
Ditën e mërkurë, 16 korrik 2025, në teqenë e Turanit në Korçë u zhvillua ceremonia tradicionale e Ashures, një ngjarje me rëndësi të veçantë në kalendarin shpirtëror bektashian. Me këtë rast të shenjtë, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj mori pjesë dhe udhëhoqi ritet fetare, duke përcjellë mesazhe paqeje, dashurie dhe përkushtimi.
Besimtarë të shumtë nga Korça dhe rrethinat u mblodhën në këtë vatër të shenjtë për të përkujtuar sakrificën e Imam Hysenit në fushën e Qerbelasë. Në një atmosferë të qetë dhe shpirtërore, u mbajtën lutje dhe u shpërnda ashurja tradicionale, simbol i unitetit dhe harmonisë ndërnjerëzore.
Në fjalën e Tij, Kryegjyshi Botëror vlerësoi qëndrueshmërinë e traditës bektashiane në këto anë dhe rolin e teqesë së Turanit si një dritë shpirtërore për gjithë besimtarët. Ai uroi që paqja dhe dashuria të udhëheqin gjithmonë jetën e besimtarëve.
Ceremonia e Ashures në teqenë e Turanit ishte një dëshmi e gjallë e vijimësisë së besimit dhe vlerave që bashkojnë njerëzit përtej kohëve dhe kufijve.
Përgatiti: XH. CULLHAJ





