ZHVILLOHET KONFERENCA ARTISTIKO-SHKENCORE, “GLOBALIZMI DHE PAQJA”

Ditën e enjte, më 22 dhjetor 2022, në mjediset e Odeonit (Qendra Fetaro-Kulturore), Selia e Shënjtë e Bektashizmit, në Tiranë, u zhvillua konferenca artistiko-shkencore, “Globalizmi dhe Paqja”, me rastin e marrjes së titullit të paqes: “Unaza e Tolerancës dhe e Paqes”  , dhënë nga: Academia Scientiarum Et Artium Europaea (Akademia e Shkencës dhe e Artit të Europës), Universiteti Teologjik, Këln, Gjermani ( 18 nëntor 2021),  Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Konferenca u zhvillua nën kujdesin e veçantë të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Organizatorë të Konferencës: Universiteti Luarasi; Kompleksi Universitar Pavarësija; Federata Universale për Paqe; Këshilli i Samitit Ndërkombëtar për Paqe.
Në këtë Konferencë morën pjesë personalitete fetarë, shtetërorë, profesorë, studiues e historianë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, diaspora, drejtues institucionesh kulturore etj.
Fillimisht, u dëgjuan përshëndetjet, më pas u vazhdua me kumtesat e përgatitura për këtë aktivitet.
PËRSHËNDETJA E DEDE EDMOND BRAHIMAJ
Pas Himnit Kombëtar dhe Hymnit të Europës (L.W.Bethoven)
Konferencën e çeli Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, nëpërmjet një përshëndetje. Ndër të tjera, ai theksoi:
“Në emër të Zotit Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Të nderuar klerikë bektashinj, Të nderuar vëllezër të mij lider e përfaqësues të  komuniteteve fetare , Të nderuar përfaqësi diplomatike të akredituar në vendin tonë,
Të nderuar zyrtarë të lartë të shtetit, artistë, akademikë, miq të Kryegjyshatës Botërorë Bektashiane, E nderuar Drejtoreshë e liceut artistik znj. Kolnikaj e ju orkestër e korr i mrekullueshëm i Liceut Artistik “Jordan Misja”!
Jam i nderuar e falenderues për secilin prej jush , që përtej angazhimeve të fundvitit gjeti kohën dhe mundësinë për të qënë pjesmarrës në këtë event të promovimit të harmonisë fetare, paqes e vlerave njerëzore.
Dua të ndaj me ju miq të pranishëm këtë aktivitet si një dhuratë e qetësimit të shpirtit e lartësimit të vlerave  për fundvit, ta duam Zotin, ta duam vëllazërinë në besim, ta bashkëndajmë atë që tepron me njëri tjetrin e në thelb ta vlerësojmë Njerinë.
Njeriu nuk është armiku ynë! Është vëllai ynë. Njeriu është sa tërë Bota, është të përmbledhurit e gjithë botës, dhe është një botë. Ai që vret njerinë , ka vrarë tërë botën e bashkë me botën edhe vetë vehten. E pra nuk është detyrë lufte me vra njerinë, është krim i rëndë ndaj njerëzimit dhe Zotit . Detyrë lufte është me vra armikun. Por duhet dalluar se cili është armiku që duhet vrarë? A ka armiq njerëzimi që ende sot vazhdojnë luftra të përgjakshme??? Jo, i vetmi armik është vetë vehtja, është egoja, është mendjemadhësia, mendësitë e prapambetura, pangopësia, dhe lufta për pushtet. Ndaj apeli i sotëm shkon brënda kufijëve, përtej kufijve në vendet që ende kërcënohen nga luftërat, Ukraina, Afganistani e shumë shtete të pavaruara që luftojnë duke derdhur gjak për mbrojtje territoresh, Mos, mos…… ndalni këtë gjakderdhje e vëllavrasje, po shkatëroni njerinë, po shkatërroni familje, po shkatërroni gjenerata të tëra…..
