ZHVILLOHET NË BERAT, KONFERENCA SHKENCORE, ‘FERIT VOKOPOLA, RRUGA E NJË MENDIMTARI TË KOMBIT’

Të hënën, më 28.10.2024, në Qendrën Mesjetare të Beratit, Bashkia e Beratit, organizoi konferencën shkencore, “Ferit Vokopola, rruga e një mendimtari të Kombit-patriotizëm, ligj, mistikë dhe art”. Në sesionin shkencor, morën pjesë: Prefektja e Qarkut Berat, Valbona Zylyftari, Sekretari i Përgjithshëm i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Nuri Çuni, përfaqësues të komuniteteve fetarë të Beratit, familjarë të fisit Vokopola, studjues etj. Konferenca ishte planifikuar dhe u realizua me paraqitjen e kumtesave: “
Ervin Demo, Kryetar i Bashkisë Berat me kumtesën, “Kontributi i atdhetarëve dhe intelektualëve beratas mbas vitit 1912”; studjuesi Niko Ferro me, “Aktiviteti patriotik i Ferit Vokopolës në qytetin e Lushnjës dhe organizimin e Kongresit Kombëtar të Lushnjës”; Nuri Plaku me, “Kontributi i Ferit Vokopolës në Qeverinë e Parë Shqiptare të Ismal
Bej Vlorës”; Mariglen Guga me, “Ferit Vokopola, zëri i ligjit dhe integriteti në Kuvendin Shqiptar”; Myzejen Hoxha me, “Ferit Vokopola dhe familja e tij e madhe”; Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjysh Botëror i Bektashizmit, me, “Shpirti Mistik i Ferit Vokopolës dhe urtësia tij e traditës Bektashiane”; Sajmir Plaka, me, “Ferit Vokopola – udhëheqës në themelimin e Arsimit Islam Shqiptar, në hapjen e Medresesë së Tiranës”; Majlinda Ramaj, me, “Thellësia shpirtërore në Fjalë dhe Poezi e Ferit Vokopola”. Kumtesa e Kryetarit të Bashkisë Berat, u paraqit nga nënkryetarja e këtij institucioni, ndërsa ajo e Selisë së Shenjtë Bektashiane, nga Nuri Çuni.

PJESË NGA KUMTESA “SHPIRTI MISTIK DHE URTËSIA E TRADITËS BEKTASHIANE
…Ferit Vokopolën, një figurë dimensionale dhe me kulturë të lartë e kujtojmë sot, për ti sjellë brezit të ri brezit të ri se ditura do çoj përpara vendin tonë. Ai na bashkon të gjithëve dhe ishte një prej figurave poliedrike të kohës, gjithëpërfshirës, si një politikan, ekonomist, teolog, poet, filozof dhe eseist. Por ai është dhe një njohës i mirë i Islamit dhe bektashizmit. Në vendlindjen e tij, kemi teqenë e famshme të Vokopolës me një histori të madhe para shek. XVI, që lidhet edhe me pelegrinazhin e Tomorrit, në Çukën Abaz Ali. Sigurisht, ai shquhet për kontributin e tij të shquar për diturinë Islame dhe shpirtin mistik. Ai Bashkëpunoi me Kryegjyshatën Botërore Bektashiane me fillimet e saj të viti 1930, sidomos gjatë viteve 1950 -1958, me ish-Kryegjyshin Botëror Bektashian, Ahmet Myftar Dede. Sot kemi në Bibliotekën e bektashizmit librat e përkthyera në këto vite si pjesëtar i grupit përkthyes me: Mulla Qerimi, Isuf Goskova, Ferit Vokopola,, Shyqyri Hoxha, Xhelal Rusi. Ai përktheu me mjeshtëri në këto vite, librat: “Pasqyra e Qëllimeve”, “Dhjetë Ditët e Matemit”, “Thellësirat e fantazisë”, “Mevludi Sherif” etj. Shkëlqeu në përkthimin e Kuranit për dhjetë vjet dhe la në dorëshkrim, Kalendarin osman. Ai gjatë gjithë jetës së tij iu përkushtua fesë islame dhe ishte ndër themeluesit e Medresesë së Tiranës dhe bashkëpunëtor i njohur i shtypit laik e fetar. Ishte Kontribues i zjarrtë në revistën “Zani i Lartë” (1923-1939) dhe “Njeriu” (1942). Ai shquhet edhe si autor i librave, përmbledhjes me vjersha, “Fluturimet e shpirtit” (1919),vëllimi me poezi. “Symbyllazi me ëndërrimet” (1920), veprën poetike “Gjëmimi i Tomorit” (1942), vëllimi i parë dhe i dytë. Një libër interesant me thellësi të jashtëzakonshme mistike, filozofike që i shërben çdo njeriu, është libri “Thellësirat e fantazisë” të autorit Amaki Hajal Shebenderzate Ahmed Hilmi, përkthyer nga Kadri Vokopola. Ja një citim nga ky libër:
