12 TETOR 2026, DITË PELEGRINAZHI NË TEQENË E BËNÇËS-TEPELENË

E enjtja e 12 tetorit 2026, ashtu si tradicionalisht çdo vit, është një ditë e shënuar për besimtarët e Tepelenës e më gjerë, pasi është dita e pelegrinazhit bektashian, në teqenë e Bençës, në Tepelenë.
Në këtë ditë, në kodrën e bukur të Qafës së Taçit, dhjetëra besimtarë bektashianë, përfaqësues të pushtetit vendor, klerikë dhe miq të bektashizmit, mblidhen për të përkujtuar 156-vjetorin e themelimit të teqesë së Baba Idrizit në Bënçë, një nga qendrat më të rëndësishme të bektashizmit në jug të vendit.
“…Kjo e enjte e 12 tetorit, mbledh sot në këtë pelegrinazh besimtarë e dashamirës në teqenë e njohur të Bençës, vatër drite shpirtërore dhe kombëtare, për kryerjen e riteve tradicionale dhe për të evokuar rolin fetar e atdhetar që ka luajtur kjo teqe dhe klerikët që kanë shërbyer në ‘të në dekada…”- pohon midis të tjerave, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
Teqeja e Bënçës, e ngritur rreth vitit 1870, ndodhet në veri-perëndim të qytetit të Tepelenës, mbi një peizazh mahnitës që shtrihet mbi lumin Vjosë. Ajo ka qenë një ndër qendrat kryesore të Gjyshatës së Gjirokastrës, duke luajtur një rol të rëndësishëm gjatë Rilindjes Kombëtare dhe më vonë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Klerikë të përkushtuar si Baba Bajrami (1939–1944) dhe Dervish Muhamet Rapaj (1939–1963) udhëhoqën për vite me radhë këtë teqe, duke e kthyer atë në një qendër shpirtërore, arsimore dhe atdhetare.
Pas tërmetit të vitit 1963 dhe ndalimit të fesë në vitin 1967, teqeja u rrënua, por fryma e saj nuk u shua kurrë.
Pas viteve ’90, në fshatin Bënçë u ngrit tyrbja e Baba Idrizit, e përuruar në vitin 2018 nga Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj. Ky moment simbolizoi rilindjen shpirtërore të komunitetit dhe respektin ndaj traditës që ka mbajtur gjallë bektashizmin në këto anë.
Sot, teqeja e Bënçës mbetet një vend i shenjtë i rëndësishëm për besimtarët bektashianë, por edhe një destinacion turistik i veçantë për të gjithë ata që kërkojnë paqe shpirtërore, histori dhe natyrë të paprekur. Pozicioni i saj mahnitës mbi lumin Vjosë, panorama e gjerë dhe qetësia e vendit e bëjnë atë një pikë ndalese të paharrueshme për çdo vizitor.
Në këtë ditë, teqeja e Bënçës bëhet simbol i paqes, bashkëjetesës dhe dashurisë për Zotin dhe për atdheun, duke ruajtur me dinjitet trashëgiminë dhe dritën e bektashizmit në breza.