Të enjten, më 27 janar 2022, në Gjyshatën Bektashiane në Gjakovë, u zhvillua ceremonia përkujtimore për një vjetorin e kalimit nga jeta të ish-Kryetarit të Komunitetit Bektashian të Kosovës, Baba Mumin Lama (1949-2021), si dhe 47 vjetorin e kalimit nga jeta të Baba Musa Himaduna (1900-1975). Përveç Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, mernin pjesë dhe kreu i tarikatit kadri në Tiranë, sheh Bujar Horosani; dervishi i teqesë Harabati në Tetovë, dervish Abdylmutalib Beqiri; myhibja bektashiane Afërdita Lama etj... Duke përkujtuar Baba Muminin, Kryegjyshi, Dede Edmond Brahimaj u shpreh: “Të nderuar besimtarë, të ardhur nga Kosova Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut! Si Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, më lejoni t’ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë ditë të veçantë dhe lus Zotin e Lartësuar, të sjellë kurdoherë paqe e begati në familjet tuaja, në të gjithë trevat shqiptare, në të gjitha komunitetet bektashiane, kudo ku janë, anekënd botës! Na kanë mbledhur sot në këtë ditë të bekuar, dy evenimente të rëndësishëm, një vjetori i ikjes nga kjo jetë i baba Mymin Lamajt dhe, 47-vjetori i kalimit nga jeta i baba Musa Himaduna. .. Këtu, në këtë vënd, plot një vit më parë, u nda fizikisht nga kjo botë, vëllai jonë, baba Mumin Lama. Vëllai jonë, kleriku Mumin Lama, e la botën materiale për t'u bashkuar me shpirtrat e pastër, duke lënë pas shembullin e devotshmërisë, përkushtimit në udhën e Haxhi Bektash Veliut, kontributin e çmuar fetar e atdhetar të besimit tonë të paqtë. Ndarja nga kjo jetë e vëllait tonë baba Mumin Lamaj, është një humbje për ne të gjithë besimtarët bektashianë kudo ku ndodhen në botë, njëkohësisht dhe një detyrim për të punuar më shumë, bashkë me myhibët, klerikët, besimtarët e dashamirësit, për të çuar më tej misionin fetar e atdhetar të baba Mumin Lamës, në teqenë e njohur të Gjakovës. Baba Mumin Lama lindi më 1 qershor të vitit 1949 në Gjakovë, nga një familje e njohur e besimit bektashiane. Në vitin 1987, ai pranohet myhib i baba Tajarit. Meqë shfaqi vlera të larta morale, kombëtare e fetare, në vitin 1993, babai Tajari, e gradoi Mumin Lamën ‘Dervish’. Pas kalimit nga jeta i baba Tajarit më 1994, anëtarët e Teqesë së Gjakovës, vendosën që prijësi i zgjedhur të jetë dervish Mumin Lama. Në vitin 1996, bazuar në rregullat e Tarikatit Bektashian, Baba Mumin Lama u emërua postnishin i teqesë së Gjakovës nga Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede baba Reshat Bardhi. Baba Mumini, u vu në krye të teqesë së Gjakovës, në kohëra të vështira për Kosovën. Dekada e 90-të e shekullit të 20-të, u veçua në histori për dhunën e gjithanshme të regjimit serb ndaj popullatës shqiptare; u mbyllën institucionet e shkollat. Por, baba Mumini, duke njohur traditën bektashiane dhe atë të vetë teqesë që drejtonte, u angazhua që këtë tempull fetar ta kthejë në qendër për manifestime fetare-kulturore-artistike e historike, e njëkohësisht e dha teqenë për shkollë, për maturantët e gjimnazit të Gjakovës. Baba Mumini, njihej për qetësinë që reflektonte, për urtësinë e bujarinë e madhe. Tregonte respektin për çdo qenie njerëzore, ngrihej me konsideratë si për fëmijët ashtu për të moshuarit. Nuk dallonte njerëzit në elemente që diferencojnë, por këto i konsideronte pasuri të esencës së qenies njeri. Kështu ai do të kujtohet në breza.
Për Baba Mumin Lamën foli dervish Rrauf Radoniqi i Teqesë së Gjakovës. Ndër të tjera, ai tha: “Muajt e vitet po lëvizin shumë shpejt, por edhe mallëngjimi pona shtohet. Baba Mumini udhëhoqi për Teqe dhe Komunitetin Bektashian të Kosovës. E pati fatin të jetë udhëheqës në kohë të vështirë,në luftë dhe pas luftës. Ka dhënë kontribut të madh dhe të çmuar. E përjetoi djegien dhe shkatërrimin e teqes, të tyrbes e të bibliotekës. E rindërtoi teqenë, tyrben dhe u angazhua që ta pasurojë bibliotekën. Natyrisht që nuk ka qenë e lehtë për të, por kishte besim të plotë në Zotin e madh, e gjërat bëheshin!Nuk ka dyshim që Baba Mumini do të përmendet e kujtohet në këtë teqe, por edhe në hapësira të tjera. Është urtësia e tij që do të na udhëheqë. Butësia e tij do të na motivojë. E këshillat e Baba Muminit, myrshydit tonë, do të na udhëheqin në këtë jetë, në atdhe-dashuri dhe në besimin që e mësuam nga Hynqar Haxhi Bektash Veliu.”
Në fjalën e saj, myhibja bektashiane, njëkohësisht bashkëshortja e të ndjerit, ndër të tjera u shpreh: “Traditat Bektashiane i njohu qysh në fëmijëri, e dashuria e madhe për Bektashizmin e trashëguar nga familja si dhe ndershmëria që e shoqëronte e bënë që figura dhe fjala e tij të jenë të paharruara në rrugëtimin e secilit prej nesh. Si familje e Babait patëm privilegjin që të mësojmë për së afërmi vlerën e të qenurit njerëzor, paqësor, e të përkushtuar. Për tri dekada pareshtur Babai me punën e tij të palodhshme u bë shembull i tolerancës ndërfetare brenda dhe jashtë vendit, gjë që e dëshmojnë vizitat e shumta që kishte nga përfaqësues të Ambasadave dhe organizatave të misioneve të ndryshme ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë. Unë si myhybe sot dhe çdo herë i jam falëndëruese Kryegjyshit botëror Bektashian, Baba Mondit për përkujdesjen shpirtërore dhe humanizmin që tregoi që nga sëmundja e deri te shkuarja në përjetësi të Baba Muminit.”
Njëkohësisht, u përkujtua 47 vjetori i kalimit nga jeta të Baba Musa Himadunës. Me lutjet e Kryegjyshit, sipas rregullit bektashian u kompletua mezari i Baba Musa Himadunës në tyrben e baballarëve në teqenë bektashiane të Gjakovës, pas rivarrimi të tij që u bë më 15 janar 2022 – pasi 47 qëndroi në varrezat e qytetit në Gjakovë.
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj, duke kujtuar Baba Musa Himadunën, shpalosi hollësi nga jetëshkrimi i tij, veçoi kontributin fetare dhe kombëtar dhe kulturën e gjerë që zotëronte Baba Musa. Ndër të tjera, Kryegjyshi tha: “Veprimtaria e dervish Musës, gjatë gjithë jetës, shpalosi dashuri të thellë mistike. Duke e njohur mirë se kush ishte dervish Musa, përgatitjen fetare, intelektuale e ndjeshmërinë njerëzore të tij, Halife Baba Qazim Bakalli-postnishin i Gjyshatës Harabati, e gradon Musa Himadunën “Baba” dhe e vendos postnishin në Kërçovë. Këtu, baba Musa Himaduna, pranoi shumë myhibë, në Kërçovë, nga zona të tjera të Maqedonisë e deri në Turqi. Aktiviteti i baba Musa Himadunës ka vazhduar edhe më tej në teqenë Harabati të Tetovës. Më parë, bashkë me Baba Qazimin kishin kryer mrekulli në këtë tempull të shenjtë, duke bërë punë jetike për mirëmbajtjen e rikthimin e Harabatit. Gjithashtu, baba Musa Himaduna vazhdoi aktivitetin edhe për pak kohë në Maqedoni. Abuzimet e komplotet e ndryshme, bënë që baba Musa Himaduna, përfundimisht, në vitet e gjashtëdhjetë të shekullit të 20-të, të kthehej në Gjakovë.”
Për baba Musa Himadunën, foli dervishi i Teqesë së Gjakovës, Rrauf Radoniqi, i cili ndër të tjera tha: “Baba Musa kaloi nga jeta në epokë të rëndë, kur për shkak të rrethanave politike nuk patën mundësi ta varrosin në tyrbe, për shkak se teqeja ishte në qendër të Gjakovës. Babai u preh për 47 vjet në varrezat e qytetit, por anëtarët dhe klerikët e teqesë tonë përherë kanë bërëpërpjekje që Baba Musa të sillet në vendin që i takon, përkrah vëllezërve të tij. Pas një kohe kaq të gjatë të pritjes, me dëshirën e flaktë të bektashinjve të Gjakovës dhe me lejen e Kryegjyshit, Dede Edmond Brahimaj, më 15 janar 2022, ditë e shtunë, Baba Musa erdhi në vendin që i ishte rezervuar dhe që i takonte. Tani, ia bëjmë respektin në tyrben e baballarëve të teqesw sonë.”
Në ceremoninë e vendosjes së mezarit të Baba Musës ishte prezent myhibja e tij, motra jonë Emine, që erdhi nga Maqedonia për ta nderuar myrshydin e saj.
Të pranishmit, ndoqën me interes dhe ekspozitën fotografike të përgatitur për këtë event.
Përgatiti:
Lorik BAKIJA