“…Këtë botë që perëndon, shihe me pendesë, o xhan,/
Zgjohu pakëz, lëre gjumin, se pa gjë s`është ky mejdani!/
Ku është mbreti Sulejman, ku është trimi Skënder Han?/
Qindra mijë gëzime jetë, po të shkojnë, një çast janë;/
As bilbilit, trëndafilit, kopsht i botës nuk mbet./
Nuk më thua kujt iu bë qielli shok e mik në jetë…?/
Udhëtimi i tij gjatë jetës, është plot vrull dhe atdhetar i madh, si themi ne bektashinjtë se, “Pa atdhe nuk ka fe”. Ai ishte firmëtar i shpalljes së Pavarësisë (ishte 25 vjeç), organizator në Kongresin e Lushnjës, deputet i Vlorës dhe Beratit gjatë viteve 1920-1928).
…Si një njeri me kulturë të madhe, pasqyronte të drejtat e njeriut dhe drejtat e pluralizmit kulturor dhe lidhte kulturën e lindjes dhe të perëndimit dhe ato u ngjizën në kulturën shqiptare. Por ajo që e karakterizon Ferid Vokopolën është përfaqësuesi më i shquar i misticizmit islam në Shqipëri. Si njohës i mistikës ai dha kontribut të ndjeshëm dhe më tej drejtoi organizatën “Drita Hyjnore” ku aderonin tarikatet Rifaii, Kadirii, Saadii dhe Tixhanii, të themeluar më 3 mars 1936, në cilësinë e shehut të tarikatit Rifaii. Po kështu Organizata botonte predikuesen me po të njëjtin titull më 1938, si dhe botoi organin e saj të përkohshmen “Njeriu” deri në qershor të 1944.
…Si intelektual i shquar për kohën Feriti u shqua si publicist, teolog, eseist, përkthyes i teksteve në gjuhët orientale. Ferit Vokopola mban meritën e përkthimit për herë të parë të Kuranit në shqip. Ndër të tjera, Ferit Vokopola luajti një rol të rëndësishëm në organizimin e komunitet mysliman dhe tarikateve të tjera në Shqipëri, ngritjen e Medresesë së Tiranës, etj.
Duam të theksoj me këtë rast se organizimi i sufistëve në strukturë të veçantë u quajtën tarikate. Te gjitha tarikatet janë rrugë të besimit islam që afirmohen që në kohën e Profetit Muhamed a .s. dhe pasohet tek Imam Aliu r. a., i cili mbetet burim i tarikateve mistike, që për nder të tij quhen me emrin e lartë Tarikatet-Ali-ije. Tarikatet janë përfaqësuesit më të lartë të niveleve mistike. Tarikatet i përmbahet boshtit orientues: Profeti Muhamed a.s. është Sheriati i besimit Islam, është drita e Tarikatit, Imam Aliu r. a. është Tarikati i këtij besimi. S’ka Sheriat pa tarikat dhe s’ka tarikat pa Sheriat. Janë në unitet e kuptimit dhe konceptimit metaforike i “shtegut” të tarikatit, i cili ecën gjatë rrugëtimit të gjatë dhe të vështirë, që ndërmerr mistiku, që vijon nga shtegu i rrahur ekzoterik (i jashtëm) i Sheriatit për tek hakikati ezoterik(i brendshëm). Dera e katërt pas sheriatit, tarikatit, marifeti dhe hakikati. Tarikatet në përgjithësi ndjekin praktikat e Profetit Muhamed a.s. dhe të Imam Aliut r.a., si të kënaqurit me pak dhe thjeshtësinë, aplikojnë rite të fshehta dhe të hapura (ziqer). Këtë e njihte mirë Ferit Vokopola sa në vargjet poetike shprehej:
“Filloj me emrin e të madhit Zot
Që është bekues e Mëshirëplot”.
