KRYEGJYSHATA BOTËRORE BEKTASHIANE JEP NDIHMA PËR TË VERBËRIT DHE FAMILJET NË NEVOJË

Në kuadër të ditëlindjes së Tij, më 19 maj 2026, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, zhvilloi një aktivitet humanitar në mbështetje të shtresave në nevojë, duke shpërndarë ndihma ushqimore për individë dhe familje që përballen me vështirësi ekonomike.

Ndihmat iu dhuruan Shoqatës Kombëtare “Shpresë për të Verbrit” për degët e Tiranës dhe Durrësit, Fondacionit “Krah për Krah” në Korçë, si edhe disa familjeve në nevojë. Pakot përmbanin produkte ushqimore bazë, me synimin për të lehtësuar sadopak vështirësitë e përditshme të përfituesve.

Ky gjest solidariteti dhe përkujdesjeje vjen si një mesazh humanizmi, dashurie dhe mbështetjeje ndaj njerëzve më në nevojë, vlera të cilat Kryegjyshata Botërore Bektashiane i ka përcjellë ndër vite përmes aktiviteteve bamirëse dhe sociale.

Përfaqësues të shoqatave dhe familjet përfituese shprehën mirënjohjen e tyre për ndihmën dhe vëmendjen e treguar, duke vlerësuar kontributin e vazhdueshëm të Kryegjyshatës në mbështetje të komunitetit.

Mirësia, solidariteti dhe ndihma ndaj njëri-tjetrit mbeten vlera që bashkojnë shoqërinë dhe japin shpresë për një të ardhme më të mirë.