
E shtuna e 8 gushtit 2026, është një ditë e veçantë për komunitetin bektashian, pasi është dita përkujtimore e kalimit nga jeta e ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Xhafer Sadik Dede Baba. Në këtë ditë, ai ka 81-vjetorin e kalimit nga kjo jetë.
Përkujtimi i kalimit nga jeta i ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Xhafer Sadik Dede Baba, do të bëhet në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, por dhe në gjyshatat e tjera brenda e jashtë Shqipërisë. Ritet e kësaj dite, në Selinë e Shenjtë, do të drejtohen nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
“Sot, për ne, është një ditë e veçantë, pasi përkujtojmë 81-vjetorin e kalimit nga kjo jetë, të ish-Kryegjyshit Botëror, Xhafer Sadik Dede, i cili gjatë gjithë jetës, ka luajtur një rol të rëndësishëm si klerik bektashian dhe si atdhetar. Për pak kohë, ai ka qenë dhe Kryegjysh Botëror i Bektashizmit. Shembulli dhe devocioni i tij, ashtu si dhe i klerikëve bektashian në tetë shekuj të ekzistencës së besimit tonë të paqtë, vlerësohet dhe do të vlerësohet në vijimësi… Shembulli i tij, ashtu si dhe i klerikëve të tjerë bektashianë që kanë punuar me përkushtim në Udhën e Hakut, përherë e më shumë do të njihen e pasurohen më tej nga ana jonë e brezat që do të vijnë…”- pohon mes të tjerave, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Në mbrëmjen e kësaj dite, me këtë rast, nën drejtimin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Baba Edmond Brahimaj, do të bëhet dhe falja në mejdan.
…Ish-Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Xhafer Sadik Dede ka lindur në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1874, nga familja Baboçi me tradita bektashiane. Prindërit e tij e çonin qysh fëmijë, në teqenë e Zallit, Hajdarie dhe Melanit. Pasi bëri shkollën në vendlindjen e tij me dëshirën e prindërve, mori njohuri fetare në teqenë e Zallit, ku u bë edhe myhib e më pas u vesh dervish. Në vitin 1902, shkon në Haxhi Bektash, në Kryeqendrën e bektashizmit Turqi. Aty përgatitet në shkollën e kësaj qendre. Kreu vizita në vendet e shenjta të Lindjes: Irak, Iran, Siri, Egjipt. Më pas vjen në Përmet dhe shërben në teqenë e vjetër të këtij qyteti. Ai përkrahu gjithë patriotët në çështjen e çlirimit kombëtar në vitet 1908-1912. Teqeja e tij, priste dhe përcillte luftëtarët e lirisë. Bashkëpunonte ngushtë me teqenë e Alipostivani me baba Hajdarin dhe baba Abedinin e Frashërit. Këtu e zgjeroi teqenë dhe afroi shumë njerëz dhe intelektual, duke u bë i njohur në gjithë Përmetin dhe zonën e Jugut. Këshilli klerikal, për punën e palodhur dhe përkushtimin ndaj bektashizmit, e zgjodhi Kryegjysh në prill të vitit 1945. Në këtë detyrë ai punoi katër muaj, deri në 8 gusht 1945, duke dhënë kontribut brenda dhe jashtë vendit Por fatkeqësisht i ndodhin aksidenti fatal në rrugën Tiranë-Elbasan, u aksidentua rëndë dhe ndërroi jetë në spitalin e Tiranës. Eshtrat e tij prehen në tyrbet e dedelerëve në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Pas vdekjes është dekoruar nga Presidenti i Republikë së Shqipërisë në vitin 1993 me Urdhrin për veprimtari patriotike të klasit I-rë me motivacionin: “Për kontributin e tij në drejtim të pastrimit shpirtëror të besimtarëve dhe edukimit patriotik të tyre, armik i betuar i komunizmit.”


