Riti tradicional i Ashures, mblodhi të mërkurën, më 17 korrik 2024, në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, në Tiranë, qindra besimtarë, klerikë bektashianë, e të besimeve të tjerë fetarë, personalitete të fushave të ndryshme, ministra deputetë e funksionarë shtetërorë, të ardhur nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, por dhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut, si dhe besimtarë e dashamirës nga komunitete shqiptarësh që punojnë e jetojnë në vende të ndryshëm të botës.
Ceremonia u organizua pas ditës së dhjetë të agjërimit të Matemit, në kujtim të 72 martirëve, luftëtarëve të Qerbelasë. Ajo u përgatit nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, i cili udhëhoqi dhe ritet e kësaj dite të shenjtë.
Ndër personalitetet zyrtarë e fetarë që ishin në ceremoni, si dhe uruan Kryegjyshin e shijuan ashuren, simbolin e kësaj dite, ishin dhe: Kryetari i Komitetit të Kulteve të Shqipërisë; Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë; Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë; Prefekti i Tiranës; Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës; deputetë gjermanë; deputetë të Parlamentit të Shqipërisë; Partia e Lirisë; teologë nga Zvicra; krerë të Tarikateve Bektashian të Shqipërisë; klerikë bektashinj nga Kosova e Maqedonia e Veriut; nga Kisha Ortodokse e Shqipërisë; nga Kisha Katolike; etj… Ishin dhe uruan gjithashtu dhe Ambasadorë dhe përfaqësues të përfaqësive diplomatike të huaja, në Shqipëri: Nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës; Ambasada e Izraelit; Ambasada e Holandës; Ambasada e Gjermanisë etj…
Dlirësinë, bujarinë, shpirtmirësinë bektashiane dhe krijimin e një klime sa më vëllazërore, e krijuan dhe këngët, nefeset bektashiane dhe vallet, në interpretimin e asambleve të njohura popullore, aktorëve dhe këngëtarëv, ku përmendim Ansamblin e Elbasanit, Ansamblin e Lushnjes, tenorin e njohur Kastriot Tusha, aktorët Dritan Boriçi e Bujar Asqeriu.
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, uroi e bekoi të pranishmit në këtë festë, duke shtruar dhe apelin, që ‘të bëhen vepra të mira dhe gjithmonë të ndihmohen të tjerët, sidomos në kohërat e vështira që bota jonë po jeton’.
Ndër të tjera, Dede Edmond Brahimaj theksoi: “…Në emër të Zotit Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Të nderuar besimtarë bektashinj! Të nderuar klerikë bektashinj, përfaqësues të komuniteteve fetare në vend dhe jo vetëm! Të nderuar diplomatë të huaj në vendin tonë,
Jam i nderuar që sot me pjesëmarrjen Tuaj dhe dashamirësve të bektashizmit, nga mbarë bota, kremtojmë ditën e Ashures, pas dhjetë ditëve të zisë së Matemit në nder të martirëve të Qerbelasë. Sot e gjithë bota myslimane përkujton rënien e Imam Hysenit në fushën e Qerbelasë, të 72 martirëve që u flijuan për të vërtetën, për njerëzimin, pastërtinë shpirtërore dhe humanizmin. Zoti ju shpërbleftë ju, që e doni Pejgamberin e Tij dhe familjen e Profetit. Zoti ju pranoftë agjërimin. Ju pranofshin lutjet dhe agjërimet në këtë ditë të 10-të të Muharremit. Dëshira ime për ju është që kjo Ashure të jetë e mbushur me mëshirën dhe dhembshurinë e Zotit.
Profeti (a.s) na thotë se Muharremi është një muaj i shenjtë, dhe si i tillë mëkatet e kryera gjatë Muharremit peshohen shumë më tepër se çdo herë tjetër dhe veprat e mira shpërblehen më bujarisht. Ai (a.s.) na nxiti që të agjërojmë brenda Muharremit, siç bëri edhe ai vetë, duke promovuar virtytin e këtij muaji. Muharremi është muaji i drejtësisë dhe i së vërtetës, kur Imam Husseini dha jetën pikërisht për to. Kjo gjithashtu mund të lidhet me mënyrën se si Musai (as) dhe Nuhu (as) të dy individualisht folën kundër adhurimit të idhujve të rremë dhe i çuan njerëzit e tyre drejt shpëtimit me mëshirën e Zotit, drejt të vërtetës dhe drejtësisë, të cilat gjithmonë do të triumfojnë mbi gënjeshtrën. Imam Huseini ishte nipi i Profetit (a. s), një udhëheqës i përkushtuar dhe një luftëtar për drejtësinë shoqërore. Ai bëri zgjedhjen për t’iu kundërvënë Jezidit dhe mbrojti të drejtat e popullit të tij. Kur ai u persekutua për këtë dhe iu kërcënua jeta, Huseini dhe familja e tij, së bashku me një grup prej 72 shokësh shkuan në Lindje, por u detyruan të ndalojnë në Qerbela nga një ushtri prej 30,000 ushtarësh.
Jezidi ua mohoi atyre ujin, duke i lënë të gjithë burrat, gratë dhe fëmijët të qëndrojnë pa ujë. Huseini u ngrit për popullin e tij dhe parimet e tij, dhe si rezultat u martirizua në betejën e Qerbelasë. Huseini ishte një hero që bëri sakrificën përfundimtare për mirësinë, duke vënë në veprim një valë ndryshimi që do të çonte një revolucion dhe do t’i jepte fund sundimit të Jezidit. Ende sot, njerëzit e kujtojnë Huseinin dhe veprimet e tij fisnike, duke frymëzuar njerëz nga e gjithë bota përmes vetëmohimit dhe guximit të tij. Gjeni motivimin që ju nevojitet për t’u bërë një katalizator për ndryshimin ashtu si Imam Hussein. E këto thënie frymëzuese që vijnë nga beteja e Qerbelasë janë po aq aktuale dhe sot: “Unë nuk jam ngritur për të përhapur të keqen apo për t’u dukur… Unë dua vetëm të urdhëroj vlerat e mira dhe të parandaloj të keqen.”. “Qëndrimi dhe rezistenca më e madhe, është të thuash fjalën e së vërtetës përballë një tirani.” “Për mua, vdekja nuk është gjë tjetër veçse lumturi, dhe të jetosh nën tiranët nuk është gjë tjetër veçse të jetosh në ferr”. “Vdekja me dinjitet është më e mirë se jeta me përulësi.”. Këto thënie kaq domethënëse na japin sot një mësim tepër të vyer, jeta e njeriut duhet të shoqërohet me vlera të larta e të jetohet me të vërtetën çdo ditë, edhe nëse kjo e vërtetë mund të jetë kundra teje apo familjes e njerëzve të zemrës. Mirësia që shpërndani në këtë botë do t’ju kthehet “Sadakaja e shuan mëkatin ashtu siç e shuan uji zjarrin” – Profeti Muhamed (a.s.). Promovimi i paqes, harmonisë, dashurisë, përkushtimit ndaj njëri tjetrit, dashurisë ndaj atdheut. Larg urrejtjes, gënjeshtrës, pabesisë, e veprave në dëm të njerëzimit. Dëshmorët e shenjtorët e Qerbelasë që ranë për të vërtetë, drejtësinë e njerëzimin, na qofshin ndihmë! Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin!”.
Përgatiti: Nuri ÇUNI
Fotot: Nuri ÇUMANI