ZHVILLOHET PELEGRINAZHI I PËRVITSHËM NË TEQENË E BABA “ALI JASHAR KRENËS”, NË SOPOT

Qindra besimtarë bektashinj u bashkuan ditën e sotme, 11 tetor 2022, në pelegrinazhin vjetor tradicional në teqen e baba Jashar Krenës, në Sopot , një klerik i njohur ky, për rolin e tij si fetar, arsimdashës e atdhetar.
Në këtë pelegrinazh morën pjesë edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj; Kryetari i Bashkisë Bulqizë z. Lefter Alla, klerikë dhe shumë besimtarë të tjerë të ardhur nga zona të ndryshme të Bulqizës.
Në fjalën e Tij përshëndetëse, Kryegjyshi uroi besimtarët për këtë ditë të madhe, duke u lutur për sa më shumë begati, mirësi e shëndet për të gjithë kombin shqiptar.
Nga ana tjetër, z. Alla, ndër të tjera u shpreh se, janë pikërisht këto vende të shenjta, që na nxisin për të qenë më të të drejtë në raport me të tjerët, me veten, dhe mbi të gjitha me Zotin. Sipas tij, të gjitha besimet fetare në vetvete përfaqësojnë një sistem jetese, ku urdhërohet e mira dhe mohohet e keqja, s’ mira e ligësia ndaj tjetrit.
Historik:
Baba Jashari lindi në vitin 1854. Në moshën 17-vjeçare u dorëzua muhib e dervish në Teqenë e Shah Memi Babait në Fushë-Krujë, nga dora e myrshidit të vet, baba Hysen Kukeli, i cili ishte dervish i baba Isufit, dhe ‘Baba’, nga baba Abdullah Melçani, në vitin 1877. Baba Jashari, pas kalimit nga jeta të Baba Hysen Malit, dërgohet në Ballenjë, tek shpella e bekuar e Ballëm Sulltanit. .. Ai u kthye tek gjyshi i tij, dervish Bajram Kalenderi, si për të na thënë; “Se misioni hyjnor në prehrin e Ballëm Sulltanit do të vazhdojë në jetë të jetëve“. Baba Jashari, në vitin 1899 sheh erqanin e lartë të myxheretit, dhe merr titullin Halife në Hazreti Pir – Haxhi Bektash. Këto ceremoni të shenjta ai i pa tek myrshidi i tij madhështor El Haxh Mehmet Ali Dede Baba. Baba Jashari shkruhet se ka vizituar shumë vende të shenjta, si Qerbelanë, Nexhefin, Xhaminë Aksa në Palestinë si dhe pesë gjyshatat e kohës së artë. Baba Jashari, si myxheret dhe halife ka dorëzuar shumë muhibë, nga Elbasani, Kostenja, Martaneshi, Gryka e Madhe, Bulqiza, Kruja dhe Dibra e Madhe. Ai ka dorëzuar edhe shumë dervishë e baballarë, siç ishin; dervish Selmani, dervish Isuf Tasha i dytë, dervish Ramadan Cani, dervish Avdi Cuka, dervish Shaqir Malin, dervish Rushit Tollen, dervish Hajdarin nga Përmeti të cilin pasi u bë ‘Baba’, e la zëvendësin e tij me amanet. Nga këta dervishë ai zgjodhi për të qenë baballarët e vazhdimësisë; baba Isufin e dytë, baba Rushit Tollen dhe baba Hajdarin.
Baba Jashar Krena, si vizionar dhe misionar i shquar, në vitin 1883 themeloi teqenë e Bllacës, në luginën poshtë tyrbes së Baba Isufit të parë, duke hapur siparin e udhërrëfimit edhe për Grykën e Vogël.
Në vitin 1898, Ai ndërtoi teqenë e poshtme në fshatin Peshk të Martaneshit. Kjo teqe edhe sot quhet mësonjëtorja dhe teqeja e baba Jasharit. Kjo teqe u shërben besimtarëve gjatë periudhës së dimrit kur malet mbushen me dëborë. Në vitin 1882, baba Jashari ndërtoi tyrben e baba Hysen Malit dhe të Baba Metë Krajkës, në Zerqan. Ai, në teqenë e ngritur në fshatin Peshk të Martaneshit, pikërisht brenda saj, përgatiti vend pushimin e kabrit të tij, në krahun lindor, në katin e parë të teqesë. Baba Jashari e la me amanet, “këtu do të pushoj përkohësisht ku do të kujdesem për këtë truall të shenjtë”.
Nga viti 1967 kur u prishën dhe u sheshuan të gjitha kultet e besimeve në Shqipëri, teqeja e Baba Jasharit shpëtoi për mrekulli. Regjimi i kohës, e ktheu atë në spital, për të mjekuar plagët e trupit, pa ditur se po hap mijëra plagë zemre brenda shpirtit të çdo besimtari. Baba Jashari e kreu misionin e vet duke na lënë amanet teqenë e poshtme që gëzon emrin e tij të shenjtë për t’ju kthyer profecisë së lënë po nga ai vetë ‘këtu në këtë shesh, pranë këtij filizi rrapi’, me dorën e tij nguli një kufi, duke thënë: “Këtu do të vijë koha që trupi im do të pushojë për së dyti, prandaj kjo pemë do të thirret që sot lisi i Baba Jasharit!”. Lisi është një mrekulli hyjnore, ku në skajet e rrënjëve të tij duket kufiri i ngulur nga vete dora e bekuar e baba Jasharit, që rrapi e ka mbështjellë brenda vetes, dhe i duket vetëm koka…
Baba Jashari nuk ishte vetëm predikues i besimit, ai në vetvete ishte një institucion shumë dimensional. Baba Jashari i shërbeu shumë rilindjes kombëtare, këtë e thonë faktet historike. Ai u gjend jo rastësisht në krah të Abdyl Frashërit, ku në Dibër të Madhe u mblodhën dy kuvende, në vigjilje të lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Më 10 qershor të vitit 1878 Baba Jashari u gjend si delegat i kësaj lidhjeje në mes të Abdyl Frashërit dhe Iliaz Pashë Dibrës. Ky i fundit ishte besnik dhe muhib i Baba Jasharit, dhe si i tillë kuvendi e zgjodhi kryetar të lidhjes. Baba Jashari si vizionar i kohëve të rilindjes kombëtare u pikas shpejt nga shoqata të ndryshme që veprimtarinë e tyre atdhetare e ushtronin jashtë kufijve shtetëror. Mjafton ti referohemi gazetës së përjavshme “Bashkimi i Kombit”, e shtypur në Manastir, në numrin e datës 22 ,e premte e vjeshtës së II të 1909, ku ajo i bën jehonë hapjes së mësonjëtores së parë shqipe në krahinën e Martaneshit. Për këtë iniciativë lëvdohet kuraja dhe mendimi largpamës i At Jashar Krenës, baba i tarikatit të lavdishëm bektashian, i cili teqenë e poshtme, e kthye në shkollën e parë shqipe. Ky tempull i shenjtë i dijes dhe i shpirtit, u themelua nga i përndrituri Baba Ali Jashar Krena në vitin 1908.