ZHVILLOHET KONFERENCA SHKENCORE: ‘BEKTASHINJT SHQIPTARË, NË LUFTËN E DYTË BOTËRORE’

Ditën e martë, 19 nëntor 2024, në kuadër të 80-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, në Bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, zhvilluan në sallën “Aleks Buda” të kësaj Akademie, konferencën shkencore, “Bektashinjtë shqiptarë në Luftën e Dytë Botërore”.
Përveç akademikëve, studjuesve dhe teologëve të njohur, në këtë konferencë, merrnin pjesë dhe Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, Kryegjysh Botëror i Bektashizmit, Kryetari i Akademisë së Shkencave, Prof. Skënder Gjinushi etj…
Aktiviteti u moderua nga Prof. Hamit Kaba dhe Prof. Bektash Mema.
Pas shoqërimit të Himnit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë dhe Himnit Bektashian, Dede Edmond Brahimaj, përshëndeti të pranishmit në këtë aktivitet të rëndësishëm. Përshëndeti gjithashtu dhe Kryetari i Akademisë së Shkencave, Pr. Skënder |Gjinushi.
Në vijimësi, u përcollën kumtesat: “Baba Faja dhe bektashinjtë shqiptarë në burimet britanike e amerikane”, nga Prof. Hamit Kaba; “Teqeja e Rabies-vatër për çlirimin kombëtar”, përgatitur nga Nuri Çuni & Naim Deraj (kumtoi N. Deraj); “Kontributi i klerit bektashian në çlirimin e Atdheut- rasti i Dede Ahmetit”, nga Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj; “Bektashinjtë e prefekturës së Gjirokastrës në Luftën Nacionalçlirimtare”, nga Bektash Mema; “Klerikë dëshmorë në Luftën Nacionalçlirimtare-Sali Niazi Dede, Baba Feim Vrepcka etj”, nga Prof. Bernard Zotaj dhe “Antifashizmi – motiv madhor për pjesëmarrjen e bektashinjve në LANÇ”, kumtuar nga Prof. Marenglen Kasmi.
Kumtesa e Dede Edmond Brahimajt:
“Kontributi i klerit Bektashian në çlirimin e atdheut- Rasti i Dede Ahmetit”.
“…Jam i nderuar që sot do të kumtoj në ligjëratën time për një figurë të lartë të bektashizmës Shenjti Dede Ahmed Myftari, klerik patriot, atdhetar, paqedashës. Kontributi i klerit bektashian është parë në të gjithë vijën e historisë së njerëzimit. Kjo ka filluar me masakrën e parë, që ka ndodhur me Sulltan Mahmutin e Dytë i cili i ka vrarë më shumë se 1 milion Bektashinj, e më pas me persekutimin e Ataturkut, Qendra Botërore u shkëput nga Turqia dhe ishte Sali Njazi Dede që e sjell fillimisht në Korçë e më pas më 1930 në Tiranë, ku vazhdon të jetë edhe sot Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.
Bektashizmi u persekutua nga Perandoria Osmane dhe në shkrime gjejmë citime të prijësit të Bektashinjve Haxhi Bektash Veli “Perandoria juaj po vazhdoi me parimet e bektashizmit, pa vrarë, kanosur, pushtuar popuj e duke i robëruar ata, do jetë e pathyeshme, e në rast se do të bëjë të kundërtën atëherë do të kthehet atje ku ka qenë në fillim. “Dhe historia e vërtetoi….. Ataturku u mundua ta mbrojë Turqinë nga shpërbërja si shtet, ku dhe Bektashinjtë shqiptarë dhanë një ndihmesë të madhe për mbarëvajtjen e shtetit turk siç janë Rilindasit Shqiptarë vëllezërit Frashëri Sami Frashëri shkruesi i Enciklopedise Turke dhe kontribues në Fjalorin e gjuhës Turke.
Edhe gjatë periudhës Komuniste Bektashizmi ka luajt nje rol të rëndësishëm për të mbajtur gjallë besimin. Janë persekutuar shumë baballarë, shumë dedelerë edhe shumë dervishë, të cilët për të mbrojtur Teqetë për të mbrojtur Kombin, atdheun, për të mbrojtur të vërtetën për të mbrojtur të drejtën , dhanë edhe jetën.
