18 GUSHT 2026, DITË PELEGRINAZHI DHE PËRURIM I SHTATORES SË BABA TAHIR KOTOBELLIT (PRISHTA)

Dita e martë, 18 gusht 2026, është një ditë e shënuar për komunitetin bektashian të trevës së Skraparit, pasi, pelegrinazhi tradicional, do të shoqërohet dhe me përurimin e shtatores të Baba Tahir Kotobellit (Prishta). Në këtë event të rëndësishëm, merr pjesë dhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, i cili do të drejtojë dhe ritet përkatëse. “…Është një ngjarje e shënuar kjo ditë e vdekur pelegrinazhi, pasi në mjediset e teqesë së njohur të Prishtës, sot do të vendoset dhe busti i klerikut të njohur bektashi, Baba Tahir Kotobelli – Prishta…”- pohon
…Teqeja e Prishtës është ndërtuar në vitin 1815 në vendin e quajtur Kisha. Përfaqësuesi i parë i bektashinjve të Prishtës ka qenë Baba Tahiri nga fisi i Kotobellëve, i cili themeloi edhe teqenë e parë, i cili, erdhi nga Kreta.
…Pas vdekjes së baba Tahirit që i kishte dhënë famë Teqesë së Prishtës, në vend të tij erdhi baba Xhaferri nga Luzati i Tepelenës, i zgjuar, i aftë për t’u futur në zemër të njerëzve.
Rritja e autoritetit të Teqesë së Prishtës në kohën e Baba Xhaferrit bëri që të vini në teqe shumë besimtarë. Brenda 15-20 vjetëve, me të ardhurat e krijuara dhe të administruara mirë, Baba Xhaferri bleu tokë për teqenë në fshatrat Sukë, Dervishas dhe Goricë të Dëshnicës. Në Sukë ai ndërtoi edhe një teqe tjetër që të ishte afër zonës së Këlcyrës, në Bënjë një mulli etj. Në anën e Skraparit ndërtoi mullirin e Mërqinjës, ndërsa me taksën e tregut ndërtoi shkollën fillore në Çorovodë. Veç këtyre ai bleu merá për dhi në Mallakastër dhe merá për dhen në malin e Trebeshinës.
…Pas vdekjes së Baba Xhaferrit në teqenë e Prishtës erdhi Baba Ahmeti nga Paraspuari i Beratit.
Në vitin 1906 vijnë nga Janina, qendër e vilajetit, në Prishtë, një numër i madh zaptiesh dhe në mënyrë të befasishme bastisin teqenë, ku gjetën abetare dhe libra shqip të botuar në kolonitë shqiptare të Kajros, Sofjes dhe Bukureshtit. Baba Ahmeti arrestohet dhe çohet në burgun e Janinës dhe pas torturash çnjerëzore e vrasin. Vrasjen e Baba Ahmetit e vërteton edhe kënga e ngritur në atë kohë në krahinën e Dëshnicës:
Ky beu i Këlcyrës, o gjetët belanë,/
Se ç’u bë sebep, vranë Ahmet Babanë…
…Pas vrasjes së baba Ahmetit, në teqenë e Prishtës vjen baba Shabani, i cili si edhe paraardhësit u lidh me rrethet patriotike të kohës. Janë vitet 1909-1911, para Shpalljes së Pavarësisë, kur në të gjithë Skraparin vepronin çetat patriotike të Ali Farmaqit, Tefik e Tajar Vëndreshës, por herë pas here kalonin edhe ato të Çerçiz Topullit, Themestokli Gërmenjit etj., të cilat bazat i kishin në teqe. Tajar Vëndresha e lidhi Baba Shabanit me Babë Dudë Karbunarën, që vepronte në Berat. Për veprimtarinë atdhetare të Baba Shabanit flet edhe një dokument i kohës. Një nëpunës i postës së Skraparit me emrin Shemsi Hajro nga Gjirokastra shkruan në ato vite se Baba Shabani ishte anëtar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, që ishte krijuar nga paria e Skraparit, por dhe se ai kishte bërë një akt të lartë patriotik, duke vënë në dispozicion të pavarësisë së Shqipërisë gjithë influencën morale dhe fetare që kish në popull, por edhe gjithë pasurinë e teqesë.
