Ditën e dielë, 23 mars 2025, në Gjyshatën Bektashiane në Gjakovë, Kosovë u zhvillua ceremonia tradicionale e Sulltan Novruzit.
Në këtë aktivitet, mori pjesë dhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, i cili drejtoi dhe ritet e kësaj ngjarje të shënuar, i asistuar nga dervish Rrauf Radoniqi, i teqesë së Gjakovës.
Morën pjesë si dhe personalitete të lartë në vend, klerikë, besmitarë dhe dashamirës të shumtë.
Sipas historisë së besimit bektashi, kjo ditë që përkon me lindjen e Imam Aliut në Qabe, simbolizon lindjen e shpresës dhe rigjallërimin e natyrës. Me filozofinë, përpjekjet dhe sakrificat e tij sublime, si dhe roli e kontributet e qenësishme të bektashinjve shqiptarë në rrjedhën e historisë, shembulli i Imam Aliut përbën garanci për të tashmen dhe të ardhmen jo vetëm të këtij besimi, por edhe të gjithë shoqërisë sonë. Dita e Sulltan Novruzit njihet si dita e fisnikërisë bektashiane. Sipas traditës, besimtarët e nisin ditën me urimet më të mira për mbarësi, mirëqënie dhe paqe.