej momenteve më kyçe nëkonsolidimin e shtetit shqiptar. Ai është fillimi i kombëtarizimittë institucioneve shpirtërore dhe fetare në vend, i njëkohshëmme përpjekjet për të krijuar një shtet të konsoliduar dhe me integritet e sovranitet. Fakti që ndër katër komunitetet fetare tradicionale, bektashinjtë ishin të parët që morën këtë drejtimnuk është rastësor. Fillesat e nacionalizmit shqiptar janëmbifetare, me zëra të fuqishëm nga çdo komunitet, nga zanafillae ortodoksit Naum Veqilharxhi, te Jezuitët e Shkodres, apo te guximi i Vehbi Agolli Dibrës. Bektashinjtë, ama veçonin. Jo thjesht sepse figura të rëndësishme të Rilindjes, nën ndriçimin e Frashërllinjve, qëndronin në ballë të perpjekjes për mëvetësi.Ajo që e veçonte këtë komunitet ishte se ndërkohë që ndërkomunitete të tjera, klerikët atdhetarë ishin në betejë tëvazhdueshme me klerikë që luftonin lëvizjen shqiptare, ndërbektashinj ky debat nuk ekzistonte. Për arsye thellësishtobjektive, klerikët e këtij komuniteti nuk kishin dasi dhe as imponime të huaja, por qëndronin njëzëri pro lëvizjeskombëtare.
Në këtë kontekst, nuk është rastësore ajo që ndodh ne Kongresine Prishtës, ku nis mëvetësimi dhe kombëtarizimi i komunitetevefetare në vend. Ky Kongres nuk ka sjellë thjesht mëvehtësine e bektashinjve shqiptarë nga ata turq, që më vonë do të bëhej edhe kryegjyshata botërore, por mbi të gjitha hapi rrugën e veprimevetë mëtejshme të komuniteteve të tjera, veçanerisht atij musliman suni dhe atij ortodoks, pavarësia e të cilëve nuk ishte thjesht një çështje fetare, por kishte një dimension të padiskutueshëmkombëtar e shtetëror.
Prandaj, përndjekja që nisi në Turqi ndaj tarikateve dhe që preku edhe tarikatin bektashi do të gjente si një strehë të sigurtë Shqipërinë, kur 95 vite më parë, Sali Njazi Dede, kryegjyshi botëror do të vendoste që qendra botërore e urdhrit bektashi të zhvendosej nga kompleksi Haxhibektash në Anadoll drejt vendit të vetëm ku të qenit besimtar i një besimi të caktuar fetar nuk nënkuptonte të qenit pakicë. Siç do të shënonin ato vite, në kuadër të raportit të fesë dhe politikës, krerët e shtetit shqiptae, “Shqipëria nuk ka shumica e pakica” përtej shumicës shqiptare dhe “nuk ka një fe zyrtare, por të gjitha fetë i mbron dhe i nderon”. Kështu, alternativa e Tiranës ishte e vetmja në kushtet kur qendra e përhershme në Anadoll ishte kthyer në persekutim për vetë bektashinjtë.
Nga ana tjetër kjo zhvendosje do të ishte e rëndësishme edhe për politikën e jashte të shtetit shqiptar. Shembulli i viteve 1930 është frymëzues. Bektashinjtë kishin një prani të fortë në vendet fqinje, jo vetëm në ato vende ku kishte shqiptarë të këtij vesimi, si ish Jugosllavia, por edhe në Greqi, ku pronat dhe teqetë bektashie në Thesali e Kretë përbënin një levë të rëndësishme për komunitetin por edhe shtetin shqiptar. Po ashtu, ndikimi i Kryegjyshatës ndër pomakët bullgarishtfolës, qoftë në Bullgari, apo në Trakën greke, me qendër në Aleksandrupoli, ku edhe sot ka besimtarë e teqe bektashie u përdor nga shteti shqiptar për diplomaci fetare, jo si një ndërhyrje e jashtme në çështjet e brendshme të komuniteteve në Shqipëri siç ndodhte para viteve 20 e fatkeqësisht pas viteve 90, por si një ekspansion kulturor shtetëror e diplomatik, në interes kombëtar dhe në interes të bashkësisë përkatëse fetare.
Njëjtë, influenca diplomatike do të zgjerohej edhe në botën arabe e veçanërisht në Egjipt me një prej gjyshatave më të rëndësishme të Kryegjyshatës Botërore, që më pas do të zgjerohej pas viteve 60 edhe në SHBA, me themelimin e gjyshatës së atjeshme, si forma të kompaktësimit të diasporës, shtrimit të ndikimit shtetëror jashtë vendit, diplomacisë kulturore dhe publike, e një sërë benefitesh të tjera të diplomaicës fetare.
