
Ditën e premte, 11 korrik 2025, në ambientet e Teqesë së shenjtë të Ballëm Sulltanit në Martanesh, u mbajt me solemnitet ceremonia tradicionale e Ashures. Ngjarja mblodhi mijëra besimtarë nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora, të cilët erdhën për të përjetuar një nga momentet më të rëndësishme të kalendarit bektashian.
Në këtë ditë të veçantë, mori pjesë dhe udhëhoqi ritet fetare Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj. Në fjalën e tij drejtuar besimtarëve, ai theksoi rëndësinë e Ashures si ditë përkujtimore e sakrificës së Imam Hysenit në Qerbela, por edhe si një thirrje për paqe, drejtësi, dashuri dhe unitet mes njerëzve. “Ashurja nuk është thjesht një kujtim historik, por një udhëzim për jetën e përditshme, për të qenë njerëz më të mirë dhe më të afërt me njëri-tjetrin,” u shpreh Kryegjyshi.
Ceremonia vijoi me lutje dhe ilahi që mbushën hapësirën e bekuar të teqesë me ndjenjë të thellë devotshmërie. Si pjesë e traditës së kësaj dite, u përgatit dhe u shpërnda ëmbëlsira e ashures, simbol i bashkimit dhe i dashamirësisë, e përgatitur me përkushtim dhe dashuri nga shërbyesit e teqesë.
Ashurja në Teqenë e Ballëm Sulltanit vijon të mbetet një pikëtakim shpirtëror dhe kulturor me rëndësi të veçantë për komunitetin bektashi, duke forcuar lidhjen me rrënjët e besimit dhe trashëgimisë shpirtërore shqiptare.







