Ditën e premte, 10 maj 2024, në mjediset e Odeonit në Selinë e Shenjtë Bektashiane në Tiranë, nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj u zhvillua Konferenca Përkujtimore, “70-vjet, teqe bektashiane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Në këtë aktivitet, përveç myhibëve e besimtarëve, merrnin pjesë klerikë bektashianë nga gjyshatat brenda dhe jashtë Shqipërisë, klerikë të besimeve të tjerë fetarë, drejtues të Komitetit Shtetëror të Kulteve, teologë, studiues dhe historianë të njohur etj.
Pas shoqërimit të Himnit Kombëtar dhe Himnit Bektashian, aktivitetin e përshëndeti Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj, i cili, ndër të thera pohoi:
“…Na ka mbledhur sot në këtë sallë një ngjarje me rëndësi për tarikatin, e cila lidhet jo vetëm, me çeljen e teqesë sonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 70 vite më parë, por pikërisht me një nga udhëkryqet më sfidantë të këtij besimi në tetë shekuj të ekzistencës kulmore të tij.
Më lejoni të rikthehemi për një çast në mesin e viteve 50-të të shekullit të kaluar, në atë sfond të ngjarjeve të dhimbshme fetare, sidomos për tarikatin bektashian. Prej më shumë se dy dekadash, me vendim unanim të Parlamentit të Republikës së Turqisë, liria dhe ekzistenca fetare e këtij tarikati u ndëshkua me mbylljen e të gjitha teqeve, prindërive, tyrbeve etj., duke e detyruar të mbyllet në sallat e muzeve historikë dhe për më tej duke anatemuar substancën filozofike dhe etike të tij, duke linçuar me miliona besimtarë, myhib dhe klerikë bektashianë. Për ironi të fatit tonë, ka kaluar një shekull dhe ende izolimi dhe mbyllja e bektashizmit në qendra muzeale, deteminojnë realitetin në Turqinë e sotme.
Sikur mos të mjaftonte reforma në vendin ku u lind dhe mori formë ky tarikat si dëshmi e freskisë dhe vitalitetit Islam, bektashizmi u godit edhe në vatrën e dytë më të madhe të tij, në trevën ballkanike. Si rrjedhojë e realiteteve gjeopolitikë, të ofruar nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, komunitetet bektashianë në Shqipëri, Greqi, Maqedoni Veriore, Bullgari,
Kosovë, Jugosllavi dhe Bosnjë Hercegovinë u gjendën përballë dy korrenteve të fuqishëm: ai i përçmimit të elementeve të caktuar të krishtërimit ortodoks nga njëra anë dhe ideologjia komuniste nga ana tjetër. Në mënyrë të veçantë ky i dyti, totalitarizmi komunist me frymën dhe masat represive bënë çfarë ishte e mundur të zëvendësonin atë frymë të vëllazërimit të tarikatit, me parulla kundër Zotit, kundër edukimit fetar, duke dashur të lënë djerrë, shpirtrat e miliona besimtarëve.
…Pikërisht në këta momente kaq dramatikë për bektashizmin, kleriku i shquar i teqesë së Zallit në Gjirokastër, nipi dhe nxënësi shpirtëror i baba Selimit të famshëm, baba Rexhebi, i mbështetur nga një grusht besimtarësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çeli në Detroit të parën teqe bektashianë, të parën vatër të këtij tarikati të mrekullueshëm të Islamit, duke vënë në vend profecinë e Pirit tonë, Haxhi Bektash Veliut, i cili ndërsa mbyllte sytë do të thoshte: “Kur çiragu im do të fiket në Lindje, do të ndizet në Perëndim.”
Ne bektashinjtë shqiptarë, padyshim që jemi krenarë për këtë akt, sepse fati e solli që çiragu i ndezur në Perëndim, të mbahej i gjallë nga fryma, shpirti dhe sakrifica sublime e paraardhësve tanë, të cilët deri në rrahjen e fundit të zemrës e njehsuan besimin me dashurinë për atdheun. Në mozaikun fetar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mesin e shekullit të kaluar, pa më të voglin dyshim ka gjurmët e tyre edhe objektet e adhurimit që mbusheshin me zërat, lutjet apo namazet e besimtarëve shqiptarë.
…Me mbështetjen e komunitetit të krishterë të udhëhequr prej Fan Nolit dhe atij syni, të prirë nga Imam Vehbi Ismaili, emigrantët bektashinj, duke mos kursyer asgjë për besimin e tyre,
mbështetën fort myrshidin, baba Rexhebin dhe vunë gurët e parë në atë godinë madhështore që erdhi duke u rritur, fuqizuar dhe zbukuruar. Emrat e nismëtarëve, Gani Mosho, Nevruz Selfo, Selman Zagari, Jashar Petrusha, Qani Prespa, Dule Këlcyra, Abaz Myrtezaj, Resul Shkëmbi, Beçe Banushi, Xhaferr Demiri dhe Zenel Poloska, do të mbeten përjetësisht në panteonin e krenarisë së tarikatit.
