ZHVILLOHET CEREMONIA E ASHURES NË TEQENË HARABATI BABA, TETOVË

Ditën e shtunë, 12 korrik 2025, në teqenë e njohur të Harabati Babait në Tetovë, u zhvillua me solemnitet ceremonia e Ashures, duke mbledhur besimtarë dhe pelegrinë nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova dhe viset e tjera shqiptare. Kjo ditë e shenjtë u kremtua në frymën e devotshmërisë, bashkimit shpirtëror dhe përkujtimit të sakrificës së Imam Hysenit.
Ceremoninë e udhëhoqi Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, i cili gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e kësaj dite për ruajtjen e vlerave bektashiane dhe forcimin e lidhjeve shpirtërore mes besimtarëve. “Ashura është një thirrje për dashuri, drejtësi dhe vëllazëri, sot më shumë se kurrë,” u shpreh ai para të pranishmëve.
Pas ritit fetar dhe këndimeve shpirtërore, u shpërnda ashura tradicionale, një simbol i bujarisë dhe unitetit. Teqeja e Harabati Babait, një qendër historike e rëndësishme e bektashizmit në trojet shqiptare, vijon të jetë një vatër e gjallë e përkushtimit fetar, kulturor dhe kombëtar.