Bashkëveprimi mes shtetit dhe bashkësive fetare për zhvillim diplomatik të vendit dhe pikëpërkimit të interesave shtetërore e kombëtare shqiptare dhe atyre fetare i ngjasonte të gjitha komuniteteve të tjera fetare, teksa në këtë periudhë kishat ortodokse shqiptare në diasporë, apo misionet katolike shqiptare në diasporë, luanin rolin jo thjesht të unifikuesit të diasporës dhe ndikimit te saj, por edhe të përcjelljes së mesazheve diplomatike dhe thithjeve të investimeve të huaja.
Trashëgimia e këtij bashkëveprimi me kisha ortodokse shqiptare nga Kisha e Stambollit dhe Bukureshtit, deri te ato në SHBA, apo misione katolike nga Roma në Amerikë, e xhami shqiptare nga Melburni në Kanada, kishte si kulm pikërisht aktivitetin e përbashkët mes klerikëve dhe zyrtarëve shtetëror në avancimin e interesave të secilës palë përmes Kryegjyshatës Bektashiane, që tanimë kishte legjitimitetin absolut të ndikonte në veprimtaritë shoqërore me nota politike e diplomatike kudo ku kishte prezencë, veçanërisht në Jugosllavi, Greqi, Bullgari, Egjipt dhe më pak në Turqi për shkak të implikimeve në raportet dypalëshe.
Rrënjosja e këtij roli të rëndësishëm do të ishte aq e thellë sa do të shpërfaqej edhe pas viteve 1990. Ajo do të ndihmohej edhe prej faktit se ndaj komunitetit bektashi pas rikthimit të lirisë fetare nuk pati interesa të shteteve të tjera që të ndihmuara edhe nga dobësiam mungesa e politikave të qarta fetare dhe mosvendosja e rëndësisë te diplomacia fetare nga ana e shtetit shqiptar e kthyen mjedisin fetar në Shqipëri kahkundërt në “mbrojtje” në një terren të lirë për ushtrimin e diplomacisë fetare të shteteve të tjera.
Mirëpo, fakti se komuniteti bektashi iu rikthye trashëgimisë së vyer të para ateizmit përmes rigjetjes së lidhjeve me gjyshatën e Detroitit, dhe me përhapjen e influencës në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, rrëfen për një trashëgimi aktive, edhe pse të vetmuar, teksa përpjekjet nuk ishin tanimë të koordinuara me shtetin. Kjo do ta vinte Kryegjyshatën Botërore në pozicionin që kryente diplomaci fetare në dobi të interesit kombëtar, ndërkohë shteti që është përfituesi fundor nuk e bënte diçka të tillë në vitet e para të tranzicionit.
Kështu, trashëgimia e diplomacisë fetare të viteve 30 do të ishin të pangjashme me komunitetet e tjera. Kontrasti ishte i qartë. Në mungesë së ndihmesës a nismës shtetërore, apo edhe në kuadër të lëshimeve të viteve 90-2000, xhamitë e komuniteteve shqiptare nga Libani në Australi nuk kishin më kontakt me komunitetin mysliman, që riskonte të zhvendosej në debate të brendshme mbi rryma të huaja të interesit. Kisha ortodokse shqiptare e Rumanisë e mbyllur prej vitit 1947 e ajo e Stambollit e mbyllur më 1971 nuk ishin më në debatet e KOASH, ku interesa përtej interesit kombëtar ia dolën të kaplojnë edhe kishat shqiptare të trashëgimisë noliane përtej Atlantikut apo zona të tëra brenda Shqipërisë. Misionet katolike shqiptare në diasporë do të mbijetonin vetëm në kuadër të dioqezës së Kosovës dhe të asnjë dioqeze të shtetit shqiptar, ku sërish grupime të huaja do të ndikonin në dinamikën e brendshme.
E në këtë vetmi, pa përkrahjen shtetërore ndaj cilitdo komunitet në kuptim të ndërveprimit politik, me një frikë e shpesh mosndarje, të qëllimshme a jo, të ndërveprimit normal të shtetit me komunitetet e veta fetare, është pikërisht ky akt, zhvendosja e Kryegjyshatës Botërore 95 vite më parë në Tiranë, faktori kryesor pse sot ky komunitet luan në një terren që e njeh, atë të diplomacisë fetare, sikurse është edhe arritja më e madhe e përvjetorit që po kremtojmë. “Për fe dhe për Atdhe”.

Fotot: Nuri ÇUMANI