
Ditën e premte, 1 maj 2026, në qytetin e Volosit, Greqi, u zhvillua ceremonia zyrtare dhe pelegrinazhi tradicional në Teqenë e Durballi Sulltanit, me rastin e 536-vjetorit të themelimit të kësaj vatre historike të besimit bektashian. Ky aktivitet jubilar mblodhi krerë të lartë të klerit, besimtarë dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore nga Shqipëria, Greqia dhe mbarë trevat ballkanike, duke rikonfirmuar rëndësinë e jashtëzakonshme që kjo teqe mbart në jetën shpirtërore dhe kulturore të komunitetit.
Në këtë kuadër, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, përshëndeti të pranishmit duke vënë theksin te vlerat universale të bektashizmit. Përmes fjalës së tij, ai nënvizoi domosdoshmërinë e ruajtjes së kësaj trashëgimie shekullore si një mjet për forcimin e harmonisë, bashkëjetesës dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet popujve.
Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror, Dede Baba Edmond Brahimaj:
“Të nderuar besimtarë bektashinj,E nderuara Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Selanik Znj.Erida Dobrushi,Të nderuar përfaqësues të institucioneve,Vëllezër e motra nga të gjitha trojet shqiptare dhe më gjerë, pjesmarrës në këtë ditë të Shenjtë.
Në këtë ditë të bekuar të 1 Majit, në këtë vend të shenjtë, në Teqenë e Durballi Sulltanit, ju përshëndes të gjithëve me paqe, dashuri dhe bekimet më të larta hyjnore në këtë 536 vjetor të themelimit të kësaj teqe të Shenjtë.
Sot jemi të mbledhur në një teqe ku kanë shërbyer e prehen shenjtorë, në një vatër të shenjtë që prej më shumë se pesë shekujsh rrezaton dritë shpirtërore. Sot e çdo herë përulemi përpara kujtimit të shenjtorit të madh, Durballi Sulltani, i cili me devotshmëri, sakrificë dhe urtësi i dha jetë kësaj teqeje dhe mbolli farën e bektashizmit në këto troje.
Kjo teqe është dëshmi e gjallë e rrugës sonë shpirtërore ,një rrugë që na mëson dashurinë për Zotin, respektin për njeriun dhe bashkimin përtej çdo dallimi. Ajo është një urë lidhëse midis popujve, një vend ku paqja dhe harmonia kanë gjetur strehë ndër shekuj. Një derë e hapur mikëpritje jo vetëm për bektashinjtë e Shqipërisë, të Greqisë por më gjerë.
Sot, në praninë tuaj dhe me pjesëmarrjen e nderuar të përfaqësuesve të shtetit shqiptar në Greqi, në veçanti të znj. Konsulle, dëshmojmë se kjo trashëgimi nuk i përket vetëm së kaluarës, por mbetet një përgjegjësi e gjallë për të tashmen dhe të ardhmen. Prania juaj i jep kësaj dite një kuptim më të thellë, duke forcuar urat lidhëse ndërmjet besimit, kombit dhe institucioneve – si atyre shqiptare që na nderojnë me pjesëmarrjen e tyre, ashtu edhe atyre greke, të cilat ndër vite kanë treguar mirëkuptim dhe respekt, duke mundësuar vijimësinë e ziaretit dhe duke ruajtur identitetin e kësaj teqeje si një vatër e mirëfilltë bektashiane, ashtu siç është themeluar.
Gjithmonë do t’i drejtohemi shtetit grek me respekt të thellë dhe besim të ndërsjellë, duke shpresuar që, përmes rrugëve ligjore dhe në frymë bashkëpunimi, të mundësohet afirmimi i plotë i identitetit të kësaj teqeje si pjesë e trashëgimisë së Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Në këtë frymë mirëkuptimi dhe vlerësimi reciprok, besojmë në dashamirësinë dhe mbështetjen e institucioneve greke, që kjo vatër e shenjtë të vijojë të ruajë dhe të shprehë në mënyrë të plotë identitetin e saj të vërtetë shpirtëror dhe historik, në dobi të përbashkët të besimtarëve dhe të trashëgimisë kulturore.
Rruga bektashiane është rrugë e dritës, e urtësisë dhe e dashurisë. Ajo na mëson se njeriu është i plotë vetëm kur e njeh tjetrin si vëlla dhe kur e mbush zemrën me mirësi. Në këtë frymë, kujtojmë edhe misionin e madh të Sejid Ali Sulltani, i cili hodhi themelet e kësaj rruge në Ballkan dhe udhëhoqi dishepujt e tij drejt përhapjes së të vërtetës hyjnore.
Të dashur besimtarë,Kjo teqe, megjithëse e prekur nga koha, mbetet një simbol i gjallë i besimit tonë. Është detyrë e jona ta ruajmë, ta ringremë dhe t’ua përcjellim brezave si një amanet të shenjtë. Çdo gur i saj mban kujtimin e dervishëve dhe baballarëve që sakrifikuan jetën për këtë rrugë.
Le të lutemi sot që Zoti i Madhërishëm të na japë dritë në mendje, paqe në zemër dhe forcë për të ecur në rrugën e drejtë. Le të kërkojmë ndërmjetësimin e shenjtorëve tanë që kjo vatër të vazhdojë të jetë burim bekimi për të gjithë njerëzit e të rihapet e lulëzojë si dikur.
Uroj që kjo ditë pelegrinazhi të na bashkojë më shumë, të na forcojë në besim dhe të na afrojë me njëri-tjetrin në dashuri e mirëkuptim.
Paqja, mëshira dhe bekimet e Zotit qofshin mbi ne të gjithë! Amin!”
Ceremonia u përmbyll në një atmosferë të lartë shpirtërore, duke lënë te të pranishmit një ndjesi të fortë shprese dhe përgjegjësie për të ardhmen. Përmes lutjeve dhe nderimit për shenjtorët që i dhanë jetë kësaj vatre, u riafirmua roli i Teqesë së Durballi Sulltanit si një simbol i qëndresës së besimit dhe identitetit bektashian përgjatë pesë shekujve.
Ky pelegrinazh nuk ishte thjesht një përkujtim historik, por një thirrje e hapur për ringritje shpirtërore dhe bashkëpunim institucional. Me besimin se kjo pikë takimi do të vijojë të shërbejë si burim paqeje dhe frymëzimi, aktiviteti u mbyll duke lënë pas mesazhin e qartë se ruajtja e kësaj trashëgimeje të çmuar është një amanet që i takon të gjithëve, në dobi të harmonisë njerëzore dhe vlerave hyjnore.