…Do të ndalemi në një letër që Ferit Vokopola i ka dërguar Kryegjyshit Botëror të kohës Ahmet Myftar Dede, një mik i dënje, me rastin e përkthimit të librit “Miratyl Mekasid”, “Pasqyra e Qëllimeve”, në vitin 1952a si shkruan:
Shkëlqesisë Tij, Kryegjysh Ahmed Myftar Dede, Kryetar i Komunitetit Botëror të Bektashinjve! Me rastin e mbarimit të përkthimit të librit “Miratyl Mekasid”, “Pasqyra e Qëllimeve” që patët mirësinë dhe besimin të më ngarkonit mua fakirit, e çmoj një detyrë mirënjohje t`u falënderoj dhe t`u parashtroj këtë letër, që të jetë përkujtim bashkë me këtë përkthim në bibliotekën e asaj të shenjtë Kryegjyshatë. Në vazhdim të tetë muajve, duke punuar çdo ditë nga nëntë orë, me ndihmën e enerlerëve, u mbarua kjo vepër më rëndësi jo vetëm për vëllezërit bektashinj shqiptarë, por për të gjithë miqtë e tarikateve të tjerë dhe për ata të zahirit. Libri ”Miraty Mekasidi autorit Sejid Ahmed Rifat ka dalë në sheshin e botimit, në një kohë kur në Turqi kishin filluar prapë aty-këtu ngatërrimet kundër tarikateve. Ky e si ky libra, mbyllën gojën e njerëzve të cekët, që nuk e dinin se sheriati, tarikati, marifeti dhe hakikati ishin veprat e themeluesit të sheriatit: Profetit Muhamed a.s, i cili ka urdhëruar e ka thënë: “Ju flisni njerëzve sipas shkallës së mendjes së tyre”! Në librin “Pasqyra e Qëllimeve” janë endur brendësi për shkallë mendore të ndryshme, secili sipas gradës së mendjes le të marrë pjesën e përfitimit të vet duke u udhëzuar nga myrshidi qamil. Në atë janë edhe disa pak tregime të kohëve të vjetra, sende që edhe autori i ka shkruar me rezervë, në të tilla raste ai ka përdorur fjalën “denelldi”, domethënë “u tha”. Këtë fjalë e kemi thënë edhe neve në përkthim. Megjithë këtë, sikurse në të gjithë librat e kaluar të tesavvufit dhe të kësaj kohe që u botua ky libër, madje po në këtë vetë, kur kërkohet që panteizmi aplikohet në gjendjen rruzullinore, ndiqen teoritë fizike e astronomike të Patlemjosit, që e kanë thelbin në teoritë e filozofëve të vjetra, greke. Në shekullin IX këto teori u ndryshuan ndry me teori të reja dhe në shekullin XX që po jetojmë neve, teoritë mbi krijimin e botëve, të jetës, bimëve, kafshëve dhe të njerëzve, e të tjera e të tjera si këto, kanë marrë trajtën e vërtetimeve të pamohueshme. Se shkenca që është pjellë e mendjes së përsosur, është duke bërë mrekullitë e saj në zbulimin e mistereve të natyrës dhe të njeriut. Të gjitha këto janë punë të kësaj bote dhe nuk kanë të bëjnë me të tejmen jetë. Kur e pyetën Profetin a. s., mbi çështjen e hurmave, Ai ju tha: «juve, për punët e kësaj bote keni kompetencë më shumë se. unë»! Ai prapë ka urdhëruar e ka thënë: «Feja është mendja, kush nuk ka mend, nuk ka fe»! Kjo do të thotë se feja kurdoherë duhet të shkojë paralelisht me përparimet mendore. Kurani i Madhërushëm thotë: «Allahu është drita e qiejve dhe e tokës»! Shkenca e djeshme; e sotmja dhe e ardhshmja e kanë burimin, e tyre në këtë dritë që shpjegon ky verset. Nuk ka gjë as të njomë, as të thatë që të mos jetë në librin e shquar, që është njeriu i përsosur, Kurani e gjithësia. Kurani, në sure Ali imran – Familja e imranit, verseti 7, kur bën fjalë mbi teevilin e myteshabihateve, thotë: “Kurrkush nuk e di përveç Zotit dhe përveç atyre që janë të fortë në dituri”. Domethënë, vërteton kompetencën e atyre që janë rasihune fil-ilm.