Me ardhjen e Bektashizmit ne Shqipëri, e më vonë Lufta e Dytë Botërore solli shumë pasoja, përfshirje të klerikëve në çlirim e vendit nga okupatori me divizën ” Pa atdhe nuk ka fe”. Një nga këto figura të shquara është edhe Shenjti Dede Ahmet Myftari. Kontributi i tij i çmuar është pasqyruar në disa botime në të cilat i gjeni edhe në bibliotekën e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.
Dede Ahmeti ka lindur më 22 shkurt të vitit 1916, në fshatin Brataj të Vlorës. Mësimet e para në shkollën fillore, i mori në shkollën e fshatit ndërsa të tjerat, në qytetin e Vlorës. Mbeti jetim qysh herët, por mundi të trashëgoj prej prindërve, dashurinë për dije, dashurinë për atdheun. Prej të afërmve të vet, u mëkua më pas, me dashurinë për besimin e kulluar bektashian. Mbaroi shkollën qytetase në vitet 1924-1929 në Vlorë. Më pas shkon ushtar në Dibër në vitin 1936. Këtu u njohë me baba Zenel Dume nga Çepani i Skraparit dhe mori dashurinë dhe besimin te I madhi Zot, mori njohuri për bektashizmin dhe islamin në përgjithësi. Ku qëndroi në teqenë e Bllacës në vitet 1937-1939. U vesh dervish në teqenë e Bllacës nga Baba Zenel. Këtu në teqenë e Bllacës qëndroi dhe shërbeu si dervish nën drejtimin e baba Zenelit në vitet 1937-1939. Ishte vetëm 22 vjeç kur vishet dervish prej baba Zenelit të teqesë së Bllacës në Dibër dhe bën betimin e shenjtë, për t’i shërbyer rrugës së Hakut, deri në frymën e fundit. Një vit më vonë, në qershorin e vitit 1939, ashtu sikundër dhjetëra klerikë të tjerë bektashianë, u rreshtua në krahun e luftëtarëve të lirisë, në aksione konkrete kundër pushtuesve italianë. Në Vlorë dhe Kurvelesh, në Tepelenë dhe Elbasan, fjala e dervishit bektashian zinte vend në zemrat e luftëtarëve. Ajo fjalë ngrohte si dielli në dimrat e atyre viteve dhe ndizte zjarre shpresash të mëdha, shpresash se një ditë do të jetonin të lirë dhe të pavarur, me besimin e palëkundur në Zot.
Veprimtaria atdhetare e dervish Ahmetit Myftarit, bie në sy të autoriteteve italianë. E thërrasin dhe i thonë duhet të heshtë, duhet shkoj në teqe dhe të kujdeset për besimtarët. Ky i dëgjon dhe në heshtjen e thellë u përgjigjet: “Si mund të kujdesem për besimtarë me vatan të shkelur. Vatani njëherë, ai të jetë i lirë, pastaj vjen besimi!” Në fillim të majit të vitit 1943 e arrestojnë dhe e dërgojnë në kampin famëkeq të “Porto-Romanos. Edhe këtu shpirti i lirë i tij, nuk gjen prehje. Fjala e ngrohtë e tij, bind komunist dhe nacionalistë se përpara çdo lloj bindjeje partiake është atdheu. Atij do t’i falemi në çdo kohë, me çdo mjet, në çdo situatë. Me kapitullimin e forcave italiane e lë kampin e “Porto-Romanos” dhe sërish, me pushkë në krah, renditet në radhët e luftëtarëve të lirisë. Pranvera e vitit 1945, e gjen në detyrën e komandantit të Qarkut në Martanesh dhe për para tij çelen dyert e karrierës ushtarake. Provat i kish, aty në vijën e parë, në zjarrin e betejave. Madje në një prej këtyre betejave u plagos rëndë. Shokët e morën në supe e dërguan në spital, duke i rikthyer jetën. Gjithsesi brenda zëmrës së Ahmet Myftarit, gjallonte ëndrra e dervishit, besa që pat dhënë dikur, në mejdan të teqesë së Bllacës. Me shkrimin e tij të bukur, falënderon komandën e lartë për besimin që i kish dhënë dhe në maj 1945, paraqitet në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore, duke hedhur në supe harkanë e dervishit bektashi. Më 2 tetor 1945, merr titullin baba dhe shërben plot devocion në teqetë e Baba Hamitit – Elbasan si edhe Kuzum Baba në Vlorë. Në 2 qershor 1948, me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Bektashian, vendoset në funksionin më të lartë, atë të Kryegjyshit Botëror Bektashian. Kurse në vitet 1948-1958 organizoi arsimin fetar, u përkthyen në gjuhën shqipe dhjetëra libra për bektashizmin. Në këto vite i dha hov bektashizmit dhe u bë faktor i harmonisë fetare midis komuniteteve fetarë tradicional në Shqipëri. Zgjidhi një varg detyrimesh të Komunitetit Bektashian Shqiptar me bektashinjtë e tjerë në gjithë botën.
