KRYEGJYSHI BOTËROR BEKTASHIAN, HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ, MESAZH NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA, TË Prof. NASHO JORGAQIT

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, nëpërmjet një mesazhi, ngushëllon familjarët, të afërmit, miqtë e kolegë të akademik Nasho Jorgaqit, ndarë nga jeta ditën e djeshme, në moshën 90-vjeçare. Nëpërmjet këtij mesazhi, Dede Edmond Brahimaj, e vlerëson shkrimtarin e publicistin Jorgaqi si mik të bektashizmit, për të cilin ai ka shkruar libra, portrete e shkrime të shumta publicistike, dokumente me vlerë për brezat që do të vijnë.
“...Mësova me hidhërim të thellë për ndarjen nga kjo jetë të vëllait e mikut tonë, akademikut Nasho Jorgaqi. Ngushëlloj për këtë humbje familjarët, të afërmit e tij, miq, shokë e kolegë dhe ndaj mne ‘ta këtë humbje të një personaliteti të rrallë për letërsinë, kulturën, historinë e publicistikën shqiptare. Nasho Jorgaqi, ishte mik i bektashinjve dhe ka shkruar vazhdimisht për këtë besim të paqtë dhe personalitete të njohur të këtij besimi. Ka shkruar libra, reportazhe, ese e studime të mirëfillta, për të cilat ne e kemi mbështetur vazhdimisht. Ai ishte i pranishëm në shumë aktivitete që Selia e Shenjtë ka zhvilluar ndër vite, në Shqipëri e jashtë saj, duke dhënë kontributin e tij. Ngushëllime për këtë humbje të mikut tonë të dashur...”- shkruan në mesazhin e tij, Dede Edmond Brahimaj.
Konntributi i Jorgaqit, për bektashizmin, është në disa drejtime. Kështu, Nasho Jorgaqi, me mbështetjen e Selisë së Shenjtë Bektashiane, shkroi e botoi librin “Në Stamboll tek Naimi”. Po ashtu, ai përgatiti enkas një studim për poetin Kombëtar, bektashiun e Madh, Naim Frashëri, i cili u përfshi në librin ”Naim Frashëri, Apostull dhe Bilbil i Shqiptarizmës”, të autorëve Kujtim Boriçi & Nuri Çuni, duke qenë njëkohësisht dhe konsulent i tij.

Përgatiti:
Xhorxhi ÇULLHAJ