PËRKUJTOHET 236-VJETORI I TEQESË BEKTASHIANE TË GJAKOVËS

Ditën e martë, 14 korrik 2026, në teqenë Bektashiane të Gjakovës u mbajt ceremonia përkujtimore me rastin e 236-vjetorit të themelimit të saj, si dhe 19-vjetorit të rindërtimit pas shkatërrimit nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Ceremoninë e udhëhoqi Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj i shoqëruar nga dervishët e teqesë së Gjakovës, Dervish Rrauf Radoniqi dhe Dervish Ilir Axhanela.
Në këtë aktivitet morën pjesë gjithashtu kryetari i Komunitetit Bektashian të Maqedonisë së Veriut, Dr. Arben Sulejmani, një numër i madh besimtarësh, dashamirës të teqesë, si dhe përfaqësues të jetës shoqërore.
Gjatë ceremonisë u përkujtuan me respekt të veçantë 12 baballarët bektashinj, të cilët gjatë brezave i shërbyen me devocion besimit, atdheut dhe popullit, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar shpirtërore dhe kombëtare, në frymën e motos së shenjtë bektashiane: “Pa atdhe nuk ka fe!”
Në kuadër të ceremonisë u shënua edhe përfundimi i muajit Muharrem, duke u shpërndarë ashurja tradicionale, si simbol përkujtimi për Imam Hysenin (a.s.) dhe 72 dëshmorët e Qerbelasë, të cilët sakrifikuan jetën në mbrojtje të besimit, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor.
Kjo ceremoni përbën një dëshmi të gjallë të vazhdimësisë së traditës bektashiane në Gjakovë, si dhe të rolit të rëndësishëm që teqeja ka luajtur dhe vazhdon të luajë në ruajtjen dhe përcjelljen e vlerave shpirtërore, fetare e kombëtare ndër breza.
Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror, Dede Edmond Brahimaj:
“Të nderuar klerikë, të dashur besimtarë,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve,
Motra dhe vëllezër,
Sot, në këtë ditë të shenjtë të Ashures, zemrat tona bashkohen në lutje, në falënderim dhe në përkujtim. Ashurja është dita e sakrificës, e besës, e drejtësisë dhe e triumfit të së vërtetës mbi padrejtësinë. Është dita kur kujtojmë qëndresën e Imam Hyseinit në Qerbela, por është edhe dita kur secili prej nesh pyet veten se çfarë lë pas në shërbim të Zotit dhe të njerëzimit.
Këtë vit, kjo ditë e bekuar merr një kuptim edhe më të veçantë, sepse përkujtojmë 236-vjetorin e themelimit të Teqesë Bektashiane të Gjakovës, një prej faltoreve më të lashta e më të ndritura të bektashizmit në trojet shqiptare, si dhe 19-vjetorin e rindërtimit të saj, pas shkatërrimit barbar që pësoi më 7 maj 1999 gjatë luftës në Kosovë.
Teqeja e Gjakovës ka qenë dhe mbetet një histori e gjallë e bektashizmit shqiptar. Për besimtarët e Kosovës, ajo nuk ka qenë vetëm një vend lutjeje. Ka qenë një shkollë e urtësisë, një vatër e kulturës kombëtare, një strehë e të përndjekurve dhe një tempull ku dashuria për Zotin është bashkuar gjithmonë me dashurinë për Atdheun.
Kur armiqtë dogjën këtë teqe në vitin 1999, ata menduan se po shuanin një histori. Por historia nuk jeton në gurë; ajo jeton në besimin e njerëzve. Dhe besimi nuk digjet. Ai rilind gjithmonë, më i fortë dhe më i ndritur.
Sot përulemi me mirënjohje para brezave të baballarëve bektashinj që e mbajtën gjallë këtë vatër të shenjtë.
Kujtojmë me nderim Baba Qazim Bakallin (1895–1981), një nga figurat më të shquara të bektashizmit dhe të atdhetarisë shqiptare. Ai nuk ishte vetëm klerik; ishte mësues, patriot dhe mbrojtës i identitetit kombëtar. I frymëzuar nga idealet e Hasan Prishtinës, Bajram Currit dhe rilindësve shqiptarë, ai sakrifikoi rrugën e tij personale për t’i shërbyer kombit dhe besimit. Shërbeu në Gjakovë, në Shtip, në Elbasan dhe në Tetovë, duke e bërë Teqenë Harabati jo vetëm një qendër fetare, por edhe një vatër të bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Ai na mësoi se besimi nuk mund të ndahet nga dashuria për njeriun dhe për lirinë.
Pas tij, në periudha të ndryshme historike, shumë baballarë e dervishë e mbajtën ndezur kandilin e kësaj dere të shenjtë. Ata shërbyen në kohë të vështira, përballuan persekutime, ndryshime politike dhe sprova të mëdha, por nuk e lanë kurrë të shuhej fryma e bektashizmit në Gjakovë.