Respekt e mirënjohje të thellë për këta pionierë të përcjelljes besimit të Haxhi Bektash Veliut në tokën e premtuar, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
E vendosur në themele të sigurt fetarë, ku struktura shekullore bekishiane do të shpërfaqte pandërprerë urtësinë dhe vllazërinë karakteristike tradicionale, në mjediset e jetës amerikane, klerikë dhe besimtarë të kësaj teqeje, me punën, veprën dhe fjalët e tyre, dëshmuan se trashëgimia e tarikatit, jo vetëm që nuk përbënte ndonjë pengesë, por përkundrazi mund të bashkëjetonte në harmoni solide me besime të tjerë dhe në veçanti me zhvillimet bashkëkohore. Ky grup nismëtar me në krye baba Rexhebin, anashkaluan me urtësi dhe një varg shpifjesh dhe anatemimesh që vinin nga larg, nga Tirana zyrtare. Kështu baba Rexhebi, në lutjen e tij, në përvjetorin e parë të teqesë në Detroit, do të thoshte midis të tjerave: “O Zoti ynë, Ti që bekon në këtë botë çdo gjë të vlefshme për më të shquarin-njeriun. Ti që shenjtëron çdo të mirë për hir të njerëzimit Tënd, bekoje dhe shenjtëroje dhe këtë godinë fetare të re, e cila po mbush vitin e parë të jetës së saj… O Zoti Lartë, me rastin e kësaj dite historike jepu gjithë shqiptarëve bashkim dhe vëllazërim midis tyret…”.
Si rrallëkush, baba Rexhebi, shpirtërisht dhe intuitivisht, duke parë me kujdesin më të madh raportet e ndërlikuara të peizazheve fetarë me efektet globalë dhe duke jetuar përmes etikës së përkorë bektashiane, ka mundur të ndikojë aq ndj tek brezat e besimtarëve, në kuptimin e mbajtjes gjallë të frymës kombëtare. Dhe nuk kish si të ndodhte ndryshe. Në rininë e tij, në
Kafeo-xhakun apo mejdanin e teqesë së Zallit në Gjirokastër, në prani të baba Selim Gjirokastrës, të atdhetarëve të shquar si, Bajo e Çerçiz Topulli, Zeman Mashkullora, Hito Lekdushi, Musa Demi, Rasih Dino, Mihal Grameno, Said Najdeni, Halil Alizoti, dervishi ynë kish nisur të ngjizte në memorien e tij, ndjenja të shqiptarizmit. Nëse nuk harrojmë, se
pikërisht në këtë periudhë, kanë hyrë e kanë dalë në këtë teqe: baba Sali Matohasanaj, baba Zenel Gjoksi, baba Medin Gllava, baba Ahmet Turani, baba Shaban Prishta, baba Ali Tomorri dhe plot të tjerë. Është e lehtë të kuptosh se çfarë mësimesh të vyer kombëtarë, ka përvetësuar myrshidi ynë. Ajo që me të drejtë na bën sot krenarë, është fakti se këtë frymë, baba Rexhebi e përcolli të kulluar, të sinqertë dhe të ngrohtë edhe në dimrat më të egër të Miçiganit, duke u kujtuar të gjithëve hadithin profetik: Pa atdhe, nuk ka fe!
Përgjatë shtatë dekadave të vazhdimit të misionit të vet hyjnor dhe, historik teqeja jonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e udhëhequr plot urtësi nga baba Rexhebi, ka bashkuar në gjirin e saj, jo vetëm ndjekës të tarikatit, por edhe të besimeve të tjerë, duke afruar kurdoherë paqe, mirësi dhe vëllazëri, si simotrat e saj në çdo vis të trevave shqiptare. Ajo ka qenë një copëz e shtrenjtë atdheu, ku kanë mbështetur shpresat dhe kokat e tyre, mijëra e mijëra shqiptarë që fati njerëzor i bëri të kapërcejnë dete dhe oqeane për një jetë të lirë, larg ideologjive mbytëse dhe robëruese. Dera e saj gjithmonë e hapur, për këto, ka mishëruar dhe mishëron idenë proverbiale të Haxhi Bektash Veliut, i cili u është drejtuar nxënësve të vet shpirtërorë: “O dervish’ Dije se veliu i Allahut është Nuhu i kohës së vet. Ndihma e tij
është anija që i shpëton robërit e Allahut prej të keqes së përmbytjes…”
Misioni i përmbushur i kësaj teqeje, na jep të drejtën të mendojmë dhe të pohojmë krenarisht se bektashizmi shqiptar, i larguar nga ai turko-aziatik, nga ato ndikime të huaja veçanërisht në strukturë dhe etikë, ka ardhur duke u rritur dhe pasuruar me elementë të ndjeshëm kombëtarë, pa harruar për asnjë moment qëllimin madhor: përsosjen e shpirtit njerëzor drejt vet përkryerjes, kurdoherë në mbrojtje të identitetit tonë etnik, fetar dhe kulturor. Sigurisht në jetësimin e kësaj kauze, baba Rexhebi ka pasur në çdo çast, ndihmën e pashembullt të baba Arshi Bazajt, dervish Bajram Gjakovës, dervish Lutfi Gjirokastrës dhe dervish Bektashit i shkuar aty nga Turqia, por me origjinë nga trojet tanë amtarë. Vëllazëria e tyre klerikale
