Komuniteti Mysliman i Shqipërisë zhvilloi në ambientet e Kolegjit Universitar “Bedër” konferencën rajonale, me temë: “Profeti Muhamed (a.s), njeriu i dimensioneve të veçanta”.
Kjo konferencë e cila u çel me leximin e Kuranit Famëlartë nga Hafizi Enes Hyka, mblodhi sëbashku teologë, akademikë, studiues, përfaqësues dhe lider të komuniteteve fetare Islame të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Zvicrës.
Në seancën e përshëndetjeve, ishin të pranishëm H. Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, Rektor i Kolegjit Universitar “Bedër”, Kreu i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, H. Shaqir Fetahu, Sekretari i Përgjithshëm i Bashkësisë Islame të Kosovës, h. Ahmet Sadriu, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Zvicrës, H. Mehas Alia, dhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Në fjalën e tij, Kryetari i KMSH-së, z. Spahiu, pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë konferencë përkujtuese ndaj Profetit Muhamed (a.s), u ndal në përgjegjësinë që bie mbi të gjithë dijetarët, studiuesit dhe teologët në mbrojtjen e shoqërisë nga dizinformimi e shtrembërimi i kësaj feje të drejtë e të vërtetë, si dhe në promovimin e jetës dhe veprës së Profetit tonë të dashur (a.s).
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, në fjalën e tij theksoi mesazhet e paqes, dashurisë dhe mirësisë së Profetit Muhamed (a.s.), mesazhe të cilat janë frymëzim për njerëzimin deri në ditën e fundit.
Ndërsa Rektori i “Bedër”, Prof. Gjana, uroi mirëseardhjen të pranishmëve në konferencë, si dhe përgëzoi Komunitetin Mysliman të Shqipërisë për organizimin e saj. Ai gjatë fjalës së tij, vuri gjithashtu në dukje kontributin që jep Universiteti “Bedër” në përgatitjen e teologëve të rinj, të cilët janë një aset i vyer për shoqërinë shqiptare.
Kreu i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, z. Fetahu, u shpreh se tubime të tilla mundësojnë që Muhamedin (a.s), ta sjellim sa më afër, ta prekim atë, të mësojmë prej tij dhe ta analizojmë atë si model i përkryer i Allahut Fuqiplotë për të drejtuar gjithë njerëzimin në botën në të cilën ne jetojmë.
Sekretari i Përgjithshem i Bashkësisë Islame të Kosovës, z. Sadriu, ndau me të pranishmit vlerat që ka përkujtimi i muajit të lindjes së Profetit (a.s.). Ai gjithashtu tha se Muhamedi (a.s.) është një shembull që duhet ndjekur nga myslimanët dhe me gjerë.
Konferenca u zhvillua më tej me dy seancat shkencore, ku studiuesit, teologët dhe akademikët e ftuar, ndanë me të pranishmit një sërë temash, të tilla si: “Virtytet e Muhamedit (a.s) para dhe pas profetësisë”, “Roli i tij si udhëheqës dhe vlerësimi i kapaciteteve”, “Roli i bashkëshorteve të Profetit (a.s) në përcjelljen e mesazhit hyjnor”, “Profeti Muhamed (a.s), shembulli më i përsosur si edukator dhe kryetar familjeje”, “Morali shoqëror i bazuar në parimin e amanetit sipas shembullit të Muhamedit (a.s)”, etj.
Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj:
"I nderuar vellai im, Kryetari I Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Bujar Spahiu!
Të nderuar rektorë ,pedagogë dhe organizatorë të Universitetit “Bedër”!
Jam me fat që ndodhem sot në këtë auditor dhe në cilësinë e Kryegjyshit Botëror Bektashian, më lejoni t'ju përcjell urimet e mija më të mira! Zoti i Lartësuar ju pastë në vëmendje ju dhe krejt familjen tonë shpirtërore!
