Ditën e enjte, 10 gusht 2023, u zhvillua ceremonia e Ashures, në Teqenë e Kulmakut-Tomorr, Skrapar. Në këtë ceremoni tradicionale, merrnin pjesë klerikë bektashian, shtetarë, besimtarë nga Shqipëria e hapësirat mbarëshqiptare, si dhe dashamirës të bektashizmit. Për përgatitjen e kësaj ceremonie organizuar nga Selia e Shenjtë Bektashiane, në bashkëpunim me Gjyshatën e Skraparit, ishin marrë masa të plota.
Merrnin pjesë gjithashtu edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe Prefektja e Qarkut të Beratit, Valbona Zylyftari.
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj, drejtoi këtë ceremoni të shenjtë, që bëhet pas Matemit, në përkujtim të ngjarjes së Qerbelasë. Përshëndeti të pranishmit, gjithashtu, dhe Prefektja e Qarkut të Beratit, z. Valbona Zylyftari.
Në fund, të pranishmit shijuan ashuret e përgatitura për këtë rast.
Ceremonia e Ashures, për gjyshatën e Skraparit, vjen vetëm pak ditë para nisjes së pelegrinazhit tradicional, në malin e shenjtë të Tomorrit.
Po ditën e ashures, u përuruan dhe punimet e hapjes së një pusi për ujë të pijshëm, me makineri moderne të kohës, me synim që pelegrinazhi i këtij viti, të ketë më shumë ujë të pijshëm për qindra e mijëra pelegrinë.