Më datë 13 të këtij muaj, u zhvillua pelegrinazhi tradicional, ‘Varri i Shenjtë’ në Shendëlli të Greshicës-Mallakastër. Ritet e këtij pelegrinazhi, u drejtuan nga Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, i pranmishëm në këtë aktivitet.
…Duke udhëtuar drejt Greshicës për në malin e Shëndëllisë të zonës Mallakastër , atje ku është tyrbja e Shenjtë e hershme qysh nga shekulli XVII-të, të tërheq natyra dhe vendi i veçantë ku ndodhet ky objekt kulti. Ka një mjedis të mrekullueshëm kodrinor me ullinj dhe pemë të ndryshme frutor dhe vendin e parë e zë ulliri gjithëpërfshirës. Lartësia më e madhe dhe e vetme, është Mali Shendëlli, në lartësinë 714 m mbi nivelin e detit. Mali i Shendëllisë, historikisht ka qenë i mbuluar me dushkun e dendur dhe lisa shekullor, të cilët, deri në vitin 1967, nuk priteshin nga fshatrat e Greshicë dhe Aranitas, se ishin të shenjtë. Më pas u zhdukën lisat shekullor të këtij mali. Kjo majë shikon përreth, malin mitik të Tomorrit, Shpiragun e Beratit. Në horizontin verior e veri perëndim duket fushnaja e pafund, Fieri, deri në Lushnjë e Myzeqe. Përballë ka Hekalin, Bylisin e famshëm arkeologjik me Klosin pranë dhe, tej në horizont, Karaburunin, ishullin e Sazanit, deti Adriatik. Pra një vend me gjetje arkeologjike të pasur dhe histori e ngjarje të rëndësishme në historinë e Greshicës dhe gjithë Mallakastrës. Sapo lë pas qytetin e Ballshit, kalon Qafën e Kashit, në të majtë drejtim fshatit Kalenjë dhe në të djathtë drejt Hekalit, Bylis, është ky objekt. Në rrugën gjarpërushe për në Greshicë shikon puse nafte dhe lapidarë. …Njihet beteja e njohur në histori midis turqve dhe greshiciotëve dhe gjithë zona e Mallakstrës, në vitin 1847, përjetësuar dhe në këngë: “Moj Greshicë maja-maja,/ Në tri ditë u bë hataja,/ U vra Isuf bej Kalaja…”
Në të përpjetën e kodrës për të shkuar në Malin e Shendëllisë, arrijmë te ish-teqeja e parë, në lagjen Yzeiraj, themeluar nga Hysen Babai, rreth vitit 1860. Më pas teqeja u zhvendos poshtë në fshat ku është edhe sot. Pasi kalojmë tek shkolla dhe tek një lapidar tjetër, kalojmë te Bregu i Pusit, i afrohemi një lagje e madhe, që quhet lagja Stamboll. Nuk ka një version të saktë për prejardhjen e këtij emri.
…Pelegrinët e ardhur nga fshati dhe zona, i dhanë gjallëri Vendit të Shenjtë, uruan mirëseardhjen e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Shenjtërisë së tij Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj. Pas një lutje para tyrbes, Kryegjyshi Botëror, Dede Baba Edmond Barhimaj, duke uruar, u bëri apel gjithë pjesëmarrësve për të shtuar më shumë dashurinë dhe vëllazërinë, duke punuar e mbajtur njëri-tjetrin.
Ky është viti i dytë që po bëhet pelegrinazh në këtë objekt. Sigurisht për të marrë edhe Ceremoniali vazhdoi gjithë ditën. Urimet dhe gëzimi i kësaj dite, sollën kumtin dhe traditën bektashiane në shekuj, me mesazhin se dashuria ndaj Zotit dhe atdheut do të jenë bashkudhëtarë për të gjithë banorët e kësaj zone të mrekullueshme.
Përgatiti:
Nuri ÇUNI