ZHVILLOHET ASAMBLEJA VJETORE E KËSHILLAVE NDËRFETARE TË EVROPËS

Më 12 dhjetor 2021 është mbajtur në Romë Asambleja Vjetore e Këshillave Ndërfetarë të Evropës, ku mori pjesë dhe Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, si institucion anëtar i këtij unioni, i njohur ndryshe si “Religions for Peace-Europe”. KNFSH përfaqësohej nga Kryetari i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë H. Dede Edmond Brahimaj dhe Sekretari i Përgjithshëm Dr. Genti Kruja.

Takimi është hapur nga Presidenti i “Religions for Peace-Europe” Dr. Luigi de Salvia dhe më pas është bërë prezantimi i përfaqësuesve të këshillave ndërfetar nga e gjithë Evropa, të cilët kanë bërë dhe një pasqyrë të punës dhe aktiviteteve të secilit institucion që përfaqësonin. Asambleja ka diskutuar gjithashtu dhe ndryshimet statuore të RfP Europe, qendra e të cilës është regjistruar në Berlin.

Disa nga përfaqësuesit e këshillave ndërfetare kanë marrë pjesë online, në platformën e së cilës kanë përshëndetur Prof. Azza Karam, Sekretare e Përgjithshme e “Religions for Peace-International” me qendër në SHBA, Dr. Thomas Wipf, President i Këshillit të Liderëve Fetarë Evropianë (ECRL), si dhe znj. Kaveri Cantoni, kryetare e Rrjetit Ndërfetar të Grave në Evropë.

Pjesë e “Religions for Peace-Europe” janë tashmë 15 këshilla ndërfetarë të Evropës, në të cilën bën pjesë edhe Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, i themeluar në vitin 2007 nga krerët e komuniteteve fetare tradicionale në vendin tonë me mbështetjen e “Religions for Peace”.