Në kohët më të afërta, me përkushtim dhe urtësi, Baba Mumin Lamaj i shërbeu kësaj teqeje deri në vitin 2021, duke qenë vazhdues i denjë i traditës së paraardhësve. Ai u bë një udhërrëfyes shpirtëror për besimtarët, duke ruajtur harmoninë, dashurinë dhe vlerat e bektashizmit në Kosovë. Shërbimi i tij ishte dëshmi se zinxhiri shpirtëror i kësaj teqeje nuk është ndërprerë kurrë.
Sot ne nuk kujtojmë vetëm emrat e tyre. Kujtojmë amanetin që na lanë.
Na lanë amanetin që kjo teqe të mbetet gjithmonë derë e hapur për çdo njeri, pa dallim feje, kombi apo bindjeje. Na lanë amanetin që ta ruajmë harmoninë fetare, që është pasuria më e çmuar e shqiptarëve. Na lanë amanetin që të mos e harrojmë historinë, sepse një popull që harron rrënjët e veta, rrezikon të humbasë edhe të ardhmen.
Në këtë ditë të shenjtë, lutemi që shpirtrat e të gjithë baballarëve, dervishëve dhe myhibëve që kanë shërbyer në këtë teqe të prehen në paqen e Zotit. Lutemi që Zoti t’i shpërblejë për sakrificat e tyre dhe ta bekojë këtë vatër të shenjtë për shekuj të tjerë.
Në këtë ditë të shenjtë, përulemi me nderim të thellë para brezave të klerikëve që e mbajtën gjallë Teqenë Bektashiane të Gjakovës përgjatë më shumë se dy shekujve. Kujtojmë me mirënjohje themeluesin Baba Shemsi, pasuesin e tij Baba Ganiun, Baba Ademin (Plakun), Baba Shemsiun (të Riun), Baba Abdurrahmanin, Baba Hafizin, Haxhi Adem Vexh-hi Babanë, Baba Hamzanë, dijetarin dhe patriotin Baba Qazim Bakallin, Baba Musan, Baba Tajar Halifen, si dhe Baba Mumin Lamën, të cilët, secili në kohën e vet, e shndërruan këtë teqe në një vatër të adhurimit të Zotit, të dijes, të patriotizmit dhe të bashkimit kombëtar. Ata u përballën me pushtime, përndjekje, luftëra e shkatërrime, por nuk e lanë kurrë të shuhej kandili i kësaj dere të shenjtë. Sakrifica, urtësia dhe devotshmëria e tyre janë themeli mbi të cilin qëndron sot Teqeja e Gjakovës, ndërsa shërbimi i Dervish Rrauf Radoniqit, si vazhdues i kësaj tradite të bekuar, dëshmon se zinxhiri shpirtëror i Haxhi Bektash Veliut vijon të jetë i gjallë dhe të ndriçojë rrugën e besimtarëve në Kosovë dhe më gjerë.
Në këtë Ditë të Ashures, kur kujtojmë dhimbjen e pashuar të Fushës së Qerbelasë, zemrat tona kthehen edhe te plagët e Kosovës martire. Ashtu si në Qerbela u derdh gjaku i të pafajshmëve për të mbrojtur të vërtetën dhe dinjitetin njerëzor, edhe kjo Teqe e shenjtë e Gjakovës u përball me flakët e urrejtjes gjatë luftës së vitit 1999. Më 7 maj, ajo u plaçkit dhe u rrënua, në përpjekjen për të shuar jo vetëm një faltore, por edhe kujtesën shpirtërore e kombëtare të një populli. Por, ashtu si mesazhi i Imam Hyseinit nuk u mposht nga shpata, edhe fryma e kësaj teqeje nuk u shua nga zjarri. Me besim të palëkundur, me lot, me mund dhe me sakrificat e baballarëve bektashinj, të dervishëve, myhibanëve dhe besimtarëve, ajo u ringrit përsëri si simbol i jetës mbi shkatërrimin, i dritës mbi errësirën dhe i shpresës mbi dhunën. Sot, çdo gur i saj dëshmon se faltoret mund të rrënohen, por besimi nuk mund të mposhtet; ndërtesat mund të digjen, por amaneti i shenjtë i paraardhësve jeton përjetësisht në zemrat e atyre që e mbrojnë me dashuri, sakrificë dhe devotshmëri.
Le ta ruajmë këtë trashëgimi jo vetëm si një monument historie, por si një amanet të gjallë. Brezat që do të vijnë duhet të dinë se kjo teqe nuk u ngrit vetëm me gurë; ajo u ngrit me lutje, me përkushtim, me sakrificë dhe me dashuri.
Në Ditën e Ashures, le të bëhemi edhe ne bartës të mesazhit të Imam Hyseinit: të qëndrojmë gjithmonë në anën e së vërtetës, të drejtësisë dhe të paqes.
Zoti e bekoftë Teqenë Bektashiane të Gjakovës.
Zoti i mëshiroftë të gjithë baballarët që shërbyen në të.
Zoti e bekoftë Kosovën, Shqipërinë dhe mbarë kombin shqiptar.
Lavdi veprës së paraardhësve tanë dhe qoftë i përjetshëm kujtimi i tyre!
Zoti na bekoftë të gjithëve ! Amin! “

Përgatiti: Xh. Cullhaj