
Dita e enjte e 5 nëntorit 2026, është një ditë e shënuar pelegrinazhi për besimtarët e trevës së Drizarit, Mallakastrës e më gjerë, pasi përkujtohet 153-vjetori i themelimit të kësaj teqeje të njohur, si një nga qendrat më të rëndësishme të bektashizmit shqiptar.
Në këtë ditë të shënuar, në këtë objekt të njohur, mblidhen besimtarë, përfaqësues të klerit dhe dashamirës të këtij besimi paqtë, për të nderuar historinë dhe trashëgiminë shpirtërore të kësaj teqeje, që prej vitit 1873.
“…Sot, është një ditë e shënuar. Teqeja e Drizarit në Mallakastër, ka qenë dhe mbetet një vend i shenjtë frymëzimi, qëndrese dhe besimi. Ajo u bë strehë shpirtërore për klerikë e besimtarë në kohë të vështira dhe një simbol i dashurisë për Zotin, njeriun dhe atdheun. Dede Ahmeti dhe dervish Reshat Bardhi, me përkushtimin dhe kurajën e tyre, e kthyen këtë vend në një qendër të gjallë të besimit, që vazhdon të ndriçojë udhën tonë edhe sot. Duke përkujtuar sot këtë përvjetor, kontributin e klerikëve që kanë punuar në këtë teqe, rolin e saj si qendër fetare e atdhetare, ne u kujtojmë brezave në vijimësi, që të njohim, pasurojmë e çojmë më përpara këto vlera…”-pohon mes të tjerave, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
…Teqeja e Drizarit, e ndodhur në lindje të fshatit me të njëjtin emër, Njësia Administrative Kutë, Bashkia Ballsh, u themelua në vitin 1873 nga Maliq Zeneli, i cili i dhuroi asaj 5 hektarë tokë për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e saj. Prej asaj kohe, ajo është bërë një qendër e rëndësishme shpirtërore, ku kanë shërbyer figura të njohura të bektashizmit, si baba Xhelo, baba Rakip Gllava, baba Riza Bargullasi, dervish Muharrem Goxhaj, Dede Ahmeti dhe dervish Reshat Bardhi.
Në periudhën e vështirë të viteve 1958–1967, kur teqeja u bë vend internimi për Dede Ahmetin dhe dervish Reshatin, ajo mori një domethënie të veçantë- u kthye në një vend qëndrese shpirtërore dhe shprese për shumë besimtarë që vinin nga gjithë Shqipëria.
E mbyllur për një periudhë gjatë regjimit monist, teqeja u rihap në vitin 1995 dhe prej asaj kohe vijon traditën e pelegrinazhit të përvitshëm, që zhvillohet çdo 5 nëntor, si dëshmi e gjallë e besimit, dashurisë dhe mirënjohjes për brezat e klerikëve që shërbyen në të.
Sot, në 153-vjetorin e themelimit, teqeja e Drizarit mbetet një simbol i gjallë i bektashizmit, i përkushtimit shpirtëror dhe i trashëgimisë që lidh brezat në dritën e paqes dhe harmonisë.







