ZHVILLOHET PELEGRINAZHI TRADICIONAL NË TEQENË E BALLËM-SULLTANIT, MARTANESH

Kryegjyshata Botërore Bektashiane, Gjyshata e Fushë-Krujës,  nën përkujdesin e veçantë të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, përkujtuan ditën e enjte, më 29 qershor 2023, “Ditën e Shënur të Ballëm Sulltanit”, në Martanesh.
Me këtë rast u zhvillua edhe një aktivitetet, ku mes qindra besimtarëve bektashinj e përfaqësuesve të besimeve të tjerë fetarë, përfaqësuesve të shtetit e strukturave vendore mori pjesë edhe Kryetarja e re e Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri.
E pozicionuar në një vend strategjik në mesin të malit, por dhe një zonë me bukuri të shumta natyrore, kjo festë e rëndësishme për bektashinjtë mbledh çdo vit qindra besimtarë.
Në fjalën e rastit, Kryegjyshi Botëror, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj pasi përshëndeti të pranishmit, dha edhe një mesazh të fortë, për të ruajtur një familje të shëndoshë, pasi shoqëria ka shumë nevojë në këto kohë.
Kryetarja e Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri tha se kjo ditë i bashkon njerëzit duke i sjellë më afër njëri – tjetrit. Ajo shtoi se institucioni që ajo drejton do të punojë fort për të lehtësuar sa më shumë aksesin e besimtarëve në këto vende të shenjta.
Besimtarët shkojnë në vendin e shenjtë në Ballëm-Sulltan, ku luten e gjejnë shërim për hallet dhe problemet e tyre. Të shumtë janë ata që vendosin të kalojnë natën aty, në shpellën disi mistike pranë mezareve, me temperaturat që qëndrojnë njësoj si dimër edhe verë. Dikur të vjetërit tregonin mjaft histori për këtë vend, duke bërë edhe më tërheqës. Thonë se në futesh në këtë shpellë, e ecën për ditë me radhë ajo të nxjerrë në Stamboll. Këto mbeten legjenda pasi askush nuk e ka provuar një gjë të tillë, por mbetet e vërtetë mrekullitë që kanë përjetuar njerëzit që kanë vizituar e besuar në këtë vend. Populli i thuri këngë këtyre ndodhive që u bënë himn për gjithë Martaneshin.