Vitet e qëndrimit të dede Ahmet Myftarit, në këtë post të rëndësishëm, janë vite të gjallërimit të mëtejshëm të besimit bektashian, vite të respektimit të tri erqanëve tradicional, duke larguar njëherë e përgjithmonë këtë besim të mrekullueshëm, nga kurthet dhe prapësitë e thurura prej partisë-shtet. Në këto vite, portat e teqeve u çelën për mijëra dashamirës dhe myhib, u institucionalizua arsimi fetar, u nxorën prej arkivave dhjetëra libra për bektashizmin dhe u përkthyen në gjuhën shqipe dhe zëri i bektashizmit u dëgjua më larg se kurrë. Në Konferencën Ndërkombëtare “Apel Paqes” në Tiranë në vitin 1956, shpalosi mendimet në referatin e Perëndisë, mbas kësaj filloi lufta ndaj tij nga partia-shtet.
Pikërisht kjo gjë nuk mund t’i pëlqente partisë-shtet e cila thuri rrjetën e merimangës dhe me ndihmën e segmenteve të caktuar të sigurimit famëkeq të shtetit, bëri që dede Ahmet Myftari të linte postin e rëndësishëm dhe të kalonte privacionet në vitet e rënda të internimit të dede Ahmetit dhe dervish Reshatit, në Drizar të Mallakstrës. Privacionet dhe torturat u bënë pjesë e pandarë e jetës së tyre. Por edhe në këto kushte, të dy këta shenjtorë, rrëfyen shpirtin e madh dhe të paepur, rrëfyen vendosmërinë e palëkundur për ta mbajtur të pastër burimin e besimit bektashian.. Ashtu siç kanë pohuar të tjerë besimtarë, përpara nesh, teqeja e Drizarit, u shndërrua në të vërtetë në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Një meritë e padiskutueshme gjithashtu e dede Ahmetit, është fakti që frymën e tij, shenjtërin e tij të panjollosur, ai përcolli plot dashuri në personalitetin e dede Reshat Bardhit. Ky me përkushtimin e vet, me fuqitë e dhuruara nga Zoti, mundi të mbante gjallë besimin tonë edhe në momentet më të vështira, ato të pas viteve 1967. Në këtë periudhë teqeja e Drizarit u shndërrua në Seli e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Ndërroi jetë në 10 korrik 1980.
Dede Reshati thotë për myrshidin e tij, Dede Ahmetin: “E njoha Dede Ahmetin kur isha 17 vjeç. Ai hyri në jetën time dhe do të mbetet aty, deri në frymën time të fundit. Ai më mori për dore dhe më futi në rrugën e ndritur të bektashizmit, në rrugën e ndriçuar prej Pirit tonë Haxhi BektashVeliu. Dede Ahmeti ka qenë dhe mbetet një gurë i rëndë në themelet e bektashizmit shqiptar dhe atij botëror. Me urtësinë e tij, me zgjuarsinë e tij, me guximin e tij, Dede Ahmeti për dhjetë vjet rresht, mbajti mbi shpatulla një varg problemesh me të cilat përballej bektashizmi ynë i kulluar. Ai kurrë nuk u qa, kurrë nuk u ankua, kurrë nuk e lëshoi veten edhe në situatat më të vështira. Në mënyrë të veçantë, kruajua dhe guximi i tij, shkëlqyen në vitet e vështira të internimit, në fshatin Drizar të Mallakastrës. Aty u shfaq si rrallë herë qëndresa e tij. Teqeja e vogël e Drizarit, ai vend i humbur mes përrallesh, u bë Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Tek kjo teqe kanë ardhur me mijëra besimtarë, nga e gjithë Shqipëria. Vinin të rraskapitur, vinin të trishtuar, vinin si nata. Po iknin të çlodhur, iknin të gëzuar, iknin si mëngjesi i bukur. Dede Ahmeti u jepte shpirt dhe dritë nga shpirti dhe drita e tij. Ligjet e regjimit në fuqi, nuk mund të vepronin përballë ligjeve hyjnorë. Dede Ahmeti drejtoi Kryegjyshatën Botërore Bektashiane 10 vjet (1948-1958). Në këto vite u bë faktor i harmonisë fetare midis komuniteteve fetarë tradicional në Shqipëri dhe lidhjet me komunitetet bektashian në gjithë botën. Ai institucionalizoi arsimin fetar, u përkthyen, në shqip dhjetëra libra për bektashizmin. U internua së bashku me dervish Reshatin, në Drizar të Mallakstrës nga shteti monist në vitin 1958. Në këtë periudhë teqeja e Drizarit u shndërrua në Seli e Shenjtë të Kryegjyshatës deri 1967. Ndërroi jetë në 10 korrik 1980. Ai mbetet një figurë e shquar për bektashizmin në Shqipëri dhe në botë.