…Në vitin 1914 Teqesë së Prishtës u plaçkit keqas dhe u dogj, fakt që e bën të ditur shkrimi i më poshtëm botuar në gazetën “Liria e Shqipërisë”. Gazeta mban datën 27 mars (9 prill) 1915. Kronika është shkruar nga Dervish Aliu që shërbente në këtë teqe.
…Teqeja e re u rindërtua në vitin 1919. Në vitin 1922 në Teqenë e Prishtës ka ardhur Baba Kamberi nga Pagria e Përmetit. Baba Kamberi ishte një njeri i zgjuar dhe inteligjent. Ai erdhi në Prishtë që nga SHBA. Në nëntor të vitit 1943 shkoi në Tiranë. Më pas në këtë teqe erdhën baballarë të tjerë, të cilët si edhe ata më të përparshmit shërbyen mirë dhe me devocion deri në vitin 1966 kur u prishën objektet fetare dhe u luftua feja nga regjimi komunist. Nuk po zgjatemi me historinë e tyre, pasi ajo është diçka më e afërt dhe pak a shumë njihet. Në 1967, kur në Shqipëri, u ndalua feja si shumë teqe të tjera në vend, edhe kjo teqe u mbyll. Godina e Teqesë do të shndërrohej në magazina, depo etj. Në vitin 1985, Teqeja e Prishtës u shkatërrua tërësisht. U rihap në vitin 2004.

Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.
Të nderuar klerikë bektashinj,
I nderuar Sekretar i Gjyshatës Skrapar Z. Zalo Qato,
Të nderuar besimtarë, banorë të Prishtës, Skraparit dhe të gjithë kësaj treve të bekuar,
Të nderuar miq dhe dashamirës të historisë, kulturës dhe besimit tonë,
Sot, në këtë ditë të veçantë, përkujtojmë me nderim të thellë 211-vjetorin e themelimit të Teqesë së Prishtës, një prej vatrave të shquara të Bektashizmit në trevat shqiptare, e cila për më shumë se dy shekuj ka qenë një qendër e besimit, dijes, atdhedashurisë dhe shërbimit ndaj komunitetit. Ky përvjetor nuk është vetëm një kthim në historinë e kësaj Teqeje, por një dëshmi e gjallë se vlerat dhe kujtesa që u përcollën brez pas brezi nuk mund të shuhen. Në këtë ditë, shprehim gjithashtu mirënjohjen tonë të veçantë për të gjithë ata që kontribuuan në ngritjen dhe realizimin e dy busteve të Baba Tahirit dhe Baba Ahmetit. Falënderojmë me respekt të gjithë kontribuuesit, mbështetësit, klerikët, besimtarët dhe miqtë dhe besimtarët e Kryegjyshatës dhe Gjyshatës Skrapar që bënë të mundur që këto dy figura të ndritura të historisë sonë të përjetësohen në këtë vend të shenjtë. Këto buste nuk janë vetëm vepra artistike; ato janë shenja mirënjohjeje, kujtese dhe amaneti për brezat, që emri, vepra dhe sakrifica e dy klerikëve të mëdhenj të mbeten përherë të gjalla në kujtesën e kësaj treve dhe të mbarë komunitetit bektashi. Sot jemi mbledhur për të rikthyer në kujtesën e brezave dy figura të mëdha të klerit bektashi, dy njerëz që e shkrinë jetën e tyre në shërbim të Zotit, të njeriut dhe të Atdheut. Sot, Baba Tahiri dhe Baba Ahmeti nuk qëndrojnë më vetëm në kujtesën tonë shpirtërore. Ata do të qëndrojnë këtu, në bronz, si dëshmi e një historie që nuk mund të fshihet, si dëshmi e një besimi që nuk u shua dhe si dëshmi e një atdhedashurie që nuk u përkul.