mbetet një model i rrallë për ne, brezat e sotëm, ndjekës dhe adhurues të shërbestarisë bektashiane. Modeli i kësaj vëllazërie klerikale në veçanti, por edhe e mendimit
dhe veprimit përbashkuse në përgjithësi, kanë shërbyer krahas vizatimit të një imazhi miqësor të tarikatit në rrjedhat e jetës amerikane të Detroitit, edhe si ogur i bardhë në jetën shpirt e mesazh pranimi dhe i dhënie-marrjet e shpirtit në etni, raca apo fe dirvese, përmbushin tek e fundit misionin e vetë krijimit, atë të Mëkëmbësisë që Zoti, na ka dhuruar ne, njerëzve në këtë botë. Parë në këtë kontekst, ne u jemi mirënjohës të gjithë Presidentëve të SHBA, prej
vitit 1960 e deri në ditët e sotme, jo thjesht për mesazhet ngazëlloni drejtuar teqesë së baba Rexhebit, por edhe respektin c thellë ndaj bektashizmit dhe bektashianëve. Po në këtë vazhdë, mendoj se nuk është që studiuesja e njohur amerikane Franciz Trix, ka arritur në përfundimin se: “Prania e gjatë e baba Rexhebit në vendin tonë dhe varrimi i tij në truall, e kanë shenjtëruar tokën tonë. Dua të them se për Amerikën, baba Rexhebi ka qenë një bekim, kështu që unë, edhe një herë i falënderoj shqiptarët që një shenjt të tyre, e ndajmë me gjithë botën”.
Vlerësime të tilla lumturojnë jo thjesht bektashinjtë por çdo besimtar
shqiptar, të denjë në marrëdhënien e tij fetare.
Të nderuar të pranishëm! Fryma e vëllazërisë që kjo teqe transmetoi në ata vite aq të vështirë
dhe historik për bektashizmin botërorë, u shpërfaq me po atë madhështi dhe sinqeritet të përshpirtshëm sidomos në vitet 90-të të shekullit që lamë pas.
Në historiografinë bektashiane janë të skalitura faqe të tëra kujtimesh të mrekullueshëm nga baba Rexhebi me baba Reshat Bardhin, baba Bajram Mahmutajn, por edhe qindra myhibëve dhe besimtarëve të kësaj teqeje, me miqtë që shkonin aty nga të gjitha viset shqiptare. Ky kuvendim brezash (dikur aq shumë të anatemuar nga ideologjitë) përveç shijes së
mrekullueshme të vëllazërisë së tarikatit, na sillte nëpër mendje çiragun e pa fikur të Haxhi Bektashit, i cili u mbijetoi sfidave gjithfarësh. Më pas, në vitet në vijim, pelegrinazhet në teqenë e Detroitit vijuan dhe unë personalisht, gjej rastin të sjell sot këtu, kujtimin e paharruar të baba Arshi Bazajt, me të cilin kam kaluar ditë dhe net të tëra bisedash vlonjate, agjërimi e adhurimi. Zoti i lartësuar e pastë në vëmendje veprën e Tij!
Në cilësinë e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, unë shpreh bindjen e thellë se klerikët, myhibët dhe dashamirësit e teqesë së baba Rexhebit, do të dinë të ecin në gjurmët e arta të paraardhësve të tyre shpirtërorë, në të gjithë dimensionet e misionit historik të teqesë që përfaqësojnë.
Bektashizmi shqiptar edhe në kohërat më të vështira të tij, ka ditur të sfidojë realitetet sado të vrazhdë, vetëm e vetëm përmes urtësisë, mirëkuptimit dhe vëllazërisë së ndërsjelltë, për të ardhur deri në këto ditë me identitetin e vet, me frymën e vet të lirisë, me paqen universale e misionit që ka caktuar historia, si një tarikat i paqtë, brenda familjes së madhe të islamit. Zoti i Lartë na ndihmoftë! Ju faleminderit të gjithëve! Zoti i begatoftë bektashinjtë anekënd botës
Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin”.
Në vijim, akademik Beqir Meta, mbajti kumtesën “Teqeja jonë në Detroid, vatër e shquar kombëtare dhe atdhetare”. Ndërsa studjuesi Uran Butka, mbajti kumtesën “Baba Rexhebi, ky kolos atdhetar, me përmasa hyjnore”.
Në një moment gjatë aktivitetit, Profesor Muharremi, i dorëzoi Kryegjyshit Botëror Bektashian defterin e baba Hadër Muharremi’, me shënime-shkrim dore, i vitit 1982, një dhuratë e veçantë kjo.
Fotot:
Nuri ÇUMANI
Shënim: Një historik i shkurtër i Teqesë Bektashiane të Detroidit-SHBA, është publikuar ditën e djeshme (9 maj 2024), në faqen zyrtare të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.