
Ditën e shtunë, 19 korrik 2025, në teqenë e shenjtë të Kuzum Babait në qytetin e Vlorës u zhvillua pelegrinazhi dhe ceremonia tradicionale e Ashures, një nga ditët më të rëndësishme për besimtarët bektashianë. Dhjetëra besimtarë, pelegrinë dhe qytetarë nga zona të ndryshme të vendit u mblodhën për të marrë pjesë në këtë ditë përshpirtjeje dhe bashkimi.
Ngjarja mori një rëndësi të veçantë falë pjesëmarrjes së Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, i cili udhëhoqi ceremoninë dhe përcolli mesazhe paqeje, dashurie dhe bashkëjetese për të gjithë të pranishmit.
Në këtë ngjarje mori pjesë gjithashtu edhe Kryetari i Bashkisë së Vlorës, z. Ermal Dredha, si dhe shumë personalitete publike, përfaqësues të institucioneve shtetërore, fetare dhe kulturore, të cilët nderuan ceremoninë me praninë dhe mesazhet e tyre respektuese.
Në përfundim të ritit, u shpërnda ashura, ëmbëlsira tradicionale që simbolizon unitetin dhe harmoninë mes njerëzve. E përgatitur me përbërës të ndryshëm që bashkohen në një shije të vetme, ashura mbart një domethënie të thellë shpirtërore dhe kulturore në traditën bektashiane.
Teqeja e Kuzum Babait, e ndodhur në një nga pikat më panoramike të Vlorës, mbetet një vend i shenjtë dhe i dashur për besimtarët dhe vizitorët, jo vetëm për vlerat fetare, por edhe për historinë dhe qetësinë që ofron.
Ceremonia e Ashures rikujtoi edhe një herë se në zemër të traditës shqiptare jeton një besim i gjallë, i hapur dhe i mbështetur mbi paqen, dashurinë njerëzore.








