ZHVILLOHET PELEGRINAZHI TRADICIONAL-VJETOR NË TEQENË E SUKËS, PËRMET

Ditën e shtunë, 5 korrik 2025, në teqenë e Sukës në Përmet, u zhvillua pelegrinazhi tradicional-vjetor bektashian, një ngjarje e rëndësishme shpirtërore për besimtarët dhe dashamirësit e kësaj tradite të lashtë.
Në këtë ditë të veçantë, qindra pelegrinë nga Përmeti dhe zona të tjera përreth u mblodhën për të kryer ritin e përvitshëm, duke sjellë me vete frymën e devotshmërisë, kujtimit dhe përkushtimit ndaj vlerave të bektashizmit. Ceremonitë dhe lutjet u zhvilluan në një atmosferë solemniteti dhe respekti të thellë për historinë dhe trashëgiminë e teqesë.
Teqeja e Sukës, e vendosur në Njësinë Administrative të Sukës, Bashkia Këlcyrë, është një nga qendrat më të vjetra dhe më të rëndësishme të bektashizmit në jug të Shqipërisë. Ajo është themeluar nga baba Ali Bubësi dhe ka pasur një rol të spikatur historik, sidomos pas Kongresit të Parë Bektashian të zhvilluar në Prishtën e Skraparit në vitin 1921, kur Këshilli Atnor zgjodhi pikërisht këtë teqe si vendin e organizimit të mëtejshëm të veprimtarisë bektashiane në Shqipëri.
Këtu nisi edhe botimi i gazetës “Reforma” në vitet 1922–1923, nën drejtimin e baba Ali Tomorrit, duke shënuar një etapë të re të komunikimit dhe ndërgjegjësimit shpirtëror. Gjatë viteve, teqeja ka qenë nën kujdesin e shumë dervishëve dhe baballarëve të përkushtuar, përpara se të mbyllej në vitin 1967 dhe të përdorej për qëllime të tjera gjatë regjimit komunist. Në vitin 1997, gjatë trazirave, objekti pësoi dëmtime të mëdha, por u rindërtua dhe rikthye në funksion në vitin 2009.
Data 5 korrik është kthyer tashmë në një simbol të gjallë të ringjalljes shpirtërore, ku çdo vit, besimtarët kthehen për të nderuar të kaluarën, për të forcuar lidhjen me rrënjët shpirtërore dhe për të kërkuar bekim për të ardhmen.

Përgatiti: XH. CULLHAJ