ZHVILLOHET CEREMONIA TRADICIONALE E ASHURES NË TYRBEN E BABA SKËNDERIT, LUSHNJE

Ditën e premte, 2 gusht 2024, në tyrben e baba Skënderit në Lushnje, u zhvillua ceremonia tradicionale e Ashures, që mbahet në përfundim të Matemit. 
Kjo ceremoni u zhvillua nën përkujdesjen e veçantë të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj. Për këtë ditë të shënuar, vendasit kishin bërë të gjitha përgatitjet dhe marrë të gjitha masat.
Në këtë ceremoni, në mesin e klerikëve, myhibëve, besimtarëve dhe dashamirësve të shumtë të bektashizmit, mori pjesë edhe Kryetarja e Bashkisë Lushnje, znj. Eriselda Sefa, e cila në fjalën rastit përshëndeti dhe ju uroj të gjithë besimtarëve sa më shumë shëndet dhe begati në familjet e tyre. 
Nga ana tjetër, Kryegjyshi Botëror, pas përshëndetjes së rastit, uroi të gjithë ata që mbajtën Matemin, duke evokuar ndërkohë dhe detajet e ngjarjes tragjike të Qerbelasë shekuj më parë, si dhe mesazhet që ka përcjellë e do të përcjellë ajo ndër breza besimtarësh bektashianë, kudo në botë.
Pas riteve tradicionale, të pranishmit shijuan ashuren e përgatitur për këtë rast.

Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