
Sot, më 4 tetor 2025, në qytetin historik të Tepelenës, u zhvillua ceremonia e përurimit të Shtatores së Kapedanit Tafil Buzi (Nder i Kombit), një figurë madhështore e historisë shqiptare, e njohur për guximin, mençurinë dhe dashurinë e tij të pashuar për Atdheun.
Në këtë ngjarje të veçantë mori pjesë edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, i cili me praninë e tij nderoi figurën e Kapedanit dhe vlerësoi kontributin e tij në mbrojtjen e lirisë dhe dinjitetit kombëtar. Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë, Haxhi Dede Edmond Brahimaj theksoi se Tafil Buzi përfaqëson shpirtin e pathyeshëm të shqiptarit, që beson në Zot, në liri dhe në atdhe. Ai u shpreh se kujtimi i figurave të tilla është një bekim për brezat e rinj, që duhet të rriten me ndjenjën e dashurisë për vendin dhe respektit për sakrificën.
Aktiviteti u organizua nga Bashkia Tepelenë, në bashkëpunim me Shoqatën Atdhetare Kulturore “Tafil Buzi” dhe Bashkinë Memaliaj, me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare, përmes Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Në ceremoni morën pjesë personalitete të jetës akademike, përfaqësues të institucioneve shtetërore, deputetë, klerikë dhe qytetarë të shumtë, të cilët nderuan kujtimin e Kapedanit me mirënjohje e respekt.
Ngjarja u shoqërua nga një simpozium shkencor, ku u paraqitën kumtesa mbi jetën dhe veprën e Tafil Buzit, si dhe nga homazhe pranë shtatores dhe një koncert festiv me këngë patriotike, që solli atmosferën e krenarisë kombëtare në qytet.
Përurimi i shtatores së Tafil Buzit shënon një ditë të rëndësishme për historinë dhe kulturën shqiptare, duke bashkuar trashëgiminë shpirtërore të bektashizmit me vlerat e qëndresës dhe lirisë. Me praninë e Haxhi Dede Edmond Brahimajt, ceremonia mori një dimension të veçantë shpirtëror, duke rikujtuar se forca e kombit tonë qëndron në unitet, besim dhe dashuri për Atdheun.
Përgatiti: XH. CULLHAJ