Busti i tij hijeshon në qytetin e Vlorës dhe vendlindjen e tij në fshatin Brataj. Është shpallur “Qytetar Nderi” i Vlorës. Albapost, në ciklin e figurave të shquara për vitin 2001, ka emërtuar në emisionin e pullave Ahmet Myftar Dede. Janë botuar broshura, libra për jetën dhe veprën e e tij, përgatitur filma dokumentarë dhe kalendarë. Ai mbetet një figurë e shquar kombëtare dhe me vlera të mëdha për bektashizmin.
Në kujtimet e Tij “Dede Ahmeti i gjallë mes nesh”, Baba Selim Kaliçani do të shkruante:
Dervish Ahmeti në Elbasan dhe ngjarjet e luftës……
“…. Dede Rizai mbeti tepër i kënaqur me dervishin e ri dhe sipas propozimit që i bëri, që të nesërmen e dërgoi zëvendësbaba në teqenë e Baba Hamidit në Elbasan, te pusi që lahet vetë. Teqeja dispononte shumë materiale dhe dervishi i shlfetoi dhe mori shumë njohuri prej tyre. Gjithashtu si zot shtëpie që ishte, filloi të shërbejë me gjithë shpirt ne teqe, saqë muhibët e ashikët filluan që të kenë për të një dashuri dhe respekt te madh. Si i ri që qe dhe me shpirt atdhetari, pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste e shikoi me një urrejtje të thellë.
Fshehurazi filloi të aktivizohet në luftën kundër pushuesit bashkë me shumë të rinj të tjerë me ide patriotike dhe, si të thuash, kjo teqe qe jo vetëm një vend përkushtimi fetar, por dhe një çerdhe e luftëtarëve të rinj. Aktiviteti i kësaj celule ra në gjurmë të kuesturës fashiste dhe në prill 1942, 13 prej tyre, bashkë me dervishin i arrestojnë dhe i dërgojnë në kampin e përqendrimit te Plepat e Durrësit, me qëllim për t’i dërguar të internuar në Itali. Në atë kohë Jakomoni ishte zëvendësmbret i Viktor Emanuelit në Shqipëri, kurse Kryeministër qe Mustafa Merlika (Kruja). Ngjarja u mor vesh nga dede Rizai dhe me të shpejtë u aktivizua për lirimin e dervish Ahmetit. Dedej me thotë: “Bëj gati makinën se pasdite do të shkojmë te shtëpia e Kryeministrit për t’i bërë një vizitë shoqërore!”
Një orë para se të perëndonte dielli ne qemë të pranishëm te shtëpia e Mustafait. Qe një vizitë surprizë ku na pritën me mjaft përzemërsi. Pasi shkëmbyen pyetjet e para të takimit, Dedej menjëherë i thotë Kryeministrit: “Kam ardhur të me lirosh djalin (dervishin), sepse duan te ma internojnë në Itali.”
Zotëria i tha: “Nuk i futem dot kësaj pune, se me të merret direkt Jakomoni.” Gjatë bisedës morën pjesë dhe anëtarë të familjes Merlika dhe të ndikuar dhe nga thëniet e tyre, Mustafai tregoi shpirt dhembshuri e tha: “Unë po mundohem, megjithëse garanci nuk jap.” Pas këtyre fjalëve, të cilat Nazarit i dhanë një farë shprese, u larguan. Dervish Ahmeti sa ngrihet nga gjumi i thotë shokëve të kampit: “M’ u dha sihariq nga Zoti i Larte, se sot ne orën 7 do të lirohem.”
