Të premten, 5 korrik 2024, në teqenë e Sukës-Përmet, u zhvillua pelegrinazhi tradicional vjetor.
Në këtë ditë të shënuar, mori pjesë edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, klerikë dhe shumë besimtarë e dashamirës të bektashizmit, të ardhur nga Përmeti dhe zona të ndryshme përreth.
Ky objekt i njohur bektashian, përmendet jo vetëm si strehë e qëndresës bektashiane në këtë trevë, por dhe si strehë ku drejtues më të lartë të bektashizmit botëror (Këshilli Atnor), kanë qëndruar e drejtuar disa kohë, zbatimin e vendimeve të Kongresit të Parë Bektashian, që u mbajt në Prishtë të Skraparit.
Teqeja e Sukës, ndodhet në Njësinë Administrative të Sukës, Bashkia e Këlcyrës. Ajo është themeluar nga kleriku baba Ali Bubësi. Sipas dokumenteve, ajo është djegur në vitin 1914 nga andartët grek. Në vitin 1920, u rindërtua nga dervishët. Pas Kongresit të Parë Bektashian, në janar të vitit 1921, (në teqenë e Prishtës-Skrapar), Këshilli Atnor i zgjedhur, filloi punën për drejtimin dhe organizimin e bektashizmit në Shqipëri, në teqenë e Sukës. Këtu u krijua edhe Selia e Parë për Shqipërinë. Këtu, nën drejtimin e baba Ali Tomorrit, filloi botimi i gazetës bektashiane “Reforma”, e cila pati periudhën e botimit në vitet 1922-1923. Në vitin 1940, deri në vitin 1950, këtë teqe e drejtuan: dervish Abas Hasan; dervish Ibrahim Saliko; dervish Mustafa Sulo; dervish Islam Ademi; dervish Ethem Pelo; dervish Muhamed Sheme; dervish Ali Ahmet dhe dervish Hysni Velil. Pas vitit 1950, këtu shërbyen: baba Abedin Agaj; dervish Kasëm Plashniku; dervish Esat Lazarati dhe në vitin 1955, baba Abdurraman Hoxha. Teqeja ishte shumë e pasur me prona të mëdha. Në vitin 1967 kjo teqe u mbyll dhe u përdor si zyra, vatër kulture e magazine. Më vonë, ajo u kthye në qendër shëndetësore, spital, shtëpi lindje, farmaci etj. Paradoksalisht, në trazirat e vitit 1997, asaj i’u dogj çatia dhe u rrënua. U rindërtua në vitin 2009. Data 5 korrik e çdo viti, është dita e pelegrinazhit bektashian, në këtë objekt të shenjtë. Njëkohësisht, sot, po bëhen përpjekje që kësaj teqeje ti rikthehet tradita e dikurshme.
Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