Ditën e premte, më 16 shtator 2022, Gjyshata e Korçës, zhvilloi pelegrinazhin tradicional, vjetor në mekamin e Gjoncit- Ersekë. Përveç besimtarëve të ardhur nga mbarë Kolonja, por edhe Përmeti, Skrapari, Korça, Devolli, Gjirokastra dhe nga trevat e tjera të Shqipërisë e jashtë saj, aty në Gjonç, mes bukurisë, freskisë dhe madhështisë së Gramozit, mes dashamirësve të shumtë, në këtë ditë të veçantë, mori pjesë edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili drejtoi dhe ritet e këtij aktiviteti.
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj përshëndeti të pranishmit duke u uruar atyre, shëndet e lumturi.
“Këtu në Gjonç, është njëherazi dhe një mirënjohje për dervish Elmazin, klerikëve të tjerë bektashianë e qindra besimtarëve, që ndër dekada, ndonëse u përballën me persekucionin zyrtar të regjimit monist, ditën ta mbajnë ndezur dritën e besimit, duke ecur në udhën e ndritur të Pirit tonë, duke gjetur prehje e shërim tek ky mekam i shenjtë me shpresën e palëkundur për ardhjen e ditës së besimit të lirë, gjë që nuk vonoi e erdhi me ndryshimet e vitit 1990. Dervish Elmazi, emrin e të cilit mbanë tyrbja në Gjonç, është një klerik i njohur bektashi që gjatë gjithë jetës së tij, si shërbëtor i Udhës së Hakut, punoi pa pushim për bektashizmin, duke lënë gjurmë në gjithë zonën. Ai, është nderuar e nderohet për këtë kontribut nga brezat e besimtarëve këtu në Gjonç, në zonën e Kolonjës e më gjerë, ku punoi e ka bërë emër. Duke vlerësuar traditën bektashiane, duke vlerësuar klerikët që kanë shërbyer besimit dhe kombit, ne kemi një garanci tjetër për forcimin e bektashizmit dhe traditave të njohura të këtij tarikati në të mirë të njerëzve. Kjo pjesëmarrje e madhe sot në pelegrinazh, ky devocion i besimtarëve, është një tregues i fuqishëm i këtij misioni.” – tha ndër të tjera Kryegjyshi Botëror, Dede Edmond Brahimaj.
Përgatiti:
Xhorxhin ÇULLHAJ