Nuk ka as më të vglin dyshim se takimet tona në kontekstin e ditelindjes së Profetit Muhamed, Paqja qoftë mbi Të! Perbëjnë ngjarje të gëzuara dhe të rëndësishme.
Këto ditë të shënuara, sjellin në memorjen e brezave të sotëm myslimanë në gjithë Botën, hapjen e një dere të dijes, të mëshirës, të vëllazërisë kundra paditurive,luftërave dhe mërive te shoqërive fisnore. Pranëvenia e “Rrahman” në çdo tekst kur flitet për Profetin tonë, në të gjitha shkrimet dhe artikulimet e brezave të myslimanëve , rrëfen se tiparet e tij, të ngritura në nivelet më të epërme të shënjtërisë, u bënë nxitëse për miliona ndjekës.
Edhe pse Ai nuk është mbinjerëzor, ka meritën e çmuar, të ngrinte nga bataku i asaj kohe vetë nderin dhe dinjitetin njerëzor, në trajta krejt të paperceptueshme më përpara. Ndërsa deri asaj kohe ,nderi dhe dinjiteti njerëzor ishin sinonim i guximit fisnor, epoka muhamedane i identifikoi këto cilësi me cilësitë e zemrës, duke i drejtuar ato devotshmërisht ndaj krijuesit dhe duke ngjizur në fiset arabe ndjenjën kolektive të identitetit.
Ende sot në këtë kontekst , mbeten lapidarë fjalët e Profetit tonë në fjalimin e Tij të lamtumirës, ku midis te tjerave u shpreh:”O njerëz! Në të vërtetë zoti e ka çrrënjosur ndjenjën e nderit nga mendja juaj dhe ka vendosur krenarinë në origjinë…..Të gjithë jemi bijtë e Ademit , dhe Ademi është prej dheu”. Kjo thirrje për dashurinë me vëllanë që ke në krah, pavarësisht ngjyrës, racës, etnis tingëllojnë aktuale edhe sot, në këtë botë të trazuar e me luftëra e polemika gjithfarësh, nga ato për universin, për armët berdhamore, për klimën globale dhe deri tek buka e gojës e miliona njerëzve të varfër. Sikur vetëm një minutë në ditë-natë të kujtojme pikërisht se jemi të gjithë bijtë e Ademit, do të shpërfillnim individualizmin mjeran dhe do të mendonim e ndihmonim njëri-tjetrin si vëllai-vëllanë. Ç'farë na rrefen pandemia botërore, gjurmet vrastare të së cilës janë të freskëta ende? Pikërisht se “Punët e shpirtit” po bjen dita –ditës, kundra problemeve të tjera, cilado qofshin ato. Fakti që vendet e zhvilluara po aplikojnë vaksinën e tretë kundër Covid-19, ndërsa miliona të varfër nuk kanë bërë ende dozën e parë dhe nuk dihet nëse do ta bëjnë ndonjëherë apo jo, është e trishtueshme në aspektin thjesht njerëzor dhe krejt e mjerueshme në kontekstin e vëllazërisë fetare.
Ky shembull dhe qindra të tjerë që na rrethojnë çdo ditë, janë pa dyshim nxjerrje e besimit shpirtëror, janë këmbana alarmi që bien për vetë shoqërinë njerëzore. Këto të vërteta na bëjnë të besojmë se modeli i mendimit, i ndjenjave, i përgjerimit dhe përgjegjësisë historike të Profetit Muhamed, paqja qoftë mbi Të. Duhet të thirren nga të gjithe ne jo thjesht si virtyte të një kujtimi të dikurshëm, por si lëvizje brënda familjes sonë universale të Islamit. Njëherazi të gjithë së bashku, na vlen të jemi të ndjeshëm ndaj këtyre realiteteve ( si bij të të njëjtit Zot) duke rritur energjitë bashkëpunuese të vetëdijshëm për sfidat e shoqërisë njerëzore.
Duke i uruar punë të mbarë këtij takimi,
Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Amin!"