
Ditën e enjte, 5 shkurt 2026, në teqenë e Bllacës, u zhvillua ceremonia mortore për përcjelljen për në banesën e fundit të Baba Halil Currit, i cili u nda nga kjo jetë më 4 shkurt 2026. Në praninë e klerikëve, dervishëve, besimtarëve, familjarëve dhe miqve, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, mbajti fjalimin mortor, duke nderuar jetën, shërbimin dhe trashëgiminë shpirtërore të Baba Halil Currit.
Fjalimi i Kryegjyshit, Dede Edmond Brahimaj:
“Bismilahi Rrahmani Rrahim!
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Të nderuar klerikë, Baballarë, dervishë, besimtarë, familjarë dhe miq,
Sot jemi mbledhur me një ndjenjë të thellë dhimbjeje, por edhe me mirënjohje shpirtërore, për të nderuar jetën dhe veprën e Baba Halil Currit, i cili u nda nga kjo jetë më 4 shkurt 2026, duke lënë pas një emër të pastër, një shërbim të ndershëm dhe një kujtim që nuk do të shuhet.
I lindur më 26 janar 1946 në fshatin Dushaj, Baba Halil Curri rrjedh nga një familje me taban të hershëm Bektashian, një trashëgimi e thellë shpirtërore që e lidh ngushtë me historinë e besimit. Baba Halili ka shërbyer si Dervish i Baba Fejze Bulqizës, dhe përkushtimi i tij ndaj rrugës së besimit është dëshmuar edhe nga sakrifica e tij, duke qenë shembull frymëzimi për brezat që vijnë.
Pas kalimit nga jeta të Dervish Isuf Tashës së tretë, Baba Halil Curri gjendej vazhdimisht në Teqenë e Bllacës, ku qetësonte shpirtin pranë këtyre vendeve të shenjta. Ai ndezte çdo mbrëmje një kandil me vaj, me rënien e muzgut, pranë rrënojave të Tyrbes së Baba Isufit, duke kryer këtë shërbim të shenjtë në ilegalitet të plotë. Ata që e shikonin, këtë besimtar të kulluar pranë rrënojave të Tyrbes nuk guxonin as të afrohen për të ndihmuar apo penguar.
I vetmuar, ai vazhdonte detyrën që i kishte ngarkuar vetes, duke pritur me padurim ditën e lirisë së besimit, e cila për shumë vite ishte mbuluar nga retë e zeza të mosbesimit. Kjo ditë erdhi, dhe ai u emërua nga komisionet e të dy trevave si titullar i Teqesë së Bllacës.
Në vitin 1991, Baba Halil Curri vazhdoi shërbimin pranë Tyrbes së Baba Isufit pothuajse pa kulm mbi kokë. Falë ndihmës së besimtarëve të të dy trevave, dhe veçanërisht të Grykës së Madhe, u bë e mundur ndërtimi i një ndërtese të vogël. Nga 1991 deri në 1993, ai punoi me komisionerët që më vonë morën formën e një këshilli të përhershëm, duke vendosur themelet e një administrimi të qëndrueshëm të Teqesë së Bllacës.
Në vitin 1994, Baba Halil Curri merr dorë si Myhib në Teqenë e Fushë-Krujës nga Baba Selim Rexhep Kalicani, i cili, duke vlerësuar moralin dhe përkushtimin e tij si besimtar Bektashian, e vesh atë Dervish në dhjetor të 1994.
Në vitin 1995, ai transferohet në Teqenë e Ballëm Sulltanit, ku punoi pa u lodhur, ndërtoi ndërtesen dykatëshe në Ballenje dhe mbajti të freskët gjithmonë edhe Teqenë e Baba Jasharit në Peshk. Në vitin 1996, Baba Selimi e vesh me petkun e shenjtë të Babait, duke i besuar plotësisht misionin e shërbimit fetar.
Kryegjyshi në atë kohë Haxhi Dede Reshat Bardhi, duke vlerësuar dhuntitë e rralla të Baba Halilit si besimtar dhe klerik, e transferoi në Fushë-Krujë, në Dergjahun e Shah Memi Babait, ku shërbeu me përkushtim, dinjitet dhe krenari. Pas kalimit nga jeta të Baba Ismail Jangullit u transferua me shërbim klerikal ne Bllacë.
Pas një sëmundjeje të rëndë, Baba Halil Curri u kurua me kujdesin e veçantë të Kryegjyshatës, duke udhëtuar edhe në Turqi për trajtim të specializuar. Ditët e tij të fundit i kaloi nën kujdesin e përkushtuar të Spitalit Kontinental të Kryegjyshatës, ku më 4 shkurt u nda nga kjo jetë, duke kaluar në përjetësi si një shërbëtor i denjë i Hakut dhe i njeriut, i cili përjetësisht do të mbetet shembull i devotshmërisë, përkushtimit dhe dashurisë për besimtarin.
Baba Halil Curri ishte shembull i klerikut që nuk kërkoi kurrë lavdi, por i dha kuptim shërbimit përmes thjeshtësisë, durimit dhe përkushtimit të heshtur. Fjala e tij ishte e matur, e drejtë dhe e mbështetur në urtësinë e traditës, ndërsa veprat e tij flisnin më fort se çdo fjalim. Ai besonte se feja është dashuri, se besimi është përgjegjësi dhe se shërbimi ndaj Zotit kalon përmes respektit dhe ndihmës ndaj njeriut.
Në misionin e tij fetar, ai punoi pa u lodhur për ruajtjen e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës, duke mbajtur gjallë frymën e vërtetë bektashiane – frymën e paqes, të urtësisë dhe të njeriut të ndriçuar nga drita e Hakut. Përmes shembullit të jetës së tij, Baba Halil Curri u bë dëshmi e gjallë se kleriku i vërtetë është ai që shërben me zemër.
Kalimi i tij nga kjo jetë lë një boshllëk të ndjeshëm në Teqenë e Bllacës dhe në zemrat e të gjithë atyre që e njohën. Por trashëgimia që ai la pas është e fortë: një emër i nderuar, një shërbim i pastër dhe një rrugë që fton brezat e rinj të ecin me përulësi, besim dhe dashuri për njeriun.
Në emër të Kryegjyshatës Bektashiane dhe në emrin tim personal, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, besimtarëve të Dibrës dhe gjithë komunitetit që ndan sot këtë dhimbje. Le ta kujtojmë Baba Halil Currin me respekt, mirënjohje dhe me përkushtimin për të mbajtur gjallë vlerat që ai mishëroi.
Në këtë çast ndarjeje, le ta përcjellim Baba Halil Currin me fjalët e urta të Udhëheqësit tonë shpirtëror, Haxhi Bektash Veliu:
“Mos e lëndo njeriun, sepse njeriu është pasqyra e Zotit.”
Me këtë parim jetoi dhe shërbeu Baba Halil Curri, duke respektuar njeriun, duke dashur besimtarin dhe duke i qëndruar besnik rrugës së Hakut deri në frymën e fundit.
U prehtë shpirti i tij në paqe dhe qoftë i përjetshëm kujtimi i tij!Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin!”
Ceremonia mortore u zhvillua në një atmosferë lutjeje, përulësie dhe respekti të thellë, duke përcjellë për në përjetësi një shërbëtor të denjë të besimit bektashian. Kryegjyshata Bektashiane shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së Baba Halil Currit, besimtarëve dhe gjithë komunitetit bektashian, duke ruajtur me nderim kujtimin dhe veprën e tij.





