
Me rastin e 22 Nëntorit, ditës së Alfabetit të gjuhës shqipe, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, nëpërmjet një mesazhi, uron dhe përkujton këtë ngjarje të rëndësishme mbarëkombëtare, duke e vlerësuar Kongresin e Manastirit (14-22 Nentor 1908) si një akt të shenjtë që i dha fund përdorimit të alfabeteve të ndryshme të Gjuhës Shqipe, duke hodhur themelet për një alfabet të përbashkët, si një një hap të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit, kulturës dhe identitetit kombëtar.
Ndër të tjera, në mesazhin e Dede Edmond Brahimajt thuhet: “…E djela e 22 Nëntorit të këtij viti, është një ditë e shënuar për kombin shqiptar. Në këtë titë të vitit 1908, vendimet e Kongresit të Manastirit, unifikuan alfabetin e gjuhës shqipe, vendosën themelet e arsimit kombëtar dhe forcuan identitetin tonë shpirtëror, kulturor dhe kombëtar. Tradita bektashiane, e ndriçuar nga parimet e dijes, paqes dhe bashkimit, ka mbështetur gjithmonë përhapjen e arsimit dhe ruajtjen e gjuhës shqipe, duke e konsideruar atë si një vlerë të shenjtë dhe një thesar që bashkon zemrat e shqiptarëve kudo në botë. Alfabeti i gjuhës shqipe është një ndër fitoret më të mëdha të popullit tonë, një dritë që na udhëheq dhe një urë që na bashkon. Le ta ruajmë me dashuri, ta mbrojmë me përkushtim dhe ta përcjellim me krenari brezave që vijnë. Në këtë ditë të shënuar, përulemi me nderim para dëshmorëve të gjuhës shqipe dhe para figurave të ndritura të kulturës sonë, të cilët sakrifikuan, shkruan dhe punuan për të mbrojtur e forcuar gjuhën amtare. Krahas tyre, tradita bektashiane ka dhënë dhjetëra personalitete të shquara që ndikuan thellë në arsimin dhe kulturën shqipe. Përmendim këtu dhe Naim Frashërin, personalitet kyç i botës shpirtërore bektashiane; Sami Frashërin; Abdyl Frashërin; Dede Ahmetin (një prej prijësve të rëndësishëm të komunitetit bektashian në gjysmën e parë të shekullit XX) etj…
Nën drejtimin e tij, teqetë ku shërbeu funksionuan si qendra të kulturës, ku mësimi i gjuhës shqipe, leximi i librave në shqip dhe edukimi i të rinjve ishin pjesë e misionit të përditshëm. Ai mbështeti hapjen e mjediseve arsimore brenda teqeve, duke përqafuar idealet e Rilindjes Kombëtare.
Dede Ahmeti njihet për përhapjen e literaturës fetare bektashiane në gjuhën shqipe, përfshirë rregullat shpirtërore dhe mësimet morale të tarikateve , përktheu të gjithë literaturën fetare në shqip. Shumë nga shkrimet e ruajtura në teqe mendohet se janë kopjuar ose ruajtur falë kujdesit të tij. Dede Ahmeti, ka kontribuar në organizimin e komunitetit, në edukimin shpirtëror të besimtarëve dhe në ruajtjen e stabilitetit të teqeve gjatë periudhave të vështira, duke siguruar që tradita bektashiane të mbetej e fortë dhe funksionale Me gjuhn e bukur shqipe, me germat e arta shqipe, kanë shkruar e predikuar dhe klerikë të tjerë të njohur bektashiane si: Baba Ali Tomorri, shkrimtar, poet, studiues, hartues veprash fetare e kulturore në gjuhën shqipe, figurë me ndikim në përhapjen e diturisë dhe gjuhës; Baba Rexheb Beqiri, dijetar, teolog dhe shkrimtar, autor i veprave në shqip dhe përkthyes i literaturës bektashiane; Baba Abdullah Vruho, një prej figurave të hershme bektashiane i njohur për përkrahjen e arsimit shqip dhe përhapjen e shkrimit shqip në shek. XIX; Baba Alushi ; Baba Selim Dede (Frashëri); Baba Ibrahim Dalliu, poet, studiues, patriot dhe mësues i shqipes; Medi Frashëri etj…
Ne sot dhe brezat që do të vijnë, do të krenohen me kontributin e këtyre klerikëve.
Gëzuar 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe! Të vazhdojmë ta çmojmë gjuhën tonë si një dhuratë të çmuar dhe një simbol të përjetshëm të kombit shqiptar!”.
Në Shqipëri, 22 Nëntori u shpall festë zyrtare në vitin 2023
…Kongresi i Gjuhës Shqipe u zhvillua në datat 14-22 Nëntor në Manastir, në shtëpinë e Fehim Zavalanit në Manastir dhe në të morën pjesë 50 delegatë dhe 18 vëzhgues.
