ZHVILLOHET CEREMONIA E 45-VJETORIT TË KALIMIT NGA JETA, I ISH-KRYEGJYSHIT BOTËROR BEKTASHIAN, DEDE AHMET MYFTARI

Ditën e enjte, 10 korrik 2025, në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, u zhvillua ceremonia përkujtimore dhe ritet përkatës, me rastin e 45-vjetorit të kalimit nga jeta, të ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Baba, Ahmet Myftari. Gjatë gjithë ditës, besimtarë, klerikë, personalitete dhe dashamir, erdhën në Selinë e Shenjtë Bektashiane, për të qenë pjesë e riteve përkujtimore të këtij rasti. Ata u pritën nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede, Baba Edmond Brahimaj, panë ekspozitën fotografike kushtuar Dede Ahmetin dhe vizituan muzeun dhe mjediset e tij.
Ceremonia përkujtimore, nën drejtimin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë ë Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, nisi në orën 18:00, në mjediset e Odeonit. Ndërsa për jetën dhe veprën e Dede Ahmetit, kumtoi Prof. dr. Ajet Shahu.
Kryegjyshi, Dede Edmond Brahimaj, në hapje të ceremonisë, ndër të tjera tha: “…Ish-Kryegjyshi Boteror Bektashian, Dede Ahmet Myftari, ishte dhe mbetet një klerik bektashian me merita të jashtëzakonshme, si klerik e atdhetar. Ai, me shembullin e tij, tregoi praktikisht se si materializohet deviza bektashiane, ‘Pa atdhe, nuk ka fe’. Dede Ahmeti, me punën dhe shembullin e Tij, na tregoi se besimi në të Madhin Zot dhe përkushtimi në Udhën e Hakut, janë çelësi i suksesit të dashurisë njerëzore, dashurisë për atdheun, solidaritetit njerëzor dhe mirësisë. Ai, në momentet kur atdheu u pushtua, mori armën në dorë deri në ditën e çlirimit, duke veshur harkanë e shenjtë të klerikut bektashian. Në kohën e drejtimit të Selisë së Shenjtë nga Dede Ahmeti, besimi i paqtë bektashian, njohu një shtrirje të konsiderueshme numerike e gjeografike. Ndaj, ne sot, me një sërë aktivitetesh, këtu në Selinë e Shenjtë në Tiranë dhe në gjyshata të tjera brenda e jashtë Shqipërisë, e kujtojmë me respekt Dede Ahmetin…”
NGA KUMTESA E PROF. DR. AJET SHAHU…
…Janë të shumtë prijësit (udhërrëfyesit) bektashinj që, memoria shpirtërore e besimtarëve i ka regjistruar për merita a kontribute të spikatura në mbrojtje të traditës kuranore bektashiane, të brumosur me ide e kulture profetike, mitin e misticizmit, ata e shndërruan në mision dhe u vetësakrifikuan, deri dhe, u martirizuan për kauzën bektashiane. Cilësi dhe zotësi (çudibërëse) me përmasat e një personaliteti të tillë, mëshirohen edhe në vepran e Haxhi Dede Ahmed Muhtari, Kryegjysh Botëror i Bektashizmit në vitet 1948-1958.
Duhet thënë, periudha e Dede Ahmedit si Kryegjysh Botëror, bart vlera kulturore të qenësishme, të cilat për fat të keq, kanë mbetur të panjohura, ose janë anashkaluar, për të mos thënë, janë lënë në harresë. Këto, vlera është vështirë t’i perifrazosh me një fjali, por dhënat dokumentare provojnë se, Dede Ahmedi (si askush tjetër), ia dedikoi jetën mistikës dhe idealeve të shenjta mistike. Ai luftoi dhe mbrojti me plot dinjitet të drejtën universale fetare, mori përgjegjësi shenjtërore për cilësitë e standardet e ushtrimit të besimit dhe më kryesore, ngriti në nivel tjetër, rolin fisnik të fesë për paqe, mirëkuptim, tolerancë e dashuri vëllazërore.
Në themel, vepra e Dede Ahmedit bart simbolikën e të vërtetës absolute, e materializuar kjo, në luftën e paepur të Tij kundër manipulimit politik të saj. Merita tjetër e Tij, është se, në përballje me shtetin komunist Dede Ahmedi fitoi betejën për të Vërtetën e Fundit, aq sa të krijohet bindja sikur, që në këtë betejë, doktrina mistike Hak në një farë kuptimi, mori edhe dimensione të reales. Pikërisht një të reales, unë po e ilustroj me një “episode lufte”, nga koha kur bektashizmi vuante krizën e shpërbërjes në një organizate filopartike, në momentin e zgjedhjes Kryegjysh Botëror. Ndërkaq, nga ky event përkujtimor, besimtarët gjejnë rastin të shprehin, mirënjohje e konsideratë për veprën shenjtore të Dede Ahmedit, të përulen me veneracion para (Hirit) kultit të Tij, por edhe të luten që, kjo vepër të ndriçohet, sikundër ndriçoi edhe Ai, shpirtrat e njerëzve, në ato vite të errëta të regjimit komunist….

Përgatiti: Xh. CULLHAJ
Fotot: Nuri ÇUMANI