Ditën e shtunë, 29 qershor 2024 Kryegjyshata Botërore Bektashiane, Gjyshata e Fushë-Krujës, nën përkujdesin e veçantë të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, përkujtuan “Ditën e Shënur të Ballëm Sulltanit”, në Martanesh.
Me këtë rast u zhvillua edhe një aktivitetet, ku mes qindra besimtarëve, klerikëve bektashinj, përfaqësuesve të besimeve të tjerë fetarë, përfaqësuesve të shtetit e strukturave vendore morën pjesë edhe Kryetar i Bashkisë Mat, z.Agron Malaj; Kryetarja e Bashkisë Bulqizë, znj.Festime Mjeshtri; Ambasadori i Suedisë në Tiranë, z. Niklas Ström; Administratorja e njësisë Nr.1 – Tiranë, znj. Ariana Shutku etj.
Në këtë ditë të shënuar u përurua edhe busti i Ballëm Sulltanit (1452-1517).
E pozicionuar në një vend strategjik në mes të malit, por dhe një zonë me bukuri të shumta natyrore, kjo festë e rëndësishme për bektashinjtë mbledh çdo vit qindra besimtarë.
Në fjalën e rastit, Kryegjyshi Botëror, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj pasi përshëndeti të pranishmit ndër të tjera tha:
“Të nderuar miq e dashamirës të bektashizmit,
Jam i nderuar që sot bashkarisht përkujtojmë Pirin e Dytë të bektashizmit Ballëm Sulltanin.
Jusuf Balliu ose Ballëm Sulltani ka lindur në vitin 1452, në qytetin e Dimotekës së Bullgarisë. U rrit me një kulturë të gjërë dhe u bë i njohur për dituritë e njohuritë fetare. Që në vegjëli shkonte shpesh me të atin e tij në teqen e Sejjid Ali Sulltanit. Atje u rrit, mbaroi shkollat, bëri premtimin solemn dhe fitoi rrobën e bektashizmës, si dervish i virgjër (myxherret). Atje u frymëzua me frymën mistike bektashiane, duke u graduar me titujt “baba”, dhe më vonë “gjysh”. Më vonë u nis për në teqen e Haxhi Bektashit me 40 dervish, shokë të tij. Duke udhëtuar, i ra rruga dhe shkoi nga Stamboll, ku mbret në atë kohë ishte Bajaziti i Dytë, i cili në ato ditë ishte i sëmurë. Ballëm Sulltani shkoi ta vizitonte mbretin dhe kur e gjeti të sëmurë, iu lut Zotit për shërimin e tij. Lutja e Ballëm Sulltanit iu pranua dhe mbreti filloi të përmirëohet. Kur u shërua fare, ky mbeti shumë i entuziasmuar nga Ballëm Sulltani. Në ikje, mbreti i dhuroi dekret të veçantë për teqen dhe shumë toka nga shteti. Ballëm Sulltani me 40 dervish iu përvesh punës dhe riorganizoi teqen e Haxhi Bektashit, e shtoi e rriti dhe e përhapi kudo besimin bektashian. Ai solli shërbime të mëdha bektashizmës, duke bërë së pari një riorganizim të ri, e sistemoi me gjyshata dhe prindëri në vende të ndryshme të botës. Vendosi përsëri sistemin e virgjërimit për klerikët në teqen e Haxhi Bektashit. Fama e tij në atë kohë u përhap shumë, sa në vitin 1509, mbreti i kohës Sulltan Bajaziti i Dytë e thirri në Stamboll dhe e priti me nderime të mëdha. Qëndroi si mysafir i shquar i pallatit shumë kohë, ku mori dorë vetë mbreti dhe shumë personalitete të pallatit.
Bektashizmi i detyrohet shumë shërbimeve të Ballëm Sulltanit, pse ai e bëri t’i dëgjohej zëri i saj në të katër anët e botës, se kishte një bazë dhe organizim të shkëlqyer, ishte personaliteti më i madh pas Haxhi Bektashit dhe vjershëtor mistik. Vazhdoi detyrën fetare deri në mbarim të jetës së tij më 1517. Figura e Ballëm Sulltanit u bë një simbol, shenjt, sa u quajt Piri i dytë i bektashizmës.
REFORMAT E BALLËM SULLTANIT:
1. Rivendosja e Sistemit të Virgjërimit, sepse kjo do t’i çlironte klerikët nga çdo përkujdesje tjetër dhe do të merreshin vetëm me çështjet fetare.
2. Riorganizoi teqetë bektashiane kudo në botë, ku në krye ishte Kryegjyshata dhe më pas Gjyshatat, Teqetë Prindëri dhe deri te institucioni më i vogël, Dervishijet.
3. Ndryshime bëri dhe në veshjet e klerikëve.
4. Vendosi rregull e disiplinë për mbarëvajtjen e veprimtarive fetare dhe të jetës së brendëshme të teqeve.
5. Hoqi të drejtën e trashëgimisë të Dinastisë së Çelepinjëve.
Për të gjitha këto shërbime të mëdha, Ballëm Sulltani është quajtur Piri i Dytë i Bektashizmit.
Mirënjohje e falenderime për çdo besimtar që kontribuon në mbarëvajtjen e traditës bektashiane. Në emër të Kryegjyshtës Botërore Bektashiane , vlerësojmë kontributin e vyer e të paçmuar të qeverisë Shqiptare dhe zv. Kryeministres Znj. Balluku që ka çmuar si prioritet realizimin e rrugës së Martaneshit.
Sfidat e mëdha që njerëzimi po përballet sot na bëjnë të reflektojmë; Sa i çuditshëm është njeriu. Ai humbet shëndetin e tij për të fituar pasuri. Më pas për të rifituar shëndetin ai e shpërdoron pasurinë e tij. Ai shkatërron të tashmen e tij duke u shqetësuar për të ardhmen e tij – por qan në të ardhmen duke kujtuar të kaluarën e tij. Ai jeton sikur vdekja nuk do t’i vijë kurrë – por vdes në një mënyrë sikur të mos kishte lindur kurrë. Ndaj çdo gjë që Zoti ka caktuar risk për ju, do vij vetë tek ju e t’ju gjejë , çdo gjë që ju është marrë padrejtësisht, do t’ ju zëvendësohet me diçka më të bukur prej Zotit. Ditët e jetës ikin si retë, ndaj bëni mirë sa jeni gjallë. Vlerat që bektashizmi e mistika e tij ka përcjellë janë tepër të vyera, duke parë qënien njerëzore si më perfekten që Zoti ka krijuar dhe virtytet e çmuara e në ndihmë të njerëzimit asnjëherë nuk vdesin.
Ballëm Sulltani qoftë ndihmë për të gjithë ne , në çdo punë në të mirë të njerëzimit!
Zoti na bekoftë! Amin! ”