Të gjithë filluan të qeshin, se asnjëri s’i besoi fjalët e Tij.
Pas dy orësh shakaje, në dhomë të kampit futet gardiani dhe me zë të lartë thërret: ” Dervish Ahmet Brataj të marre rrobat e të dalë.” Shokët u mahnitën, panë orën 7 fiks dhe tani besuan në shenjtërinë e tij e me lot në sy, u ndanë nga dervishi.
Që në ditë të një lëvizjeje të madhe patriotike dhe urrejtja për fashizmin çdo ditë shtohej më tepër. Atdheu thërriste rininë për luftë për çlirimin e vendit.
Bektashinjtë gjithmonë kanë qenë patriotë dhe me pushkë dhe penë kanë luftuar për lirinë e atdheut dhe popullit.
Dervish Ahmeti qe jo vetëm i përkushtuar në rrugën e Hakut, por dhe në shpirt i vlonte ndjenja e atdhedashurisë si dhe disa klerikëve të tjerë a muhibëve te vërtete që nga Rilindja e deri në këto dite.
Naimi në vjershën “Korça” ne fq.48 shkruan:
“S’jemi grekër as bullgarë,/
Asgjë tjeter nuk jemi,/
Jemi vetëm shqipëtarë,/
Ne këtë emër nder e kemi…”
Po ky poet dhe myhib i bektashizmit urrejtjen ndaj tradhtarëve të vendit e shpreh në vjershën “Tradhtarët”
“Bukë e mëmëdheut zëntë,/
Tradhtarët e pabesë,/
Dhe Zoti derman u dhëntë,/
kurrë, mos paçin pjesë…
Kurse nga libri “Besimi e atdheu”, botuar me 1933 prej dervish Rizait të Leskovikut me versha të baba Meleq Shemberdhenjit mes tyre, shkëputem vargjet:
“Dashurinë e mëmëdhesë,/
Që kur lind, gjersa të vdesë,/
Njeriu të mos e presë…”
Dervish Ahmetit i vlonte në deje ndjenja e atdhedashurisë, që asnjëherë s’e ndante nga përkushtimi fetar e, për këtë doli në mal partizan dhe u inkuadrua ne çetën e Pezës.
Në luftë me armiqtë pushtues dervishi i ri u plagos dhe për shërim u strehua në Kryegjyshatë, në një vend të sigurt. Thirrjes për çlirimin e vendit ju përgjigjen dhe shumë klerikë të tjerë, që urrenin pushtuesit gjakatarë. Meqë Tirana jetonte në shtetrrethim, guerrilasit e qytetit e morën dervish Ahmetin dhe e dërguan ne lagjen “Brakaj” për ta kuruar, ngaqë këtu nuk binte ne sy dhe për të mos e njohur, hoqi rrobat e dervishit dhe u bë civil.
Meqë më 1944 teqeja qe e djegur dervish Ahmeti shërbente si komandant poste këtyre anëve dhe, pasi kishte mbledhur batanijet dhe gavetat e italianëve, i sjell ne teqe, shtron batanijet në tyrbe dhe njofton se do të këndonin Hadikanë, të shkruar me dorë…
“Njihe veten tënde o Njeri përpara se të perëndosh….” -Dede Ahmed
Konferenca e Paqes 1949 Tiranë- Dede Ahmet Myftar Ahmataj do t’i drejtohej këtij tubimi madhështor me oratorinë e lartë dhe përulësinë e shenjtëruar.
“…Besimi i shenjtë tek një Zot i vetëm dhe i pashoq, na ka sjellë sot në apelin e paqes.
Shpreh mirënjohjen time më të thelle, si lider shpirtëror i Bektashizmit, që në emër të Komunitetit Bektashian të përshëndes këtë konferencë ndër fetare të paqes.
Promovimi i paqes dhe stabilitetit të saj, duhet të ndihmojë kohë pas kohe jo vetëm brenda trojeve tona shqiptare, por në mbarë botën. Paqja ishte dhe do të mbetet misioni ynë.
…Naimi i Madh, ky bilbil i bektashizmës, në Fletoren Bektashiane shkruan:
-Besa e bektashinjve është,/
Udhë e gjerë, që ka përpara,/
Dritën, urtësinë, vëllazërinë,
Miqësinë, dashurinë,/
Njerëzinë dhe gjithë mirësitë./
Me një anë ka lulet e diturisë,/
Në anën tjetër të së vërtetës./
Detyra jonë është,/
Të paqësojmë njeriun,/
të përkujdesemi për varfërinë,/
Të mërgojmë ligësitë e marrëzitë,/
Të mos kemi lakmimin dhe madhështinë,/
Babëzinë, të rremat dhe gjithë të këqijat,/
Që janë jashtë udhës së njerëzisë…”
Ne e kujtojmë Dede Ahmetin në pafundësinë e kohës, me nderim jo vetëm emocional apo ceremonial, por me një nderim të ditur. Nderim për klerikun, atdhetarin, filozofin dhe bektashianin e spikatur. Dede Ahmeti ka mbetur apel i kohës në kohë …
Adhuruesit e Dede Ahmetit vetëm lindin dhe kurrë nuk vdesin. Është e vështirë të flasësh për të thjeshtin, besimtarin e urtë, njeriun e përvuajtur me një plotfuqishmëri ringjallëse. Ai eshtë vetëdija dhe njëherazi lidhja me të tjerët. Ai eshtë nje botë, e cila perbën universin e plazmuar ne traditat paraardhëse te besimit në udhën e Zotit të madhërishëm.
Vepra e Tij është arti i te menduarit. Eshte perandoria e virtytit. Gjate gjithë jetës së vet, jetoi duke mohuar vetveten, duke dashur te tjerët. Kjo për Atë përbënte marrëveshjen më të madhe, dhe kishte bërë me vetveten në udhën e përkushtimit, ligjësi te cilën e konfirmoi në jetë.
Kjo domosdoshmëri madhore e bëri Atë të gjeneronte mendimin e veprimin human. “- Ne, – thoshte Dede Ahmeti, do te mund tu shërbejmë besimtarëve nëse duam vetveten dhe do te dimë që nëpërmjet vetes të respektojmë ata që jetuan para nesh dhe na mundësuan jetën.” E donte udhën e urtë, e donte besimin. Endet edhe sot shpirti i Tij ndër besimtarë. Ai, shtegtar i mërguar, histori e paharruar.
“Njeriu duhet të jete i ndërgjegjshëm për rrugën që zgjedh dhe konsekuent në zgjedhjen që bën. Sherbëtor i sherbëtorëve. Dede Ahmet Myftari”
Vlerësimet për Dede Ahmetin në vite:
-Nga Presidenca, Urdhri për Veprimtari Patriotike të Klasit I (pas vdekjes) 16.07.1993
-Qytetar Nderi i Vlorës (pas vdekjes) 30 .10. 2000
-Figurë e shquar në emetimin e pullave, Albpost 2001
-Personaliteti i Labërisë, nga Shoqata “Labëria”, 25.02. 2014
-Nga Presidenca, “Nderi i Kombit” (pas vdekjes), 22 shkurt 2016
-“Qytetar Nderi i Komunës Brataj “ (pas vdekjes), gusht 2016
-Vendosja e bustit në Qytetin e Vlorës…
-Vendosja e Bustit në Brataj, 2011
-Vendosja e Bustit në Krujë, dhjetor 2021
-Botime librash dhe filma.

Burime
-Arkivi i Shtetit.
-Amataj, Kujtim: “Shenjti Këmbzbathur”, Tiranë
-Ahmataj, Kujtim: “Shërbestar i Harkasë”, Tiranë
-Baba Selim Kaliçani: Dede Ahmeti i Gjallë mes nesh”, Tiranë
-Cuni, Nuri & Deraj, Naim: “Bektashizmi në Tepelenë Tiranë 2023, fq. 106-109.
-Revista “Urtësia”: Nr. 25, shkurt 2001, nr. 30 gusht 2002, Nr. 84 gusht 2011, nr. 111 shkurt 2016, Nr. 123 dhjetor 2017, nr. 123, shkurt 2022, nr. 146 shtator 2022.
-Album fotografik, shkurt 2016.
-Elsie, Robert: “Bektashinjtë Shqiptar, Historia dhe kultura e një rendi dervishësh në Ballkan.’ Tiranë 2020, fq. 604-605.

 

Fotot: Nuri ÇUMANI