
Ditën e martë, 19 maj 2026, në orën 16:00, në ambientet sportive të stadiumit “Roza Haxhiu” në Lushnje, u zhvillua edicioni i pestë i Kupës “Pasardhësi”, një aktivitet i veçantë i organizuar në nder të ditëlindjes së Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj. Turneu mblodhi së bashku ekipe të moshave të reja, duke krijuar një atmosferë sportive plot emocion, energji dhe frymë bashkimi.
Në këtë aktivitet morën pjesë tetë ekipe të grupmoshës U-11 dhe dy ekipe të grupmoshës U-9. Në kategorinë U-11 konkurruan Akademia e Futbollit Lushnja me trajner Alush Sefa, Akademia e Futbollit “Jek Baze” me trajner Orgest Baze, Akademia e Futbollit Arnisa me trajner Eurion Iljazi, Akademia e Futbollit Egnatia me trajner Sokol Gosa, Akademia e Futbollit Lushnja 1920 me trajner Judmir Gazheli dhe Akademia e Futbollit Apolonia me trajner Viktor Gjyla. Ndërsa në grupmoshën U-9 morën pjesë Akademia e Futbollit Lushnja me trajner Ledio Taullau dhe Akademia e Futbollit Egnatia.
Ndeshjet u zhvilluan me sistem eliminimi dhe sollën rivalitet sportiv, ku fëmijët treguan talent, disiplinë dhe pasion për futbollin. Çdo takim u karakterizua nga emocione dhe frymë e shëndetshme gare, duke e kthyer turneun në një festë sportive për qytetin e Lushnjes.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, figurave sportive, komunitetit bektashi, artit dhe kulturës. Të pranishëm ishin Kryetarja e Bashkisë Lushnje, Eriselda Sefa; nënkryetaret e bashkisë Maltrida Bardho dhe Edlira Mezini; Kryetari i Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare, z. Erion Sylari, si dhe figura të njohura të futbollit lushnjar si Rramadan Baballeku, Gafurr Taullau dhe Blerim Hasalla.
Në aktivitet morën pjesë gjithashtu Presidenti i Nderit, Rresul Prishta; artistja ndërkombëtare dhe ambasadore e paqes Marjets Spaho (Zaimi); maestro Gezim Xhaxhaj, si dhe personalitete të tjera të njohura të qytetit të Lushnjes.
Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i shoqatës organizuese, Kujtim Baze, i cili u uroi mirëseardhjen sportistëve dhe pjesëmarrësve. Përshëndetja në emër të Kryegjyshit solli një atmosferë të veçantë respekti dhe entuziazmi mes të pranishmëve. Përshëndetje u mbajtën edhe nga përfaqësues të bashkisë dhe institucioneve të tjera të ftuara.
Një moment i veçantë i aktivitetit ishte interpretimi i Himnit Kombëtar nga vetë sportistët e vegjël në ceremoninë e hapjes, duke i dhënë turneut një dimension solemn dhe emocionues.
Pas hedhjes së shortit, ndeshjet vijuan me intensitet deri në finalet përkatëse. Në kategorinë U-11, finalja u zhvillua mes Akademisë së Futbollit Lushnja dhe Akademisë së Futbollit “Jek Baze”, ku trofeu i Kupës “Pasardhësi” u fitua nga Akademia e Futbollit Lushnja. Edhe në grupmoshën U-9 fituese u shpall Akademia e Futbollit Lushnja, duke konfirmuar paraqitje shumë të mira gjatë gjithë aktivitetit.
Në frymën e olimpizmit dhe edukimit sportiv, organizatorët akorduan kupa për të gjitha ekipet pjesëmarrëse. Gjithashtu u shpërndanë medalje dhe certifikata për lojtarët më të dalluar në kategori të ndryshme, si golashënuesi më i mirë, portieri më i mirë, mbrojtësi dhe mesfushori më i spikatur.
Turneu u drejtua me profesionalizëm nga gjyqtari Mikel Biti dhe zgjati deri në orët e mbrëmjes, duke u ndjekur me interes të madh nga prindër, qytetarë dhe tifozë të shumtë, të cilët krijuan një atmosferë të ngrohtë dhe entuziaste gjatë gjithë aktivitetit.
Në përmbyllje, Kupa “Pasardhësi” u vlerësua si një aktivitet model që promovon sportin, edukimin e brezit të ri dhe bashkimin e fëmijëve përmes lojës së ndershme. Mesazhi kryesor i aktivitetit ishte se sporti bashkon, krijon miqësi të qëndrueshme dhe i orienton të rinjtë drejt vlerave pozitive.
Organizatorët shprehën mirënjohje të veçantë për mbështetjen e vazhdueshme të Kryegjyshit Botëror Bektashian dhe të gjithë pjesëmarrësve, duke uruar që Kupa “Pasardhësi” të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme si një traditë e bukur sportive dhe shpirtërore.










