AKTIVITETE TË KRYEGJYSHATËS BOTËRORE BEKTASHIANE, NË MEDIE

Përkujtohet 100-vjetori i kalimit nga jeta i dervish Iliazit

Dede Edmond Brahimaj: Dervish Ilias Qafoku, ishte dhe mbetet klerik, atdhetar i njohur, përhapës i arsimit shqip dhe bamirës

Nga Nuri ÇUNI

Dita e sotme, 20 marsi 2023, është 100-vjetori i kalimit nga jeta i dervish Iljas Qafokut, një nga klerikët e shquar bektashian. Ky apostull i shqiptarizmit, që dha kontribut të çmuar atdhetar e arsimdashës, mbetet gjithashtu dhe një figurë madhështore në ndërtimin e urave, çezmave dhe bamirës i rrallë. Duke kujtuar këtë ditë të mbushur me një sërë aktivitetesh, Kryegjyshi Botëror Bektashian, ndër të tjera, pohon: “…. Dervish Iliasi, me mendjen e tij të ndritur, me dlirësinë e tij shpirtërore dhe ndihmën e çmuar të besimtarëve skraparas, vuri në pllajën e Kulmakut në Tomor, më 28 korrik 1916 gurin e parë të themelit të teqesë së Kulmakut. Askush më mirë se ai klerik, nuk e pati ndjerë dhe kuptuar se mali i Tomorrit, ai që mban mbi supe të tij, varrin-legjendë të Abaz Aliut, duhej të mbante në gjoks të vet edhe një teqe, një prehtore të përjetshme për shpirtrat e pastër bektashianë…!”
PA ATDHE NUK KA FE
Në ngjarjet historike në periudhën e Lidhjes Shqiptare e Prizrenit (1878-1881), një rol të rëndësishëm luajti dhe Dega e Lidhjes së Frashërit me kryetar baba Alushin e teqesë Frashërit, dhe komandanti i forcave luftarake për Skraparin ishte Hysen Sevrani,
ku baba Meleq Shembërdhenji dhe dervish Iljasi, ishin të kudondodhuri në veprim të çështjes kombëtare. Kështu, u krijuan kushtet dhe formohet çeta e parë e Bajo Topullit në teqenë e famshme të Melçanit të Korçës, më1906… Klube të tilla atdhetare u krijuan edhe në Skrapar si Klubi Pellazgu me Abadulla Koprënckën, Dega e Klubit Bashkimi nga Dervish Iljasi në Vërzhezhë, i cili bashkëpunote ngusht me Bab Dudë Krabunarën. Anëtarët e Shoqërisë “Bashkimi” të Beratit, me aktivitet në trevat e Fierit, Lushnjës, Mallakastrës e Skraparit, bashkëpunonin me çetën kryengritëse të baba Medin Gllavës dhe çetën e baba Kamber Velabishti në Berat. Me këtë frymë kombëtare, dervish Iliasi, formoi degën e Klubin “Bashkimi” në fshatin e vendlindjes së tij, Vërzhezhë… Më 28 shkurt të vitit 1910 u organizua mitingu (me 15 mijë pjesëmarrës) nga klubi patriotik “Bashkimi”, në Berat, ku ishin të pranishëm edhe baba Shaban Prishta, Varf Iliasi (Vërzhezha), baba Belul Therepeli, baba Ismail Gllava, dervish Medini, baba Ahmet Resuli.
DERVISH ILIASI PËR ARSIMIN
…Pas mitingut më 1910, që u bë në Berat nga Babë Dudë Karbunara, baba Turani, dervish Iljasi e dervish Medinin, qëndruan ca ditë në teqen e Prishtës. Aty u hartua një kartë për zotin Kristo Gjirokastritin (Kristo Meksi) për libra e fletore shqipe. Klubet dhe shoqëritë në Skrapar luajtën rol të rëndësishëm në bashkimin dhe vëllazërimin e popullit skraparas, në luftën për liri dhe pavarësi, për përhapjen e gjuhës shqipe. Parulla -për mëmëdhenë me pushkë dhe penë-, u bë motoja kryesore e punës së tyre. Dhe në Skrapar, patriotët e shquar si: Hasan e Abdyl Koprëncka, Hysen Sevrani, dervish Iljasi, baba Fetahu, baba Meleq Staravecka (Shëmbërdhenji, Muço), baba Xhaferi dhe Shaban Prishta, ngritën zërin e tyre kundër persekutimit të shkrimit dhe gjuhës shqipe nga sunduesit otomanë. Fshehurazi, në krahinat jugore, mësuesit patriotë bënin mësim shqip në shkollat turke…
MISIONAR SHOQËROR
Roli i dervish Iljasit është i plotë në gjithë veprimtarinë e tij në vite si atdhetar, fetar dhe bamirës. Ai hapte puse, ndërtonte rrugë, bënte çezma, pajtonte grindje dhe mëritë në çdo fshat. Ai përhapte diturinë me punë dhe djersë, ndihmonte në hapjen e shkollave dhe ishte në krye të veprimtarive për arsimin dhe lirinë e Shqipërisë. Dervish Iliasi thoshte: “Hajde ta bëjmë bashkë”. A bëri në vite këto çezma, puse rrugë: Vërzhezhë, Kulmak, Prosek, Novaj, Nishovë, Koritë, Mollas, Kulmak, Vrepckës, Dusharit të Korçës, Pirogosh, Dëvri, Vlush Suropull, Podë të Kolonjës.. Urat që bëri janë: e Lapnit, e Sharovës (riparim), mbi Vjosë në Tepelenë (1908) mbi lumin Shushicë, në Lubonjë të Vlorës, në vitin 1909-1911, e Vlushës, e Bogovës, Bogovë, në Skrapar.
NGRITJA E TEQESË SË KULMAKUT
Teqeja e Kulmakut, kjo faltore e Shenjtë, u themelua dhe ndërtua nga dervish Iliasi, në muajin korrik të vitit 1916. Dhe vit për vit, duke filluar më 20 të gushtit, nga çdo anë e Shqipërisë fillon një pelegrinazh i popullit shqiptar prej mijërash veta që vijnë shkojnë të vizitojnë Altarin e Shenjtë të Abas Aliut në Çukën. Dervish Iljasi ndërroj jetë më 20 mars 1923 dhe u varros në tyrben afër teqesë së Kulmakut në Tomorr. Komisioni i Beratit duke nderuar veprat dhe shërbimet e tij patriotike vendosi të pagëzoj shkollën e katundit Vërzhezhë të Skraparit me emrin e tij Shkolla “Dervish Iljasi”
Vepra e dervish Iljasi nuk harrohet, ai nderohet dhe respektohet nga të gjithë si një shenjt atje në Tomor, në pllajën e Kulmakut si drita e Tomorit. Këtë e tregon edhe pelegrinazhi në malin e Tomorit, që është i përvitshëm. Kjo veprimtari tashmë tradicionale lartëson këtë figurë kombëtare dhe ndërkombëtare, është krenari e veçantë për të gjithë skraparasit dhe popullin shqiptar, por sidomos për besimtarët bektshinj, që e donin pa kufi, dervish Iljiasin, për punën e tij si misionar i fesë, dhe atdhetar i përkushtuar, bamirësi, mirëbërësi dhe shpirtndrituri
SHTYPI I KOHËS PËR DERVISH ILIASIN
Aktiviteti i gjerë fetar e atdhetar i dervish Iliazit, është pasqyruar gjerësisht dhe në shtypin e kohës. Ja pak prej tyre:
Gazetës “Liria e Shqipërisë” vjeshtë e dytë, 1911, f. 3 Andej-këndej: “Na shkruajnë nga Shqipëria e Jugut se i miri Varf Iljas Vërzhezha, mbaroi një urë afër Vlorës dhe vet u rropaste duke punuar me kazmë e lopatë gjer sa u mbarua. Ura që themi është 35 m. e gjatë dhe gjerësi 3.5 m. Ka mot-mot që punonin 25 punëtorë deri sa e mbaruan. Katundet afër ndihmuan mjaft. Tani kushdo që shkon në këtë urë zbraz nga një dyfek, shenjë që rrëfen sikur lindi njeriu përsëri, se ndryshe më parë kur shkonte atje, 99 për qind e kishin jetën e humbur. Që Shën Mitri dhe gjer në maj në këtë lumë (Shushica) s’kish si kapërxehej, ndaj që i miri Varf Iljasi u bë shkak të ngrihej kjo urë. Do t’i njihet prej kombit sikundër edhe shërbimet e tjera që i ka bërë gjer më sot….”
Gazeta ‘Liria’: Letër, Frashër, 13 shkurt 1910. “I nderçmi Drejtor i gazetës. Shpirtmiri punonjës i palodhur Varfa Iljas, i cili edhe vjet të lajmërova, ka tre vjet me kazëm në
dorë katund më katund, ku janë prishur udhët i ndreq dhe kështu: Skrapar, Përmet dhe në ca vise Kolonjë, Leskovik i ka bërë mirë. Sivjet doli përsëri, bëri një udhë që s’ta pret mendja, Surropull-Kakos ish një lumë (degë e lumit të Malindit) hidhej njëzetë herë; ato që hiqnin varfërija kur vinin në tregun e Frashërit! Udhën e bëri anës së lumit, katundarët punuan tri ditë; mbi këtë rrugë dhe ku gjen pak ujë dhe e bën krua.”
Gazeta “Lirija” nr. 68, dt.26.12.1909, fq. 2.: “…Dervish Iljasi një nga nacionalistët e rrethit të Skraparit i pajisur me virtyte të larta njerëzore e atdhetar. Përkrahës i nxehtë i Arësimit Kombëtar dhe në çdo rast dha kontributin e tij patriotik për Rilindjen Kombëtare. Dervish Iljasi la një kujtim të paharrueshëm në qarkun e Skraparit dhe të Tomorricës duke u kujdesur me një energji të çmuarshme për ndreqjen e rrugëve, të urave, të çesmave dhe të tjera veprave filantropike, që shërbejnë për përfitim e atij vendi klimaterik, që lidhet ngushtë me faltoren e Shenjtë bektashiane. Në këtë mënyrë u përpoq shpirtërisht duke i treguar çdo lehtësi dhe përkrahje popullit për t`i shëruar plagët dhe për t`i lehtësuar mjerimet.
Dervish Iljasi themeloi teqen bektashiane në vendin e quajtur Kulmak të Tomorrit. Për këtë
vepër të tij kënga popullore thotë: Korriku njëzet e tetë/ Mbi Tomorr një flag ndriti/ Dervish Iljasi i vërtetë/ Në Kulmak teqenë e ngriti…“

MESAZH I KRRYEGJYSHIT BOTËROR
BEKTASHIAN, DEDE EDMOND BRAHIMAJ
“…Sot, ne përkujtojmë një ditë të shënuar, jo vetëm për bektashinjtë, por për mbarë shqiptarët, 100-vjetorin e kalimit nga jeta të dervish Iliasit, klerik, atdhetar i njohur, bamirësh dhe përhapës arsimit shqip. … Me mendjen e tij të ndritur, me dlirësinë e tij shpirtërore dhe ndihmën e çmuar të besimtarëve skraparas, dervish Iljas Qafoku, vuri në pllajën e Kulmakut në Tomor, 28 korrik 1916 gurin e parë të themelit të teqesë së Kulmakut. Askush më mirë se ai klerik, nuk e pati ndjerë dhe kuptuar se mali i Tomorrit, ai që mban mbi supe të tij, varrin-legjendë të Abaz Aliut, duhej të mbante në gjoks të vet edhe një teqe, një prehtore të përjetshme për shpirtrat e pastër bektashianë. Askush më i vëmendshëm se ai, nuk pati dëgjuar zërin e kryebektashiut, Naim Frashërit, kur shkruante: Abaz Aliu zu Tomorrë/ Erdhi afër nesh…/ Shqipëria s’mbet e gjorë,/ Se Zoti e desh! “ .Çelja e kësaj teqeje, tek ky vend i bekuar do të mbetej për breza të tërë besimtarësh, jo vetëm vend i adhurimit të Zotit, të imamëve tanë, të Abaz Aliut, por edhe shprehje e aspiratave tona kombëtare për liri dhe prosperitet.

Përgatiti faqet: Kujtim BORIÇI

 

Kurora me lule dhe nderime për 100 vjetorin e kalimit nga jeta të Dervish Iljazit: