ZHVILLOHET PELEGRINAZHI NË TEQENË ‘DURBALLI SULLTAN’, NË VOLOS-GREQI

Më 1 maj 2025, në qytetin e Volosit, Greqi, u zhvillua një ceremoni e veçantë përkujtimore me rastin e përvjetorit të themelimit të Teqesë “Durballi Sulltan”. Në këtë aktivitet të rëndësishëm shpirtëror morën pjesë klerikë, besimtarë dhe dashamirës të besimit bektashian nga treva të ndryshme, të cilët u mblodhën për të nderuar këtë vatër të shenjtë të trashëgimisë dhe mistikës bektashiane. Në këtë kuadër, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve mbajti një fjalim domethënës, i cili përcolli mesazhe falënderimi, shprese dhe përkushtimi ndaj vlerave fetare, kombëtare dhe njerëzore.
Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror në përvjetorin e teqesë ‘Durballi Sulltan’: Një thirrje për ringjalljen e vatrës së shenjtë”.
“Të nderuar vëllezër të mij klerikë, miq besimtarë e dashamirës, që sot jeni mbledhur bashkë me ne për të përkujtuar pervjetorin e themelimit të Teqesë “Durballi Sulltan” .
Jemi të nderuar që sot na jeni bashkuar me kaq dashamirësi në këtë ditë të shënuar për besimtarët bektashinj që jetojnë në këto treva por edhe më gjerë , që kanë marr rrugën familjarisht për të ardhur deri këtu.
Ju jam falenderues që vini dhe e vizitoni këtë vend të Shenjtë mistik, përkujdeseni për të, dhe përkujtoni figurat e ndritura të klerikëve që kanë shërbyer në këtë teqe.
Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij vendi të Shenjtë të lënë pas dore aq sa të malluar e të përkushtuar që një klerik bektashi të vij dhe të shërbejë këtu në një të ardhme të afërt.
Durballi Sulltan ka qenë një nga shenjtorët e mëdhenj dhe njihet si i tillë dhe sot, nga e gjithë popullata greke e vendosur në viset rreth e rrotull teqesë. Edhe sot kjo popullatë përulet me rrespekt për Durballi Sulltanin.
Baballarët e kësaj teqeje historike kanë qenë pothuajse shqipëtarë, të cilët kanë predikuar kurdoherë kombësinë shqipëtare, si të gjithë baballarët e teqeve të Shqipërisë që kanë qënë qendrat e shqipëtarisë në kohën e sundimit turk.
Sot teqeja është pothuajse në rrënim dhe prap tregon famën e saj arkitekturore dhe historinë e famshme të dervishëve dhe baballarëve që kanë shërbyer me përkushtim dhe dashuri ndaj besimtarëve bektashinj.
Lusim zotin e Madh që një ditë sa më të afërt t’ju mirëpresin baballarë e dervishë bektashinj në vatrën dhe oxhakun e ngohtë të besimit tonë të shenjtë , e që Qëndra Botërore të lejohet ta restaurojë e administrojë këtë vatër me mistik të Shenjtë bektashiane. Harmonia fetare është e Shenjtë e duhet të përcillet në breza, vetëm kështu ushqehet dashuria në zemra e përkushtimi ndaj njëri-tjetrit.
Zoti na bekoftë të gjithëve!
Amin! ”
Fjalimi i Kryegjyshit u prit me emocion dhe përkushtim nga të pranishmit, duke reflektuar rolin e rëndësishëm që Teqeja “Durballi Sulltan” ka pasur ndër shekuj në ruajtjen e besimit, identitetit dhe harmonisë ndërfetare. Me lutje për ringritjen e kësaj vatre të shenjtë dhe me shpresën për një të ardhme më të ndritur për bektashinjtë e këtyre trojeve, ceremonia përfundoi në një atmosferë të mbushur me respekt, dashuri dhe frymëzim.