Zhvillohet pelegrinazhi në teqen e Bllacës

Ditën e djeshme, më datë 10 qershor 2020, Kryegjyshata Botërore Bektashiane, nën kujdesin e veçantë të Kryegjyshit  Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj së bashku me Këshillin e Teqesë së Baba Isufit Bllacë, zhvilluan pelegrinazh në  teqen e Baba Isufit Bllacë

Ky peligrinazh, është bërë tashmë traditë kremtimi në datën 10 Qershor në Bllacë dhe  në Kalendarin zyrtar të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane njihet si dita e “Teqesë së Baba Isufit Bllacë”.

Ta gëzojmë së bashku ditën e 10 Qershorit!

Bismillahi Rrahmani Rrahim!
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirbërsit!
Të nderuar vëllezër e motra, besimtarë dhe miq të pandashëm të teqesë së Bllacës!
I nderuar vëllai ynë, kleriku i urtë dhe fisnik baba Halil Curri!
Data 10 e muajit Qershor, përbën një gëzim të veçantë për të gjithë besimtarët bektashianë, pasi lidhet me teqen simbol, të bektashizmit, të urtësisë për krejt viset e Dibrës, Bulqizës, Krujës dhe deri në Kosovën martire. Si gjithëkund në historinë e bektashizmit, teqeja e Bllacës ka përcjellë dashurinë për Zotin e Lartë dhe Ehli-Bejtin, pa i ndarë për asnjë moment begatitë hyjnore nga fati i trishtë i shqiptarëve.
Qysh në fillesat e saj, qysh në ato vite kur teqeja hidhte shtat nëpër mendimin filozofik të Haxhi Bektash Veliut dhe realitetin shqiptar të kohës, ajo u ndesh me vështirësi të panumërta që i kapërceu, sa prej qëndresës emblematike të baballarëve dhe dervishëve të saj, edhe prej gjyshërve dhe stërgjyshërve tuaj, vëllezër të mij të sotëm.
Sepse ne klerikët, tek ju besimtarët kemi gjetur jo thjesht mbështetjen fizike apo ekonomike, por në radhë të parë gatishmërinë e sinqertë, frymën atdhetare dhe bashkëpunuese, për të ecur krah për krah në udhëtimin tonë, drejt devocionit ndaj Krijuesit.
Nuk ka qenë aspak rastësi, që në agimin e shekullit që lamë pas, duke ndjekur shembullin e teqeve simotra, kjo e Bllacës, falë përkushtimit të klerikëve, çeli shkollën e parë shqipe për këtë trevë, duke e shndrruar kafeoxhakun e vetëm të saj, në klasë për mësimin e gjuhës sonë amtare.
Nder dhe respekt pa kufi, për klerikët tanë, që jo vetëm çelën dyert e teqeve për djemtë e Dibrës, Bulqizës dhe gjithë Shqipërisë, por ndanë me këta, së bashku me dijet dhe kafshitën e bukës, duke u mësuar veç të tjerave që shtëpia e Haxhi Bektash Veliut, ish e çelur për të gjithë!
Motra dhe vëllezër!
Nuk është koha sot të ndalemi gjatë në historinë e kësaj teqeje. Por nuk mund të rrijmë pa përmendur faktin, se edhe kur objektet tona të kultit u rrëzuan nga regjimi i mbrapsht që kaluam, klerikë e besimtarë bektashianë e ruajtën të paprekur besimin në Zot. Madje sakrifikuan vehten dhe familjet e tyre, siç e dëshmon rasti unikal i baba Ismail Jangullit, i cili ndonëse u burgos dhe u lëndua aq mizorisht nga familja, nuk u mposht në asnjë rrethanë.
Ringritja e kësaj teqeje në vitet 90-të të shekullit që lamë pas, është padyshim vullneti i Zotit, i ndërthurur me dashurinë dhe entuziazmin tuaj, me largpamësinë e Dede Reshat Bardhit dhe veprën epike të baba Ismail Jangullit.
Le ta mbajmë të gjallë frymën e Tyre!
Le ta mbushim teqenë e famshme të Bllacës me dashurinë tonë, me frymën tonë, me praninë tonë fizike dhe të fëmijëve tanë!
Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Amin!

KRYEGJYSHI BOTËROR I BEKTASHINJVE
HIRËSIA E TIJ
HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