Teqeja e Prishtës është një nga ato vende ku historia e Bektashizmit dhe historia e Shqipërisë janë ndërthurur në mënyrë të pazgjidhshme. Ajo nuk ka qenë vetëm një vend lutjeje. Ka qenë vatër diturie. Ka qenë strehë e shpirtit. Ka qenë qendër e përhapjes së gjuhës shqipe. Ka qenë vend i patriotizmit. Ka qenë një nga ato vatra ku u ushqye ideja e Shqipërisë së lirë. Nëpër këto male e nëpër këto krahina, klerikët bektashinj nuk e ndanë fenë nga dashuria për vendin. Sepse për ne, Atdheu dhe feja nuk kanë qenë dy rrugë të ndryshme, por dy dimensione të së njëjtës përgjegjësi morale. Prandaj edhe deviza e trashëguar ndër breza: “Pa atdhe nuk ka fe.” nuk ka qenë thjesht një shprehje. Ka qenë një mënyrë jetese. Ka qenë betimi i atyre baballarëve që mbronin gjuhën, dinjitetin dhe identitetin shqiptar.
Të dashur vëllezër e motra,
Historia e kësaj Teqeje është e lidhur ngushtë me një varg figurash të ndritura të klerit bektashi. Por ndër ta, emri i Baba Tahir Kotobellit zë një vend të veçantë. Ai nuk ishte vetëm një klerik. Ai ishte një përçues i dritës shpirtërore, një udhëheqës i njerëzve dhe një nga figurat që i dha kësaj treve një dimension të veçantë në historinë e Bektashizmit shqiptar. Tradita na përcjell fjalët profetike të Baba Nasibi Tahirit, i cili kishte shërbyer në Malind, më pas në Frashër dhe, në përfytyrimin e tij shpirtëror, e lidhte rrugëtimin e vet me Prishtën. Kjo na kujton një të vërtetë të madhe të traditës bektashiane: shërbimi nuk njeh kufij dhe dashuria për njeriun nuk pyet se në cilën anë të malit ndodhet ai. Baba Tahiri e pa këtë trevë si një tokë ku duhej mbjellë drita e besimit, diturisë dhe humanizmit. Dhe sot, shekuj më pas, ne vijmë përpara figurës së tij jo vetëm për ta nderuar, por për t’u kujtuar brezave se një jetë e shërbyer për Zotin dhe për njerëzit nuk vdes kurrë. Por krahas Baba Tahirit, sot nderojmë edhe Baba Ahmetin. Një klerik që e kuptoi se lufta për besimin dhe identitetin shqiptar nuk bëhej vetëm në mejdanet e teqeve, por edhe nëpërmjet diturisë dhe gjuhës. Në një kohë kur shqipja ishte e rrezikuar dhe fjala shqipe kërkonte guxim, ai solli abetaren dhe kontribuoi në përhapjen e saj. Dhe për këtë mision ai u përball edhe me internimin. Sa domethënëse është kjo për ne sot! Një abetare në dorën e një babai bektashi ishte më shumë se një libër. Ishte një flamur i heshtur. Ishte dëshmia se fëmija shqiptar duhej të mësonte të lexonte jo vetëm fjalën, por edhe historinë, identitetin dhe dashurinë për vendin e vet. Kështu, teqeja u bë edhe shkollë. Kleriku u bë edhe mësues. Dhe besimi u bë forcë morale për të mbrojtur kulturën dhe gjuhën. Të nderuar të pranishëm, Kur shohim sot këto dy buste, duhet të shohim përtej bronzit. Në Baba Tahirin duhet të shohim shërbimin. Në Baba Ahmetin duhet të shohim dijen. Në të dy duhet të shohim sakrificën. Dhe mbi të gjitha, duhet të shohim një mesazh që u përket edhe brezave tanë:
Besimi pa dashuri për njeriun mbetet i mangët. Dituria pa moral mbetet e zbrazët.
