Homazhe u bënë në Selinë e Shenjtë Bektashiane dhe në teqenë e Koshtanit, në Tepelenë. Ritet e përcjelljes u drejtuan nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj
Ditën e djeshme, u përcoll për në banesën e fundit, kleriku bektashian, baba Abdyl Shehaj, i cili ndërroi jetë mbrëmjen e ditës së enjte në spital në Tiranë, ku kurohej për një sëmundje që vuante prej kohësh. Paraditen e së premtes, deri në orën 11:00, në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane, u zhvilluan homazhe në nder të këtij kleriku. Përveç besimtarëve të shumtë, të ardhur nga shumë rrethe të vendit, në këtë rit përcjellje kishin ardhur dhe klerikë bektashian nga teqetë e gjyshatat e Shqipërisë, ata të Kosovës, Maqedonisë Veriore etj… Bënë homazhe gjithashtu dhe kryevendorët e vendlindjes së tij, të Memaliajt e Tepelenës. Në orën 11:00 të kësaj dite, kortezhi i baba Abdylit u nis drejt jugut të vendit, në Tepelenë, ku besimtarë vendas, miq e të njohur, vazhduan të bëjnë homazhe pranë arkëmortit të klerikut.
“Baba Abdyl Shehaj” punoi me përkushtim për t’i dhënë vlerë të trashëgimisë tradicionale teqesë së Koshtanit, e cila në histori ka lënë gjurmë jo vetëm si teqe e shpirtit dhe zjarrit bektashian, por dhe si vatër atdhetarie, ku baballarët e saj punuan për misionin bektashian dhe me moton se ‘Pa atdhe nuk ka fe’”
Kryegjyshi Botëror, Dede Edmond Brahimaj
Në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit, të baba Abdyl Shehajt, foli Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili, ndër të tjera tha: “Vëllai jonë, kleriku Abdyl Shehaj, e la botën materiale për t’u bashkuar me shpirtrat e pastër, duke lënë pas shembullin e devotshmërisë, përkushtimit në udhën e Haxhi Bektash Veliut, kontributin e çmuar fetar e atdhetar të besimit tonë të paqtë. Baba Abdyl Shehaj, ka lindur më 16 maj të vitit 1948 në fshatin e Rabijes-Tepelenë. Ai vazhdoi shkollën në fshatin Peshk të Martaneshit, pranë xhaxhait të tij, baba Hasim Shehaj. Në këtë teqe, ai mori frymën bektashiane dhe mësoi shumë nga ritualet dhe kodet e saj. Pas ardhjes së demokracisë, klerikët, baba Bajram Mahmutaj dhe baba Sherif Canometaj, erdhën këtu, me idenë dhe frymën e shenjtë, për të ringritur këtë teqe. Më tej, dede Reshat Bardhi, dërgoi këtu dervish Xhelalin, i cili bashkë me baba Abdyl Shehaj, u dhanë jetë këtyre mureve historikë nga viti 1995 e deri më sot. Baba Abdyli punoi me përkushtim për t’i dhënë vlerë të trashëgimisë tradicionale teqesë së Koshtanit, e cila në histori ka lënë gjurmë jo vetëm si teqe e shpirtit dhe zjarrit bektashian, por dhe si vatër atdhetarie, ku baballarët e saj punuan për misionin bektashian dhe me moton se “Pa atdhe nuk ka fe”. …Ai u kujdes veçanërisht për teqenë e Rabijes. Vitet e fundit baba Abdyli ka qenë i rënduar nga sëmundja, për të cilën u kurua si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë vendit. Në çdo moment, ne i qëndruam pranë vëllait tonë për t’ia lehtësuar sadopak vuajtjen. Megjithë shëndetin jo të mirë, baba Abdyli u kujdes dhe vazhdoi punën për shqetësimet e teqeve e tyrbeve në Tepelenë. Por sëmundja nuk e la të qetë dhe sot ai kaloi nga jeta. Baba Abdyli ishte i qetë, gojë ëmbël dhe me punën e tij kishte fituar respektin dhe dashurinë e besimtarëve të teqesë së Koshtanit, Memaliajt dhe gjithë Tepelenës. Ndarja nga kjo jetë e vëllait tonë baba Abdy Shehajt, është një humbje për ne të gjithë besimtarët bektashianë kudo ku ndodhen, njëkohësisht dhe një detyrim për të punuar më shumë, bashkë me myhibët, klerikët, besimtarët e dashamirësit, për të çuar më tej misionin fetar e atdhetar bektashian…”
Ritet e përcjelljes së klerikut
Sheshi para teqesë së njohur të Koshtanit, dje, ishte mbushur nga besimtarë të shumtë, të cilët ndryshe nga herët e tjera, kishin ardhur të përcillnin për në banesën e fundit baba Abdylin, që kishte punuar e drejtuar shumë kohë në këtë institucion të njohur bektashian. Pas homazheve në këtë objekt, në orën 17:00 u bë dhe ceremonia e varrimit, rite të cilat u drejtuan nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Ka dhe ‘mali’ i buqetave me lule që u vendosën pranë trupit të klerikut, ishin shprehje e mirënjohjes së besimtarëve e miqve për jetën dhe kontributin e baba Abdyl Shehajt.
Redaktoi faqen: K. BORIÇI