Sot, më datën 5 gusht 2021, kaloi nga jeta, baba Abdyl Shehaj, lindur në Rabije-Tepelenë. Baba Abdyli shërbeu në teqenë e Koshtanit-Tepelenë dhe më pas në teqenë e Memaliajt.
Baba Abdyl Shehaj, ka lindur më 16 maj të vitit 1948 në fshatin e Rabijes-Tepelenë. Prindërit e tij, babai Qemali dhe nëna Mine, e rritën dhe edukuan me dashurinë e frymës bektashiane dhe atdhetare. Ai e vazhdoi shkollën në fshatin Peshk të Martaneshit, pranë xhaxhait të tij, baba Hasim Shehaj, i cili ishte baba në teqenë e njohur të Martaneshit. Këtu në këtë teqe, ai mori frymën bektashiane dhe mësoi shumë nga ritualet dhe kodet e saj. Çdo vit, shkonte në pelegrinazhin e teqesë së Ballenjës, në Martanesh, ku aty njihej me baballarët dhe dervishët. Pranë tyre, mësoi urtësinë dhe dashurinë për njeriun. Baba Hasimi i tregonte edhe për teqenë e famshme të Koshtanit. Siç e dimë, teqeja e Koshtanit do të mbijetonte në vitet 1944-1967, për tu harruar më pas, deri në ringritjen e saj në vitin 1992. Ka qënë pikërisht koha, pas ardhjes së demokracisë kur dy klerikët e mrekullueshëm, baba Bajram Mahmutaj dhe baba Sherif Canometaj, erdhën së pari këtu, me idenë dhe frymën e shenjtë, për të ringrituar këtë teqe plotë famë. Më tej, Dede Reshat Bardhi, dërgoi këtu dervish Xhelalin, i cili mblodhi besimtarët e parë duke rrëfyer për misionin e madh që kishin përpara, duke vijuar punën fisnike dhe veprën bektashiane, bashkë me baba Abdyl Shehaj, i cili u dha jetë këtyre mureve historikë nga viti 1995, e deri më sot. Baba Abdyli punoi me përkushtim për ti dhënë vlerë të trashëgimisë tradicionale teqesë së Koshtanit, e cila në histori ka lënë gjurmë jo vetëm si teqe e shpirtit dhe zjarrit bektashian, por dhe si vatër atdhetarie, ku baballarët e saj punuan për misionin bektashian dhe me moton: “Pa atdhe nuk ka fe”. Këtu, u hap shkolla e parë shqipe në vitin 1908. Teqeja e Koshtanit, ishte vënë plotësisht në funksion të shqiptarizmit, prandaj ajo u dogj dy herë, nga andartët grekë dhe forcat esadiste, ndërsa dervishët dhe baballarët e saj, u burgosën dhe u vranë.
Baba Abdyli dha kontribut edhe në ringrtjene teqeve dhe tyrbeve në zonën e Tepelenës. Ai u kujdes veçanërisht për teqenë e Rabijes. Vitet e fundit baba Abdyli ka qënë i rënduar nga sëmundja, për të cilën u kurua si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë vendit. Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, është kujdesur vazhdimisht për shëndetin e tij, për t’ia lehtësuar sadopak vuajtjen.
Megjithë shëndetin jo të mirë, baba Abdyli u kujdes dhe vazhdoi punën, për çdo nevojë të teqeve e tyrbeve në Tepelenë. Por sëmundja nuk e la të qetë dhe sot ai kaloi nga jeta. Baba Abdyli ishte i qetë, gojë ëmbël dhe me punën e tij kishte fituar respektin dhe dashurinë e besimtarëve të teqesë së Koshtanit, Memaliajt dhe gjithë Tepelenës. I paharruar qoftë kujtimi i tij.
Homazhet në nderim të klerikut baba Abdyl Shehaj, kryhen nga dita e sotme, datë 5.08.2021 ora 20:00, në ambientet e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Selia e Shenjtë në Tiranë, deri ditën e nesërme ora 11:00, datë 6.08.2021. Ceremonia e varrimit bëhet ditën e nesërme, datë 6.08.2021 ora 17:00, në fshatin Koshtan, Tepelenë.