Atdhedashuria pa sakrificë mbetet vetëm fjalë.
Këta burra na mësuan se feja duhet të jetë në shërbim të paqes, dijes, harmonisë dhe dinjitetit njerëzor. Sot duhet të kujtojmë edhe dhimbjen. Sepse historia e kësaj Teqeje nuk është vetëm histori lavdie. Ajo u dogj nga andartët grekë në vitin 1914. U ringrit. U dëmtua. U mbyll. Në vitin 1967, kur Shqipëria u shpall zyrtarisht shtet ateist, edhe kjo Teqe u mbyll. Ajo që kishte qenë vatër besimi u kthye në magazinë. Më pas në stallë. Dhe në vitet që pasuan, ndërtesa u shkatërrua. Por ka një gjë që nuk u shkatërrua:
kujtesa. Nuk u shua emri i Baba Tahirit. Nuk u shua emri i Baba Ahmetit. Nuk u shua kujtimi i baballarëve dhe dervishëve që kishin shërbyer këtu. Sepse mund të rrëzohet një ndërtesë prej guri, por nuk mund të rrëzohet një besim që është ngulitur në zemrën e njerëzve. Sot, kur kjo Teqe është ringritur dhe kur përpara saj ngrihen këto dy figura në bronz, ne mund të themi me krenari: Historia u kthye në vendin e saj. Dhe bashkë me të u kthye edhe kujtesa. Kjo nuk është vetëm një ditë përkujtimore. Është një akt mirënjohjeje ndaj të gjithë klerikëve që shërbyen në këtë vatër ndër breza. Ndaj Baba Tahir Kotobellit. Ndaj Baba Xhaferit. Ndaj Baba Ahmetit. Ndaj Baba Shabanit. Ndaj Baba Ali Tomorrit. Ndaj Baba Kamber Meços dhe të gjithë atyre baballarëve e dervishëve që e mbajtën gjallë këtë traditë. Është mirënjohje edhe për ata që erdhën pas tyre dhe që, në ditët më të vështira të historisë, ruajtën në heshtje atë që nuk mund të lejohej të vdiste. Të dashur besimtarë,Sot ne nuk po i vendosim këto buste vetëm për të kujtuar të kaluarën.
Po i vendosim për t’u treguar brezit të ri se nga kemi ardhur. Që ata, kur të kalojnë këtu, të ndalojnë dhe të pyesin: Kush ishin këta burra?
Dhe përgjigjja jonë të jetë:
Ishin burra që e deshën Zotin. Ishin burra që e deshën Shqipërinë. Ishin burra që i shërbyen njeriut. Ishin burra që nuk patën frikë nga sakrifica. Ishin burra që besuan se drita e dijes dhe e besimit mund të jetë më e fortë se çdo errësirë. Kjo është trashëgimia që ne duhet t’u lëmë brezave. Jo vetëm gurë. Jo vetëm monumente. Por vlera.
Sot, në emër të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, përulemi me nderim përpara kujtimit të Baba Tahirit dhe Baba Ahmetit. Le të jenë këto dy figura një amanet për ne. Le të na kujtojnë se besimi kërkon shërbim, liria kërkon përgjegjësi, atdheu kërkon dashuri dhe trashëgimia kërkon kujdes. Dhe le të vazhdojmë ta mbajmë të ndezur dritën që ata lanë pas. Sepse, siç na mëson tradita jonë: Njeriu jeton aq gjatë sa jeton vepra e tij në zemrat e njerëzve. Sot, Baba Tahiri dhe Baba Ahmeti janë sërish mes historinë nesh. Jo vetëm në bronz. Por në kujtesë. Në besim.
Në tonë. Dhe në shpirtin e kësaj Teqeje.
U prehshin në dritën e Zotit!
I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!
I bekuar qoftë ky vend!
Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin!