PËRKUJTOHET 220-VJETORI I THEMELIMIT TË TEQESË MADHE – ELBASAN

19 marsi i këtij viti, shënon 220-vjetorin e themelimit të Teqesë së Madhe, në Elbasan. Kjo teqe, ndodhet në veri të qytetit, pranë rrugës automobilistike Elbasan-Korçë, përkatësisht në Mengel, Njësia Administrative Fushë-Labinot, Bashkia Elbasan. Ajo është  themeluar nga Fakri Xhefai Babai më 19 mars të vitit 1803…  Klerikët bektashinj që drejtuan këtë teqe, pas vitit 1850, kanë qenë nga familje të njohura në Elbasan si: Balza, Ekmeçiu dhe veçanërisht nga familja Dedei (1874 – 1967). Pas 23 vjetësh, në vitin 1826, të themelimit, teqeja u shkatërrua nga misionarët e Sulltan Mamudit të II. Baballarët u larguan nga persekutimi turk dhe teqeja u shkatërrua plotësisht. Xhefai Babai, në këtë persekucion iu drejtua për ndihmë, fisit Xhani, në Luzin e Kavajës, te cilët fshehurazi, e ndihmuan për kalimin e lumit Shkumbin, për në teqen e Frashërit. Pranë teqesë së Frashërit me baba Alushin e famshëm, ai qëndroi deri në vitin 1829. Shoqëruesi i tij, Abdulla Xhani, u vesh dervish nga baba Alushi. Xhefai Babai u kthye nga Frashëri, në Elbasan, në vitin 1829. Kurse dervish Abdullai (Xhani), nga viti1829 e deri sa kaloi nga jeta, drejtoi teqen e Luzit të Kavajës. Teqeja e Madhe u rindërtua plotësisht nga shkatërrimet e misonarëve turq, në vitin 1850 nga Haxhi Daut Babai, dijetar i shquar, i cili e drejtoi teqenë e Madhe deri në vitin 1861. Më pas (1862-1868), këtu shërbeu Qefshi Baba Mustafa Baltza, i cili drejtoi me përkushtim dhe, populli e quajti “Njeri i shenjtë“. Vazhdojnë të drejtojnë në vite këtë teqe të famshme baballarët me zë: Baba Hysen Duhanxhiu (1863 që vjen nga Gjirokastra e ndërroi jetë në fund të këtij viti).Haxhi Hazbi Hysen Babaj (1870 – 1874), Hylki Ali Baba Dedej (1874 – 1897), Sedki Salih Baba Dedej (1897 – 1914). Më tej u gradua në Haxhi Bektash Halife “gjysh“. Më pas, u burgos nga Haxhi Qamili, kohë në të teqeja u dogj nga rebelët qamilist, të vitit 1914.  Ky është shkatërrimi i dytë i kësaj teqeje. Por Hylysi Baba Ahmet Dedej, përshtati si godinë të teqesë, magazinën e barit që ndodhej aty pranë, (1914 – 1926). Në vitin 1940 në këtë teqe, shërbenin dervishët: dervish Musa Qazim, dervish Mehmet Zykaj, dervish Aziz Krena, dervish Met Kërpica, dervish Musa Humaduna (nga Kosova), dervish Muharrem Metalla, dervish Ibrahim Duhanxhiu, Ofiqar shërbimi, Qamil Metush. Më pas drejtoi Haqi Mustafa Baba Dedej (1926 – 1950), Musa Qazim Baba Dedej (1950 – 1962), gjysh Ibrahim Kuka ( deri 7 janar 1963), Baba Sherif Canametaj 1963-1967. Teqeja, u mbyll nga shteti monist në vitin 1967. Teqeja ishte shpallur Monument. Pas vitit 1967, u kthye në repart ushtarak.  Më vonë, pas vitit 1990 u zu nga banorët dhe nuk ka më origjinalitetin e mëparshëm të saj. Rihapja e teqeve në Elbasan u bë më 14 qershor 1993 nën drejtimin e baba Sherifit (1993-1994). U ringritën tyrbet e teqesë së Madhe në nëntor 1995. Pranë teqesë së Madhe është ngritur teqe e re në vitin 2019, nën drejtimin e baba Faikut dhe dervish Admir Selmani.  Përkujtimi i Teqesë Madhe në këtë 220 vjetor na kujton historinë e madhe, të qënit si qendër e rëndësishme e gjuhës shqipe dhe atdhetarizmit, ku ka punuar dhe kontribuar dhe Aqif Pashë Elbasani, i cili ishte edhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Shtetit Shqiptar, i zgjedhur nga Kongresi i Lushnjës.