ZHVILLOHET CEREMONIA TRADICIONALE E ASHURES NË TEQENË E GJAKOVËS, KOSOVË

“…Ç’bënë faqezinjtë, për bijtë e Profetit,
Jezidi mos daltë kurrë prej Lanetit,
Ty dhe fëmijën kush i do si shpirti,
I shpëtuar qoftë, ditën e kijametit…”

Në ditët e hënës Muharrem, në Gjyshatën Bektashiane të Kosovës, u zhvillua ceremonia e Ashures, në përkujtim e nderim të jetës e veprës së Familjes Profetike, konkretisht të therrorisë ndaj tyre në fushën e Qerbelasë.
Ngjarja ku morën pjesë besimtarë bektashinj, u drejtua nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, i asistuar nga dervish Rrauf Radoniqi i Teqesë së Gjakovës dhe dervish Ilir Axhanela nga Gjermania.
Këtë vit, përkujtimorja e Qerbelasë, rastisi në përvjetorin e 234 të themelimit, konkretisht 17 vjetorin e rindërtimit të Teqesë së Gjakovës, që bashkë me bibliotekën e pasur dhe tyrben e baballarëve qenë djegur nga ushtria serbe më 1999.
Në këtë ceremoni në Teqenë Bektashiane në Gjakovë morën pjesë deputetët e Kuvendit të Kosovës nga rradhët e Vetëvendosjes, Jahja Koka, Ardian Gola e Agon Batusha, si dhe kryetari i LDK-së në Gjakovë, Shefqet Shehu me bashkëpunëtorë, poashtu kryetari i Komunitetit Bektashian të Maqedonisë së veriut, Arben Sulejmani.
Përvjetorin e Teqesë përmes mesazhit, e uroi Kryeministri Albin Kurti, dhe kryetarja e Asamblesë së Komunës së Gjakovës, Arbënesha Kuqi.