URIM I KRYEGJYSHIT BOTËROR BEKTASHIAN PËR ÇELJEN E VITIT SHKOLLOR 2022-2023

Me rastin e fillimit sot të vitit të ri mësimor 2022-2023, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, nëpërmjet një mesazhi, uron dhe bekon për nxënësit, mësuesit dhe prindërit, një vit përpjekje të suksesshme për më shumë dije, shëndet e lumturi, në të mirë të vetes, familjes e atdheut.!
Ndër të tjera, në urimin e Dede Edmond Brahimajt thuhet: “…Një urim i veçantë për nxënësit e klasave të para, që sot fillojnë rrugën e dijes! Shpresoj dhe besoj se çdo vit shkollor, ashtu edhe ky vit, duhet të jetë një kontribut i çmuar në formimin tuaj, si nxënës, si qytetarë e mbi të gjitha, si njerëz. Prandaj angazhohuni dhe studioni seriozisht. Bëhuni protagonistë të jetës shkollore, duke përcjellë aftësi, pozitivitet, edukatë, bashkëpunim, tolerancë, arritje. Shkolla është një vlerë që do ju vlejë për të gjithë jetën. Përpiquni të punoni fort, për arritje të suksesshme. Personalisht, simbolika e kësaj dite, më lidh akoma më shumë me historinë 800-vjeçare të bektashizmit. Pa më të voglën mëdyshje, në vargun e gjatë dhe të lavdishëm të mësuesve, unë do të renditja edhe qindra klerikë bektashianë, të cilët i shndërruan teqetë e tyre në vatra të dijes dhe mësimit të gjuhës shqipe. Së bashku me shpresën tek Zoti i Madh, ata ushqyen breza të tërë, me dashurinë për Atdheun dhe shenjtërinë e lirisë. Nder dhe respekt të veçantë, mësuesve të djeshëm dhe të sotmëve. Urime dhe me krahë të lehtë për të gjithë Ju! Zoti ju bekoftë të gjithëve! Amin!”

Përgatiti:
Xhorxhin ÇULLHAJ