
Që në orët e para të ditës së diel, 22 marsit 2026, mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane në Tiranë, ishin mbipopulluar si rrallë ndonjëherë nga besimtarë, klerikë bektashianë nga Shqipëria, drejtues e përfaqësues të besimeve të tjerë fetarë, drejtues shtetërorë e lokalë, ministra, deputetë, politikanë, njerëz të artit, kulturës, teologë, studiues të njohur etj., në ditën e shënuar të Sulltan Nevruzit.
Në këtë ditë të shënuar, kishin ardhur gjithashtu dhe klerikë bektashian, besimtarë e dashamirës edhe nga Maqedonia e Veriut, Kosova, e vende të tjera të Europës, SHBA etj.., ku ka komunitete bektashianë. Nën përkujdesjen e Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, Kryegjysh Botëror i Bektashizmit, ishin marr masa të plota, për mbarëvajtjen e aktiviteti.
Ndër personalitete që morën pjesë në ceremoninë dhe ritet përkatëse ishin dhe: Presidenti Republikës së Shqipërisë, Sh. T., Z. Bajram Begaj; përfaqësues të Ambasadës së Amerikës; Ambasadorii Republikës së Kosovës; përfaqësues nga Ambasada e Maqedonisë së veriut; përfaqësues nga Ambasada e Kinës; Profesor Paskal Milo; Profesor Kaliopi Naska;
Përfaqësues nga Kisha Ort’hodokse Autoqefale, Kryetari Vush; Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqiperisë; deputet të Partisë së Lirisë; Ministri Brendshëm z. Besfort Lamallari; Kryetari Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla; Deputete, Anila Denaj; Prefekti Tiranës, Shkëlqim Hajdari; Kryetarja e Federatës së Paqes, etj…
Ceremonia nisi me shoqërimin e Himnit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë dhe Himnit Bektashian. Në vijimësi, aktorët njohur, Bujar Asqeriu dhe Dritan Boriçi, interpretuan poezinë për bektashizmin të Naim Frashërit dhe disa nefese bektashiane.
Pas tyre, besimtarët e shumtë dhe personalitetet, ndoqën me interes një film të ri dokumentar, përgatitur enkas për këtë ditë të shënuar, nga gazetari i njohur, Ferdinand Samarxhi-Mjeshtër i Madh. Në përshëndetjen e Tij, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, tha: Bismilahi Rrahmani Rrahim! Në emër të Zotit , Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Të nderuar Klerikë bektashinj, të nderuar përfaqësues të pushtetit Qëndror dhe Vendor, deputetë dhe përfaqësi diplomatike në vendin tonë!
Të nderuar vëllezër dhe motra, anëtarë spiritual të besimit bektashi dhe pjesëmarrës në këtë Ceremoni të Shenjtë. Sot jemi mbledhur për të kremtuar Sulltan Nevruzin, një festë të shenjtë që simbolizon fillimin e ri, dritën shpirtërore dhe unitetin në Bektashizëm. Kjo ditë është një mundësi për të reflektuar mbi virtytet që na udhëheqin, për të forcuar lidhjen tonë me Zotin dhe për të kultivuar dashurinë dhe respektin ndaj njëri-tjetrit. Ky vit ka një domethënie të veçantë për Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, pasi kjo ditë përkon me 35-vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës dhe lirisë së besimit bektashi, një moment historik që shënoi ringjalljen e besimit dhe të traditës tonë shpirtërore pas periudhave të vështira. Kjo ngjarje është dëshmi e qëndrueshmërisë së besimit dhe e punës së përbashkët të brezave për të ruajtur identitetin dhe vlerat tona.
Sulltan Nevruzi na kujton se çdo fillim i ri është një mundësi për pastrim shpirtëror. Siç thotë Haxhi Bektash Veliu: “Ai që nuk e sheh veten në tjetrin, nuk e sheh Zotin në veten e tij.” Kjo thënie na mëson se dashuria dhe përkujdesja për të tjerët janë pasqyra e besimit tonë të thellë.
Po ashtu, fjalët e Imam Aliut që na udhëheqin: “Njerëzit janë armiqtë e asaj që nuk kuptojnë, dhe miqtë e asaj që kuptojnë.” Kjo na inkurajon të kultivojmë dijen, mirëkuptimin dhe respektin për të gjithë, duke kapërcyer paragjykimet dhe mosmarrëveshjet. Një tjetër thënie e Imam Aliut : “Dija është pasuria më e çmuar; ajo nuk mund të humbasë dhe nuk mund të merret.” Kjo na kujton rëndësinë e diturisë dhe vetë-përmirësimit shpirtëror si pjesë e jetës sonë fetare.
Le të kujtojmë gjithashtu fjalët e Haxhi Bektash Veliut: “Bota është një pasqyrë; kush sheh të keqen, e ka brenda vetes; kush sheh të mirën, e ka në zemër.” Kjo thënie na udhëzon të reflektojmë mbi veprat tona dhe të synojmë shpirtërisht të jemi burim i së mirës dhe dashurisë për të tjerët.
Në këtë ditë të shenjtë, kujtojmë me nder dhe mirënjohje kontribuuesit dhe udhëheqësit shpirtëror të komunitetit tonë. Sot nderojmë figurat e shquara që, me guxim dhe devotshmëri, rrezikuan jetën e tyre për të rihapur teqetë, tyrbe, mekame dhe Qendrën e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Mes tyre kujtojmë me respekt Haxhi Dede Baba Reshat Bardhin, Baba Bajram Mahmutaj, Baba Selim Kaliçani, Baba Sherif Cenometi, Baba Neki Caushaj, të cilët, falë përkushtimit, guximit dhe sakrificës së tyre, ruajtën dhe ringjallën trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore të besimit tone në 22 mars 1991.
Në këtë ditë të lindjes së Imam Aliut, dua të theksoj rëndësinë e bashkëjetesës, tolerancës dhe ndihmës për njëri-tjetrin. Siç thotë Imam Aliu: “Ai që ndihmon të varfrin, ndihmon veten dhe afrohet tek Zoti.” Le të festojmë këtë Sulltan Nevruz me zemra të pastra, duke u bërë shembull i unitetit dhe dashurisë për të gjithë pa dallim besimi apo nacionaliteti.
Le të kremtojmë këtë ditë me mirënjohje, paqe dhe shpresë për një vit të mbushur me bekime shpirtërore, shëndet dhe përparim për të gjithë ne. Gëzuar Sulltan Nevruzin dhe 35-vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës!”
…Në drejtimin e riteve bektashiane të Festës së Sulltan Nevruzit, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, u shoqërua dhe nga klerikët e tjerë bektashi, pjesëmarrës në këtë ditë të shënuar.
Dita e Sulltan Nevruzit, është festuar të dielën dhe në gjyshatat bektashiane brenda dhe jashtë Shqipërisë, ndërsa kjo festë, është uruar dhe nga personalitetet më të lartë të vendit.
Në mesazhin e Tij, Presidenti i Republikës, SHT Bajram Begaj, ndër të tjera theksoi: “…Gëzuar Sulltan Nevruzin! Kjo ditë e shenjtë, simbol i pranverës dhe ringjalljes, na kujton forcën e shpresës, dashurisë dhe unitetit. Le të na shërbejë si thirrje për më shumë harmoni e mirëkuptim mes nesh, duke forcuar bashkëjetesën dhe tolerancën që na karakterizon si shoqëror!”
Kryeministri Edi Rama, përshëndetjen e Tij për Sulltan Nevruzin, e dërgoi nëpërmjet një sekuence filmike të një teqeje në Berat.
Fotot: Nuri ÇUMANI
















