Thirrja e lutjet drejtohen drejt të Madhit Zot, mbroje njerinë, jepi fuqinë shpirtërore dhe dërgoji komandantët e tij të diturisë, përvujtësisë, mjaftimin, durimin, bujarinë, dhe turpërimin…
Bota si shenjë kombësie quan gjuhën dhe gjakun , mirëpo asnjëra nga këto nuk mund të jetë një shenjë e vërtetë kombësie për njeriun! Sepse njeriu kur lind nuk sjell me vete asnjë gjuhë, asnjë kombësi, por vetë rritja ja mëson, e nëse do të përzjejmë dy gjaqe gjak shqiptari dhe të huaji, ata do të bashkohen e nuk do të qëndrojnë të ndarë, e pra askush përveç Zotit nuk mund ta përçajë e ndajë njerëzimin sepse të gjithë jemi në dorën e Zotit e jo të robit!
E mandej Zoti i dha mendimin e gjykimin dhe e bëri të denjë e të pavarur, e i dha gjithë mundësitë për të qënë i përsosur, si bërthama e bërthamave të botës, por njeriu e keqpërdori, e shfrytëzoi, e nënvlerësoi, nuk diti ta mbante, e ndërsa kërkoi e hulumtoi në të gjithe universin, u shua pa e kuptuar që vetë universi ishte ai.
Të nderuar të ftuarit e mi,
Sot është një ditë me të vërtetë nga ditët më të veçanta e ditëve të fundit të vitit që po mbyllim, e doja nëpërmjet kësaj analize të njeriut , t’ju kthej shikimin drejt Zotit  e të gjithë ta falenderojmë për të mirat që na ka sjellë e presim të na sjellë, por nëse nuk nxisim rrespekt tek vetvetja, e mandej në mardhënie me të tjerët, është e kotë të presim që kjo botë të ndryshojë.
Bota është një det i thellë me vese e dallgë të forta,  e secili nga ne duhet të kujdeset që në varkën e tij të mos hyj ujë, e të përmbytet, por duhet t’ja dalë e të forcojë velat për ti bërë ballë dallgëve të forta.
Perëndinë e gjejmë tek njeriu i mirë, e nuk na duhet ta kërkojmë nëpër vende të shenjta, as në fe të ndryshme, mjafton besimi që ka në zemër , sepse besimi është drejtësia, e drejtësia është pastrimi i veseve të këqija dhe paisja me moral të mirë. E nëse një person nuk është vëllai yt në gjak e besim është vëllai yt në njerëzim!Duaje, ndihmoje, rrespektoje, jepi një dorë kur ka nevojë, dhuroi paqe..Ndryshimi me hapa të shpejtë dhe Globalizmi po bën që vlerat njerëzore të humbasin e ne liderët fetarë nuk mund dhe nuk duhet ta lejojmë që kjo gjë të ndodhë, ishte pikërisht ky qëllimi i fjalës sime për eventin e sotëm!
E në përfundim, ju uroj festat e fundvitit për vëllezërit tanë të Krishterë , Krishtlindje të gëzuar, e për të gjithë Vit i Ri me vëllazëri, paqe, besim, durim, e përkushtim ndaj njëri tjetrit, familjes e shoqërisë.
E si fundvit , nuk mund të mungojnë falenderimet për bashkëpunime me Komunitete fetare gjatë këtij viti që po lemë pas, falenderime për bashkëpunime me institucione qëndrore e vendore të RSH, falenderime për bashkëpunime me përfaqësitë Diplomatike të akredituara në vend, falenderime për bashkëpunime me Universitetin Luarasi dhe profesorët e nderuar pjesmarrës në eventin e sotëm, falenderime për drejtoreshën e Liceut Artistik Jordan Misja znj. Etleva Kolnikaj
për organizimin e këtij eventi artistik kulturor mbresëlënës, falenderime për Himin orkestral Udha Bektashiane, e kompozuar nga Avni Mula dhe arranxhuar nga Endri Sina, e falenderime për këtë orkestër të mrekullueshme me të rinj e të reja që po japin copëza të ndjera të shpirtit të tyre me krijimtaritë artistike që po paraqesin sot. E në përfundim falenderime për të gjithë ju miq e dashamirës të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane që shfaqni interes e dashamirësi ndaj nesh, jo vetëm sot po gjatë gjithë këtyre viteve.
Zoti i lartësuar na ndihmoftë të gjithëve !
Amin!”
PËRSHËNDETJET E TJERA DHE KUMTESAT
Pas Kryegjyshit Botëror Bektashian, përshëndetën Konferencën dhe kumtuan: Pr.dr.z. Et’hem Ruka; z.Pr.dr.Ago Nezha; Haxhi Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar; përfaqësuesi i Komunitetit Ortodoks të Shqipërisë, Asti Bakallbashi; përfaqësuesi i Komunitetit Katolik, At Benard Ceorauna; Kryetari i Tarikatit Kadri, Sheh Bujar Horasani; Kërkues shkencor, z.Edmond Vrapi; Dr. Mallëngjim Kosov Skënderaj, Shef i Kompleksit Universitar Pavarësija; znj. Keti Luarasi, Nënkryetare e Bashkisë së Tiranës.
KONCERTI ARTISTIK
Pas përfundimit të përshëndetjeve dhe kumtesave të rastit, progami vijoi me një koncert artistik të përzgjedhur enkas për këtë rast:
-W.A. Moxart – Eine Kleine – Nachmusik (alegro).
-Ave Marija – Hyjnore -Shubertiane. Solist trombone, Edmond Vrapi. Shoqëron në kitarë, Denis Bizhga.
-Pjetër Gaci- Balladë. Për violin dhe orkestër. Solist në violin, Juri Daja,10 vjeç.
-Çesk Zadeja, Shkon djali te malet.
NDARJA E ÇERTIFIKATAVE TË MIRËNJOHJES
Pas koncertit, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj ndau Çertifikata Mirenjohje: Pr.dr.Et’hem Ruka, Rektor i Universitetit Luarasi; Pr.as.dr.Iindrit Baholli, Dekan i Universitetit Luarasi; Pr. as.dr. Përparim Kabo, Dekan Universiteti Mesdheta; Etleva Kolnikaj, Drejtoresha e Liceut Artistik Jordan Misja; Klajdi Malaj; P.H.D.Genta Mehmeti, Përfaqësues e organizatës humanitare Celim me aktivitete: Ballkan, Europë, Azi, Afrikë, Amerika Latine me qendër në Milano-Itali; Dr. Mallëngjim Kosov Skënderaj, Shef i Kompleksit Universitar Pavarësija; Pr.dr.Ago Nezha, Kryetar i Shoqatës Labërija; Qazim Arifi, Skulptor.
Në fund, aktiviteti, u mbyll me Hymnin Bektashian – Udha e Bektashizmës, Premierë Botërore ku luajtën:
-Orkestra e bashkuar sinfonike e nxënësve dhe pedagogëve të Liceut Artistik “Jordan Misja”, bashkë me korin .
-Drejtore artistike: Etleva Këlliçi Kolnikaj.
-Dirigjent: Ermir Alliu, Ardi Kongo.
Ideoi dhe përgatiti mbarëvajtjen e këtij Eventi – historiko – aristiko – shkencor: Edmond Vrapi, Kërkues shkencor.
Nën kujdesin e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Selia e Shenjtë – Tiranë
Pjesë nga konferenca u dhanë direkt nga disa televizione, ndërsa aktiviteti gjeti pasqyrim të gjerë në median e shkruar dhe vizive.

Përgatiti:
Xhorxhin ÇULLHAJ
Fotot: (Nuri ÇUMANI)